Arbëri

Një pjesë e pensionistëve ankohen se nuk i morën 100 eurot e premtuara nga Qeveria

Një pjesë e pensionistëve nuk i kanë marrë shtesat e Qeverisë në vlerë prej 100 euroshe, disa të tjerë i morën vetëm nga 70. Nga Shoqata e Pensionistëve kanë kërkuar sqarime nga Ministria e Financave, mirëpo nuk kanë marrë përgjigje, as ata e as KOHA në pyetjet e saj

Rasim Spahija nga Ferizaj nuk e përfitoi shtesën prej 100 eurove si pensionist që është.

Më 7 dhjetor të vitit të shkuar e pati afatin e fundit për lajmërim të rregullt në zyrat pensionale për vazhdimin e pensionit, por qëlloi i shtrirë në spital.

Ai u lajmërua me disa ditë vonesë dhe më 15 janar atij iu alokuan vetëm paratë e pensionit të rregullt, jo edhe shtesat.

“Jam lajmërua me datën 14, kurse pensionet i kanë qit me 15-in, mua nuk ma kanë qit pensionin, as shtesat e as pensionin. Tash në janar që i kam marrë për dhjetor, i kom marr 2 pensionet menjëherë , kurse shtesat e pensionit që janë premtuar nga 100 euro nga ministria, ato nuk i kanë qit hiç”, tha Spahija.

Spahija tha se është ankuar në Shoqatën e pensionistëve dhe në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, por pa sukses.

“Harxhime po kam shumë, barna, kontrolle të mjekut dhe nuk di çka të bëjë. Ata i kanë premtu nga 100 euro krejtve e pse i kanë ndal një pjese nuk e di. Unë e di se jam lajmëruar me vonesë por në janar është dashur më i leshu këto 100 euro shtesë”, tha Spahija.

Sipas udhëzimit administrativ në fuqi, pensionistët duhet të paraqiten fizikisht çdo gjashtë muaj në zyrat përkatëse.

E në Shoqatën e pensionistëve të Kosovës thanë se ka edhe raste kur pensionistëve u kanë dalë nga 70 euro shtesë, jo 100 sa premtoi Qeveria.

Kryetari i kësaj shoqate, Njazi Gashi, deklaroi se të gjitha ankesat e pensionistëve janë proceduar në Ministrinë e Financave.

“Ende Qeveria nuk e ka një qëndrim të qartë dhe nuk u ka dhënë informacione as pensionistëve dhe as neve se si do të bëhet kompensimi për këtë shumë. Disave ia kanë aloku 70 e disave 100 dhe këtyre që ia kanë aloku vetëm 70, nuk kanë shpjegim pse këta i kanë 70 e të tjerët 100. Mendoj se është një padrejtësi që duhet të sqarohet”, tha Gashi.

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS lidhur me vërejtjet e pensionistëve.

Më 13 dhjetor 2023, Qeveria mori vendim për ndarjen e shtesave prej 100 eurove për të gjithë fëmijët deri në 16 vjeç, si dhe për pensionistët.