Dy përfundime i ka nxjerrë deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, nga dështimi i sotëm që në Kuvend të nxirret rezolutë që ia pamundëson kreut të shtetit, Hashim Thaçi, dhe kujtdo tjetër që të diskutojë me Serbinë për çështjen e territoreve.
Sipas tij, koalicioni PDK, AAK, NISMA, Lista Serbe dhe komunitetet tjera (duke përjashtuar 2 deputet nga AKR Islam Pacolli dhe Labinot Tahiri) nuk e votuan sot Rezolutën që e ndal Hashim Thaqin për të vazhduar pazaret me tokat e Kosovës. E ky veprim nxjerr dy përfundime.
“1. Deputetët e PDK-së janë nën kontrollin e plotë të Hashimit dhe nuk kanë as guximin dhe as kurajon kombëtare t’i dalin kundër atij; 2. Deputetët e AAK-së, NISMA-s dhe të tjerët, edhe pse deklarativisht janë kundër kësaj ideje ata vepruan kështu nga frika se Hashimi ua prish qeverinë dhe me këtë ata bien nga pushteti”, ka thënë Selmanaj.
Selmanaj thotë se derisa dikush ka frikë që po e humbet karrigen, agjenda Thaçi-Vuçiq po avancon çdo ditë e më shumë.
“Ata tashmë të koordinuar po e dëmtojnë Kosovën në raport me miqtë tanë. Ish-ambasadori gjerman Wolfgang Ischinger na e dëshmoi qartazi mbrëmë këtë. Qytetarë të Republikës, Serbia për ta realizuar planin e saj për Kosovën tashmë ka gjetur aleatin e saj në Kosovë dhe ky për fatin e keq është hiç më pak se Presidenti i vendit. Jo rrallë herë në historinë e Kosovës armiqtë tanë shumë lehtë kanë gjetur argat ndër shqiptarë, për fatin tonë të keq duket se historia e tillë e kobshme po na përsëritet”, ka thënë Selmanaj.
Në fund, Selmanaj ka thënë se “si kurrë më parë na duhet përpjekje, mobilizim dhe angazhim mbarëshoqëror për ta ndal këtë agjendë shkatërruese për Kosovën”.