Drejtori i Ujësjellësit “Prishtina”, Sokol Xhafa, ka njoftuar se disa lagje dhe rrugë në kryeqytet kanë mbetur pa furnizim me ujë të pijshëm pasi ka shpërthyes një tub i diametrit të madh. Xhafa ka thënë se shpërthimi i linjës së azbestit ka ndodhur rreth orës 04:00 të mëngjesit, tek Pallati i Rinisë.
“Në ora 5:00 kemi dalë në vend të ngjarjes duke filluar punimet pavarësisht se dëmtimi është i madh. Pa ujë të pijshëm kanë mbetur lagjet Lakrishte, një pjesë e Dardanisë, Pejtoni dhe disa rrugica si Rexhep Luci dhe pjesa te Hotel Grandi. Tek pjesa e Qafës kanë ngelur pa ujë por brenda 2-3 orës do të sanohet dhe kthehet uji, derisa në lagjet e tjera diku deri në orët e pasdites s’do të ketë ujë”, ka thënë Xhafa.
Duke folur për rrjetet e furnizimit, Xhada ka thënë se problematikë është edhe infrastruktura, pasi që ende nuk është bërë ndërrimi i rrjeteve në tërësi dhe se për këtë kërkohet shumë investim.
“Deri tani kemi ndërruar një mori të rrjetave. Ne i mbulojmë 8 komuna, diku 2.200 kilometra të shpërndarjes që është shumë. Në sezonin e verës kur konsumi është i madh, lëvizjet e presionit nëpër rrjete ndodhin shumë shpesh. Në disa zona detyrohemi të ulim presionin derisa kur të gjithë pushojnë(gjatë natës), lëvizjet e presionit nëpër rrjete rriten”
Sipas Xhafës, problematike janë ndërtimet e shumta në kryeqytet pasi që infrastruktura “nuk është e gatshme për të gjitha këto ndërtime”.
“Liqenet janë në nivele të mira, kapacitetet i kemi rritur por nuk mjaftojnë derisa infrastruktura nuk është paralel me zhvillimet urbane”