Në Ditën e Çlirimit, Komuna e Podujevës do ta shpallë qytetare nderi ish-eurodeputeten Doris Pack, ndërsa të martën ka përuruar një rrugë me emrin e saj. Politikania gjermane premtoi se do të angazhohet për të lobuar që Kosova të bëhet sa më shpejt anëtare e Këshillit të Evropës
Ish-eurodeputetja Doris Pack ka thënë se Kosova e meriton të jetë anëtare e Këshillit të Evropës dhe ka premtuar se do të lobojë tek anëtarë të Parlamentit Evropian për të ndihmuar në këtë drejtim.
Gjatë pjesëmarrjes në përurimin e një rruge të Podujevës me emrin e saj, eurodeputetja shprehu shpresën se Kosova shpejt të bëhet anëtare e Këshillit.
“Nuk mund të bëj aq shumë, sepse nuk jam më në post aktiv, por mendoj se do të jem zëri i Kosovës në pjesën perëndimore dhe do të kem gjithmonë kontakte me kolegët e mi në Parlamentin Evropian për t’u dhënë atyre një ide se çfarë do të thotë t’ju ndihmojnë juve, sepse ata ndihmojnë një vend shumë demokratik i cili meriton të jetë anëtar i Këshillit të Evropës dhe shpresoj se do të ndodhë së shpejti”, ka thënë Pack.
Ajo tregoi se Kosovën e vizitoi para më shumë se tri dekadash.
“Viti 1990 ishte hera ime e parë në Kosovë dhe nga kjo kohë po ndiej me popullin, po vuaj me popullin dhe ndonjëherë kam qenë e lumtur me popullin. Por, gjërat shkuan në një drejtim të mirë dhe shpresoj shumë që një e ardhme e tillë të jetë më e mirë se e kaluara”, ka thënë politikania gjermane.
Doris Pack do të shpallet qytetare nderi e Podujevës të mërkurën, kur kjo komunë shënon 25-vjetorin e çlirimit.
Informatën për këtë e dha kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi.
“Është një veprim më i vogël që kemi mundur me e bë për një njeri kaq të madh që ka dhënë kaq shumë për Kosovën, e cila ka kontribuuar në aspektin e internacionalizimit të çështjes së Kosovës, por jo vetëm, sepse kontributi i saj ka vazhduar edhe pas luftës në njohjen e pavarësisë së Kosovës, prandaj si Kuvend Komunal kemi marrë vendim që të shpallim qytetare nderi”, ka thënë Bulliqi.
Nga viti 1994 e për një kohë të gjatë, Doris Pack ka qenë anëtare e Parlamentit Evropian dhe kryesuese e delegacionit për marrëdhënie me shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Para dhe gjatë luftës politikania gjermane ka folur hapur për krimet e Serbisë në Kosovë.