Një panel prej katër ekspertësh shqiptarë me temë diskutimi për gjeopolitikën dhe gjeoekonominë e Ballkanit Perëndimor, do të organizohet nga Universiteti prestigjioz i Harvardit.
Diskutimi “Ballkani Perëndimor në një peizazh global të trazuar: Perspektiva gjeopolitike dhe gjeoekonomike” do të mbahet në “Davis Center for Russian and Eurasian Studies” në Universitetin e Harvardit në SHBA më 5 mars, nga ora 18:00 deri në 20:00.
Paneli do të përfshijë: Dr. Albana Shehaj, politologe dhe menaxhere e programit në Minda de Gunzburg Center for European Studies, Dr. Albulenë Kastrati – profesore asistente e ekonomisë në Bridgwater State University, dhe eksperte në bankingun qendror, Dr. Flora Ferati-Sachsenmaier – bashkëpunëtore kërkimore në Weatherhead Research Cluster on Identity Politics dhe Taiwan Peace Fellow, dhe Dr. Pëllumb Çollaku (organizator) – studiues vizitor fulbright në Davis Center for Russian and Eurasian Studies në Universitetin e Harvardit, bashkëpunëtor kërkimor në CERGE-EI Foundation dhe bankier qendror.

Sipas njoftimit të organizatorëve, diskutimi do t’i analizojë dinamikat e ndryshueshme gjeopolitike dhe gjeoekonomike të Ballkanit Perëndimor, duke shqyrtuar ndarjet kombëtare, aleancat në ndryshim dhe sfidat e rajonit përballë pasigurive globale.
Panelistët do të diskutojnë lidhjet e Ballkanit Perëndimor me fuqitë perëndimore, luftën hibride të Rusisë dhe ndikimin e investimeve ruse dhe kineze në skenën politike dhe ekonomike të rajonit.
Diskutimi do të theksojë gjithashtu varësitë ekonomike, trendet tregtare dhe investimet, duke nënvizuar nevojën për qëndrueshmëri dhe bashkëpunim rajonal.
“Duke qenë se Ballkani Perëndimor përballet me sfida të shtuara gjeopolitike, ky diskutim synon të ofrojë analiza të thelluara dhe të propozojë strategji për sigurimin e një stabiliteti afatgjatë dhe një prosperiteti ekonomik në këtë rajon me rëndësi strategjike”, thuhet në përshkrimin e ngjarjes.