Arbëri

Një zyrtar komunal në Pejë dhe një operator privat nën aktakuzë për keqpërdorime

Prokuroria Themelore e Pejës pas gjashtë muajsh hetimesh të zhvilluara e ka përmbyllur lëndën me aktakuzën e ngritur ndaj zyrtarit ligjor në Drejtorinë për Çështje Pronësore-Juridike, B. Sh. dhe ndaj E.D., pronar i operatorit ekonomik “Citroen”, që ka qenë në marrëveshje me Komunën e Pejës për tërheqjen e makinave prej vitit 2012.

Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda, siç konfirmoi të martën për “Kohën Ditore” zëdhënësi i kësaj prokurorie, Ersan Qavolli, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit B.Sh. për vepër penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të KPRK-së dhe kundër të pandehurit E.D. për vepër penale “Mashtrim i mbetur në tentativë” nga neni 335, paragrafi 3, lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 28 të KPRK-së, shkruan sot Koha Ditore.

Sipas aktakuzës, i pandehuri B.Sh. më 28 prill të vitit 2016 në Pejë, si zyrtar i kabinetit të kryetarit të Komunës së Pejës përpilon vendimin kinse të lëshuar nga Bordi i drejtorëve të kësaj komune dhe atë ia dërgon kryetarit Gazmend Muhaxheri, të cilin e vë në lajthim dhe ky i fundit e nënshkruan së bashku me vendime tjera.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)