Bojkoti

Një numër projektligjesh dhe amendamentesh, peng i deputetëve serbë

Nisma ligjore për ta hequr Ditën e Evropës nga kategoria e festave kur pushohet ka mbetur peng i deputetëve serbë. Shkaku i bojkotit të Kuvendit nga Lista Serbe kanë mbetur pa u miratuar shumë ligje të kategorisë së interesit vital, si dhe një numër amendamentesh kushtetuese

Për shkak të bojkotit të deputetëve të komunitetit serb në Kuvend, ka tre vjet që ndryshimet e iniciuara në Projektligjin për Festat Zyrtare nuk janë bërë. 

Përmes këtij projektligji që konsiderohet me interes vital, deputeti i grupit multietnik, Fridon Lala, pati propozuar që kalendarit të festave zyrtare t’i shtohet edhe Dita memoriale e egjiptianëve, ndërsa deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, pati dhënë propozim në seancë që nga kalendari i festave kur pushohet të hiqej “Dita e Evropës”.

Por asnjëri e as tjetri ndryshim nuk u bë, meqë për miratim të tyre nevojitet vota e shumicës së përgjithshme të deputetëve dhe vota e shumicës së deputetëve të komuniteteve pakicë.

Këtë bojkot të ligjvënësve të Listës Serbe e vlerëson si diskriminues deputeti Lala.

“Është një veprim diskriminues për shkak se ata po e shfrytëzojnë një të drejtë kushtetuese të tyre për t’ia mohuar një të drejtë tjetër kushtetuese një grupi tjetër etnik që jeton në Kosovë”, ka thënë Lala.
Pos projektligjit për festat zyrtare, peng i votave të deputetëve serbë ka mbetur edhe projektligji për lirinë fetare në Kosovë dhe ai për arsimin e lartë, si dhe disa amendamente kushtetuese që kanë të bëjnë me vettingun në drejtësi dhe me një konventë për personat me aftësi të kufizuara.

Profesori i Juridikut, Mazllum Baraliu, ka thënë se i gjithë ky obstruksion nga Lista Serbe bëhet për shkak të dirigjimit nga Beogradi.

Këtë sjellje ai e cilëson antikushtetuese dhe thotë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të ndërmarrë veprime ndaj Listës Serbe.

“As Kushtetuta e as ligjet me interes vital që janë të parapara me kushtetutë, nuk po ndryshohen dhe nuk po plotësohen për shkak se po bëhen obstruksione, pengesa, veto, të LS-së dhe përgjithësisht Beogradit i cili po instrumentalizon dhe po teledirigjon me këta njerëz të kësaj partie politike, e cila tashmë mbase do të ishte dashur të çregjistrohej nga lista e partive politike”, ka deklaruar Baraliu.

Deputetët serbë ka mbi një vit e gjysmë që bojkotojnë tërësisht institucionin e Kuvendit të Kosovës dhe aty paraqiten çdo 6 muaj sa për t’u nënshkruar në mënyrë që t’i ruajnë mandatet.