Arbëri

Një politikan shqiptar e 13 kompani nga Shqipëria kanë fshehur pasuri në parajsat fiskale

Pesë vjet pas “Panama Papers”, një investigim i ri edhe më i gjerë i gazetave ndërkombëtare , i quajtur “Pandora Papers”, zbulon pasurinë e fshehur në parajsat fiskale nga mijëra njerëz të pushtetshëm në të gjithë botën.

Janë 35 krerë shtetesh ose qeverish. Më shumë se 300 politikanë nga mbi nëntëdhjetë vende: ministra, udhëheqës partish, parlamentarë. Së bashku me gjeneralët, bankierët, industrialistët, të famshmit e sportit, modës dhe argëtimit.

Dokumentet e reja, të quajtura “Pandora Papers”, dokumentojnë një mori marrëveshjesh shumë të pasura me emrat e përfituesve, të mbajtura deri tani sekret. Nga kërkimet në sajtin që ka publikuar të dhënat rezulton edhe një politikan shqiptar dhe 13 kompani me pronarë në Shqipëri.

Por, ende nuk dihet emri i politikanit shqiptar që ka fshehur pasuritë në “offshore” duke investuar përmes parajsave fiskale. Ndërkohë që të hënën, “BIRN-Albania” ka publikuar se dokumentet e “Pandora Papers”, zbulojnë se kompania boshnjake “Energoinvest”, e cila ndërtoi linjën e interkonjeksionit midis Shqipërisë dhe Kosovës, i pagoi miliona euro një firme të vogël konsulence “offshore” në Emiratet e Bashkuara Arabe, e drejtuar nga një biznesmen shqiptar me lidhje politike.

Duke filluar nga viti 2013, “Energoinvest” i pagoi në total 3.6 milionë euro një kompanie të vogël konsulence të regjistruar në Emiratet e Bashkuara Arabe në mars të atij viti – kompania “AL Energy Transmission”, e cila drejtohet nga biznesmeni shqiptar, Vasil Kallupi.

Sipas planit të biznesit, kompania u themelua me një kosto fillestare prej 8.600 eurosh me qëllimin të ofronte shërbime konsulence në sektorin e energjisë. Sipas të njëjtit dokument, stafi i kompanisë kishte eksperiencë në sektorin energjisë në Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi dhe Kosovë, përfshirë në hartimin e projektit dhe ndërtimin e linjës 400 kilovolt Tiranë-Podgoricë dhe linjës 110 kilovolt në jug të Shqipërisë – të dyja të kontraktuara nga “Energoinvest”.

Kompania boshnjake me kapital shtetëror i kishte paguar 3.6 milionë euro “AL Energy Transmission LTD”, një kompanie të sapokrijuar që kishte pak eksperiencë në sektorin energjetik.

Vasil Kallupi njihet në Shqipëri si i afërt me Fatos Nanon, ish-lideri i socialistëve që e drejtoi Shqipërinë nga viti 1997 deri në vitin 2005. Një fakt të tillë e ka konfirmuar edhe një ish-zyrtar i Qeverisë në kohën kur drejtohej nga Fatos Nano, se biznesmeni Kallupi kishte lidhje me ish-kryeministrin Fatos Nano. Si Fatos Nano dhe Vasill Kallupi aktualisht jetojnë në Vjenë. Për të siguruar furnizimin me energji elektrike përmes importit, gjatë dy dekadave të fundit Operatori i Sistemit te Transmetimit në Shqipëri ka investuar në tri linja interkonjeksioni të tensionit të lartë. Linja e interkonjeksionit midis Kosovës dhe Shqipërisë ishte në mënyrë të veçantë e rëndësishme, jo vetëm sepse rriste potencialin e transmetimit të energjisë elektrike midis dy vendeve, por gjithashtu përbënte themelin e një blloku të ri transmetimi të integruar në tregun rajonal. Më 21 dhjetor të vitit 2013, në Prizren, në ndërtesën e Lidhjes Shqiptare, në praninë e ish-ministrit të Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Fadil Ismajli, dhe ish-ministrit të Energjetikës dhe Industrisë të Republikës së Shqipërisë, Damian Gjiknuri, dhe-ish ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Peter Blomeyer, u nënshkrua kontrata për ndërtimin e linjës interkoneksionit 400 kV Kosovë-Shqipëri. Ish kryeshefi ekzekutivi KOSTT-it, Naim Bejtullahu nënshkroi kontratën me përfaqësuesit e kompanisë kroate “Dalekovod”, e cila më pas realizoi ndërtimin e linjës në pjesën e Kosovës, ndërkaq Engjëll Zeqo, ish-administrator i përgjithshëm OST-së në Shqipëri, nënshkroi kontratën me përfaqësuesit e kompanisë “Energoinvest” nga Bosnjë-Hercegovina .

Ky projekt, i cili u inaugurua më 28 qershor të vitit 2016 në Kashar të Tiranës nga kryeministri Edi Rama dhe ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.

Punimet për ndërtimin e linjës së tensionit të lartë 400 kilovolt Shqipëri-Kosovë zënë fill në maj të vitit 2005, ku në Tiranë u bë prezantimi i studimit topografik dhe gjeologjik i vendit nga do të kalonte linja e re e tensionit 400 kilovolt Vau i Dejës-Prishtinë (Kosova B).

Ky studim ka pasuar studimin e fizibilitetit të projektit me një financim të Bankës Botërore me një vlerë prej 1.1 milion dollarësh. Studimi pasi është miratuar nga pala e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës u është paraqitur donatorëve të ndryshëm për financim. Pesë vjet më vonë ka qenë Qeveria gjermane dhe banka e saj Kfw që i është përgjigjur kërkesës së palëve për financimin e këtij projekti.

Në shkurt të vitit 2010 është nënshkruar në Tiranë marrëveshja e bashkëpunimit financiar në mes të Shqipërisë e Gjermanisë, në një vlerë prej 91 milionë eurosh, ku 42 milionë euro i përkisnin linjës 400 kilovolt Tiranë-Prishtinë. Ndërkohë, tenderi për linjën e interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë është zhvilluar në mars të vitit 2011, në të cilin kanë marrë pjesë dy kompani, kroatja “Dalekovod” dhe ajo boshnjake “Energoinvest”.

Pas zhvillimit të tenderit, vlerësimi i ofertave është zhvilluar në tri faza, që ishte ajo pas kualifikimit dhe dy fazat e mëvonshme, ajo e vlerësimit teknik dhe atij financiar, të zhvilluara respektivisht më 22 gusht dhe 20 shtator të vitit 2011.

Në përfundimin e këtyre fazave, Operatorët e Transmetimit të Shqipërisë dhe Kosovës në bashkëpunim me Kfw-në kanë shpallur fitues kompaninë kroate “Dalekovod”, e cila ndonëse kishte ofruar çmim më të lartë se ajo e vendit të dytë, boshnjakja “Energoinvest”, pasi ofronte garanci më të mëdha teknike. Por, Qeveria shqiptare e asaj kohe e drejtuar nga Sali Berisha e bllokoi fillimin e punimeve, duke u shprehur se çmimi i ofruar ishte rreth 8 milionë euro më i lartë se oferta e dytë, duke kërkuar ritenderimin. Qeveria shqiptare ka prishur tenderin me kompaninë kroate “Dalekovod” në favor të kompanisë boshnjake “EnergoInvest”.

Por, shpallja fituese e kompanisë boshnjake nuk është mirëpritur nga banka gjermane, financuese e këtij projekti, e cila me shqetësim një ditë më vonë iu drejtua drejtorit të OST-së me një letër zyrtare, ku ia bëri të qartë se nuk do të japë “ok”, për vendimin e tij për të shpallur fitues kompaninë e dytë. Kfw njeh se oferta e "Energoinvestit" është më e ulët financiarisht, por thotë se pas procedurave të paracaktuara për vlerësimin teknik fitues ishte shpallur kompania kroate “Dalekovod”, sepse ofronte garanci më të mëdha teknike.

Banka gjermane për zhvillim Kfw i kërkoi Qeverisë shqiptare që të qartësojë pozicionin e saj duke zhbllokuar procesin e tenderimit për linjën e interkonjeksionit me Kosovën dhe Boshtin e Jugut, ose të anulojë atë. Banka gjermane Kfw paralajmëroi Qeverinë shqiptare në shtator të vitit 2012 se, nëse qeveria do të vendosë anulimin e njëanshëm të tenderit, kjo do të përbënte një shkelje të kontratës dhe në këtë pikë, ajo rezervonte të drejtën të tërhiqet nga financimi. Banka tha asokohe se do të vazhdojë financimin e projektit, nëse qeveria anulon tenderin për lotin 1, vetëm nëse përmbushen disa kushte. Së pari, tenderi i ri të ndahet në dy pjesë, ku një kontratë të mbulojë punimet në Shqipëri dhe tjetra ato në Kosovë. Kushti i dytë ishte që tenderi i ri të jetë në përputhje me procedurat e paracaktuara të bankës dhe t’i ndjekë të njëjtat standarde të larta teknike, si ai i mëparshmi.

Ndërsa kushti i fundit i vendosur ishte ai, që Qeveria shqiptare t’i pranojë rezultatet e tenderit të ri, i cili duhet të zhvillohet sipas standardeve të Kfw-së.

Sipas medias, por edhe opozitës të asaj kohe në Shqipëri , aktualisht në mazhorancë, lobues në këtë manovër që ka çuar në mosfillimin e punimeve për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë ka qenë Damir Fazliq, i cili sipas opozitës së asaj kohe kishte lidhje me Qeverinë shqiptare dhe ka bërë biznes me biznesmenin e njohur serb, Vuk Hamoviq, i cili përfitonte nga kjo çështje, pasi Serbia do të mbante monopolin e furnizimit me energji të Shqipërisë dhe Kosovës.

Opozita socialiste, aktualisht në pushtet, akuzonte kryeministrin e kohës Sali Berisha se kishte bllokuar projektin për ndërtimin e linjës 400 kilovoltëshe të interkonjeksionit, e cila lidh Kosovën me Shqipërinë. Bllokimi i këtij projekti nga ana e kryeministrit Berisha, sipas opozitës socialiste, i kishte siguruar shtetit të Serbisë monopol në importin e energjisë në Kosovë, pasi në atë kohë Kosova të vetmen rrugë për import të energjisë kishte fqinjin verior. Sipas opozitës së asaj kohe (viti 2012), biznesmeni serb, Vuk Hamoviq, njëri nga njerëzit më të pasur në Ballkan, i cili operon në këtë biznes, në bashkëpunim me Damir Fazliqin, janë takuar në Vjenë me djalin e ish-kryeministrit, me Shkëlzen Berishën. Pas ardhjes në pushtet të socialistëve në Shqipëri në vitin 2013 , kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka kërkuar falje Gjermanisë për sjelljen, sipas tij, jodinjitoze të shtetit shqiptar në kuadrin e linjës së intekonjeksionit me Kosovën. Pas lajmit të publikuar në media në fillim të vitit 2014, për përfshirjen e firmës boshnjake “Energoinvest”, në pronësi të biznesmenit Damir Fazliq, në ndërtimin e linjës së interkonjeksionit me Kosovën, Ministria e Energjisë dhe Industrisë në Shqipëri, me anë të një deklarate për shtyp, sqaroi në fund të shkurtit të vitit 2014, se kompania boshnjake "Energoinvest", të cilën media në Kosovë dhe Francë e lidhin me mikun e Sali Berishës, është një kompani që kontrollohet nga shteti.

“Kompania kroate ‘Dalekovod’ do të ndërtojë linjën në pjesën e Kosovës, ndërsa kompania nga Bosnjë-Hercegovina "Energoinvest" (me pjesën kryesore të kapitalit shtetëror) do të realizojë ndërtimin në pjesën e Shqipërisë", thuhej në këtë deklaratë, ku bëhej edhe një historik i linjës problematike të interkonjeksionit me Kosovën.

Ministria e Energjisë dhe Industrisë sqaroi shtatë vite më parë se pas periudhës së zvarritjes dyvjeçare nga Qeveria e Shqipërisë, amendamentimi i kontratës së konsulencës për procedurën e ritenderimit është kryer më 4 shkurt 2013. Njoftimi për procedurën e re të tenderimit për këtë projekt u krye më 20 mars të vitit 2013. Më 11 qershor 2013 është kryer hapja e procedurës së tenderimit, marrja e ofertave dhe hapja e zarfit të postkualifikimit. Më 9 gusht 2013 është bërë hapja e ofertës teknike ku është kryer edhe skualifikimi i disa ofertave, duke bërë që më 1 nëntor 2013 (kur u hap oferta financiare) të kishte mbetur vetëm kompania “Energoinvest”.

Më 12 dhjetor 2013 është kryer firmosja e kontratës për Lot 1 me “Energoinvest”. Selektimi dhe përzgjedhja, deri në ofertën teknike, janë kryer nga drejtuesit e OST-së dhe konsulentët e bankës Kfw, gjatë qeverisjes së shkuar. E gjithë procedura është ndjekur dhe zhvilluar nën konsulencën e Bankës gjermane, e cila ka certifikuar procesin deri në firmosjen e kontratës më 12 dhjetor 2013 në Prizren. E themeluar në vitin 1953 në Jugosllavinë socialiste, kompania “Energoinvest”, me qendër në Sarajevë thuhej se ishte një aktor i njohur në tregun e linjave të transmetimit në Ballkan dhe përpara tenderit të vitit 2013, kishte ndërtuar qindra kilometra linja të tensionit të lartë në Shqipëri. Në vitin 2011, ajo punoi me “Dalekovod” në ndërtimin e linjës 400 kilovolt midis Shqipërisë dhe Malit të Zi; midis 2013 dhe 2016 u kontraktua nga OST për të ndërtuar linjën 110 kilovolt në jug të Shqipërisë; dhe në vitin 2020, së bashku me kroaten “Koncar”, “Energoinvest” fitoi një tender 35 milionë euro për ndërtimin e linjës së tensionit të lartë midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Por, katër vjet e gjysmë pas përfundimit dhe 1 muaj pas vënies ne funksion të linjës së transmetimit 400 kilovolt Shqipëri-Kosovë, kjo linjë ka dalë jashtë funksionit në janar të këtij viti. Megjithëse kjo linjë ka kushtuar 75.5 milion euro, ku 42 milionë euro janë shpenzuar në pjesën e Shqipërisë, duheshin temperaturat e ulëta të janarit që 4 nga shtyllat e interkonjeksionit të linjës Vau-Dejës-Prishtinë të rrëzoheshin, çka ngre pikëpyetje mbi cilësinë e investimeve dhe transparencën e investimit nga kompania boshnjake “Energoinvest”.

Ndërkohë që ekspertë të ekonomisë, por edhe të energjetikës në Shqipëri dhanë shifra prej miliona eurosh humbje nga mosfunksionimi i kësaj linje ku arrijnë deri në 20 milionë euro në vit. Ekspertët kërkuan që të kryhet një auditim për të gjetur shkaqet që kanë çuar në pengimin e transmetimit të energjisë mes dy vendeve dhe nëse ka pasur shkelje të rënda për mosfunksionimin e kësaj linje autoritet duhet të aplikojnë penalitete mbi përgjegjësit. Në fillim të dhjetorit të vitit 2019, pas një pune shumë intensive dhe një bashkëpunimi efikas ndërmjet Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe Operatorit të Sistemit të Transmetimit të Shqipërisë (OST), në Tiranë u nënshkrua Marrëveshja e themelimit të Bllokut Rregullues të Sistemeve Energjetike Kosovë-Shqipëri (Blloku AK). Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, që u implementua në dhjetor të vitit 2020, definitivisht Kosova u shkëput nga ombrella e Zonës Rregulluese serbe (EMS), në dijeni të ENTSO-E dhe futet në Bllokun Rregullues me OST (Shqipërinë).