Është një prej shërbimeve më delikate të Qendrës Klinike Universitare.
Ortoprotetika, në vitet e para të pasluftës, ka qenë një prej shërbimeve që kishte përfituar nga një sërë donatorësh, shkaku që shumë ish-ushtarë e civilë, kishin nevojë kryesisht për proteza të gjymtyrëve, raporton KTV.
Gjithashtu, ishte investuar edhe në përgatitjen dhe trajnimin e stafit ekzistues dhe punonjësve të ardhshëm.
Por, që nga ajo kohë, ky shërbim ka mbetur në harresë dhe, përveçqë shumë herë ka pasur mungesë të materialit bazë për prodhimin e protezave, tani funksionon me teknologji që mund të konsiderohet e vjetruar.
Në Qendrën e Kompetencës në Ferizaj, teknologji dukshëm më e avancuar, është duke qëndruar kot.
Kjo qendër ishte një prej donacioneve të LUXDEV, agjenci e qeverisë së Luksemburgut, pasi kishte nxjerrë dy gjenerata të ortoprotetistëve dhe profili i tillë, tash e dy vjet, është pezulluar.
Shërbimi i Ortoprotetikës, duke i parë këto rrethana, kishte bërë një kërkesë në Ministrinë e Arsimit, që teknologjia të bartet nga Ferizaj në qendrën e tyre në Prishtinë dhe një kërkesë e tillë, është mirëpritur edhe nga drejtues në Qendrën e Kompetencës.
Në Ministrinë e Arsimit thonë se të gjitha palët, përfshirë donatorin, janë pajtuar që teknologjia të bartet në Prishtinë.
Megjithatë, marrëveshja, për arsye administrative, mbetet e panënshkruar.
Me marrëveshjen ende të panënshkruar, të cilën e ka parë KTV-ja dhe mban vitin 2018, është paraparë që të diplomuarve nga Qendra e Kompetencës, t’u jepet përparësi për praktikë dhe punësim në shërbimin e Ortoprotetikës.