Arbëri

Një vit pas zgjedhjeve: LVV-ja e Osmani thonë se u tjetërsua vullneti i qytetarëve

Vullnetin qytetar të shprehur një vit më parë në zgjedhjet parlamentare po e konsiderojnë të shkelur e të devijuar.

Zyrtarë të Vetëvendosjes, partisë që fitoi zgjedhjet, kanë akuzuar partitë në pushtet si dhe PDK-në, si bashkëfajtore për krijimin e një qeverie, që, sipas tyre, nuk ka legjitimitet.

Duke e kujtuar si datë historike 6 tetorin e vitit të kaluar, nënkryetari i LVV-së, Glauk Konjufca, ka thënë se menjëherë pas formimit të Qeverisë Kurti kanë ardhur në konsideratë interesat e përbashkëta të PAN-it me LDK-në.

“Avdullah Hoti e ka një shans të shkëlqyeshëm që ta ndihmojë Kosovën, e ky shans është që të japë dorëheqje, kjo dorëheqje do të ishte t‘ia lëshonte rrugën Kosovës, që ata në mënyrë të ligjshme të vendosin, vullneti demokratik nuk mund të vidhet”, ka deklaruar Konjufca.

Kritika LVV-ja ka pasur edhe për PDK-në. Anëtarja e Kryesisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se nuk i kanë hequr vijat e kuqe për këtë parti.

Sipas saj, të gjitha partitë kanë frikë të përballen sërish me popullin.

“Prandaj duhet theksuar faktin se edhe partitë që janë në pushtet dhe kjo opozita false PDK-ja kanë frikë të madhe nga një kërkesë e vetme dhe legjitime, e cila është kërkesa për zgjedhje të jashtëzakonshme. Këta janë gjendje me ba gjithçka vetëm mos me u përballë me popullin”, ka thënë Albulena Haxhiu nga LVV-ja.

Si ditë historike, 6 tetorin e ka kujtuar edhe ish-kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani.

Ajo ka thënë se atë ditë qytetarët treguan haptas se nuk duan të jetojnë në një shtet, i cili u shërben vetëm një grushti njerëzish dhe i cili pasurinë publike ua lë në dorë keqbërësve.

Osmani ka vlerësuar se një vit pas, vullneti qytetar është përdhosur ndërsa vota e tyre është tjetërsuar. Kosova, sipas saj, frymon me pamjen e zymtë, si atë të para 6 tetorit.

“Më 6 tetor të vitit të shkuar Kosova shënoi kthesën më të madhe politike në 15 vjetët e fundit. Qytetarët e saj treguan haptas se nuk duan të jetojnë në një shtet, i cili u shërben vetëm një grushti njerëzish dhe i cili pasurinë publike ua lë në dorë keqbërësve. Me votën e tyre ata e thanë zëshëm dëshirën e tyre për shtet të së drejtës e për jetë të dinjitetshme. Sot, një vit më pas, ky vullnet qytetar është përdhosur, ndërsa vota e tyre është tjetërsuar. Kosova frymon me pamjen e zymtë, si atë të para 6 tetorit, e cila e ka tjetërsuar vullnetin qytetar dhe e ka instaluar një qeveri, e cila jo vetëm që nuk e përfaqëson vullnetin e qytetarëve të vendit për ndryshim, por është e vendosur që t’u kundërvihet atyre, si për t’u treguar se vota e tyre është e pavlerë, se ata mund të vendosin të bëjnë qeveri e të marrin vendime për vendin pavarësisht vullnetit qytetar. Edhe pse jam skajshmërisht e zhgënjyer me sjelljen e tillë të këtyre kastave politike, jam e lumtur që vazhdoj të qëndroj në krahun e bashkëqytetarëve të mi, me vullnetin e pathyer të tyre për ndryshim, vullnet i cili sot mund të jetë i ndrydhur, por jo i shuar. Ai do të rikthehet edhe më i fuqishëm, për ta çkapur njëherë e mirë vendin nga strukturat që e mbajnë të uzurpuar atë. Tekefundit, vota e 6 tetorit nuk qe zotim të cilën e morën politikanët, por qytetarët e vendit. Ata do ta jetësojnë atë, herët a vonë”, ka shkruar Osmani.

Në zgjedhjet e 6 tetorit të vitit të kaluar Vetëvendosja doli e para me mbi 26 për qind të votave, e pasuar nga LDK-ja, e prirë nga Osmani, me rreth 25 për qind.