Fakti se tash e 11 vjet është zyrtar i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Behram Mazrekun nuk e pengoi që të marrë një pozitë të lartë në një kompani të karburanteve në vend.
Kjo ministri, në të cilën ai shërben, ka për kompetencë licencimin e kompanive të karburanteve, si dhe kontrollin e cilësisë së naftës brenda tregut vendor.
Por, ushtrimin e këtyre dy pozitave e ndalon Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit, raporton KTV.
Neni 9, i këtij ligji thotë se konflikti i interesit lind nga një rrethanë, në të cilën zyrtari ka interes privat që ndikon, mund të ndikojë ose duket se ndikon në kryerjen me paanshmëri dhe objektivitet të detyrës së tij zyrtare.
Megjithëkëtë, përmes një përgjigje zyrtare, Mazreku ka thënë se nuk është aspak e vërtetë se është menaxher i ndonjë pike të shitjes së derivateve në Kosovë, duke e vlerësuar këtë informatë si spekulim dhe të pavërtetë.
Por, punëtorët e kësaj kompanie kanë treguar se Mazreku ka pozitë të lartë.
Edhe menaxheri i njërës prej pikave të shitjes së karburanteve që ndodhet në Zonën Industriale në Prishtinë, ka pohuar se Mazreku është menaxheri kryesor.
Më pas, nga aty doli edhe vetë Mazreku, i cili sërish mohoi të japë informacione për marrëdhëniet e tij me drejtorin kryesor të kompanisë.
Në disa nga fotografitë në Facebook, shihet se Mazreku ka qenë në disa udhëtime me drejtorin e kompanisë private, Driton Morina, madje që nga viti 2015.
Në Institutin e Kosovës për Drejtësi, tregojnë se ligji qartë e specifikon konfliktin e interesit, megjithëkëtë po gjen pak zbatim në institucionet shtetërore.
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë nuk ka dhënë asnjë përgjigje për këtë rast.
Behram Mazreku që nga viti 2008 ka qenë i angazhuar si zyrtar në departamentin për mallra me përdorin të dyfishtë dhe asistencë teknike në Departamentin për Kontrollin e Tregtisë me Mallra Strategjike.
Në vitin 2018, u bë ushtrues detyre i Divizionit për Mallra Ushtarake, Transit dhe Brokerim.