Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka nisur dëshminë, dëshmitari i mbrojtur 01493 në rastin ku po gjykohen ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Shumica e dëshmisë së tij është e mbyllur, mirëpo në prezantimin që ia bëri prokurori Nathan Quick, tha se dëshmitari ka qenë pjesë e Zonës Operative të Dukagjinit dhe do të flasë për strukturën dhe marrëdhënien mes UÇK-së dhe Forcave të Armatosura të Kosovës, FARK, të udhëhequra nga qeveria në ekzil.
Quik ka thënë se dëshmitari ka deklaruar se personi kryesor në UÇK ka qenë Hashim Thaçi.
Rreth marsit të vitit 1999, sipas prokurorisë, dëshmitari ka gjetur një dokument që supozohet të jetë nxjerrë nga Azem Syla dhe Jakup Krasniqi në një bazë të caktuar në Shqipëri. Dokumenti parashikon dhe tregon autoritetin ekskluziv të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe mohon autoritetin e qeverisë në ekzil. Dëshmitari jep informacion rreth trajtimit të personave kundërshtarë nga UÇK-ja, të perceptuar prej saj si të tillë, përfshirë këtu edhe ushtarë të FARK-ut dhe bashkëpunëtorë të pretenduar në Zonën Operative të Dukagjinit dhe në vende të caktuara në Shqipëri.
Dëshmia e tij pritet të zgjasë dy ose tre ditë. Seanca e së hënës është e para e këtij viti në rastin Thaçi dhe të tjerët.