Arbëri

Një muaj paraburgim për dy të arrestuarit nga protestat në veri

Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar se është caktuar masa e paraburgimit për një muaj për dy persona të cilat janë arrestuar gjatë përleshjeve veri të vendit.

Gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se kërkesa e Prokurorit të Shtetit për caktimin e paraburgimit është e bazuar, ngase ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit R.P dhe D.O kanë kryer vepra penale.

“Gjykata Themelore në Prishtinë-Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve R.P dhe D.O për shkak të dyshimit të bazuar se kanë bashkëkryer veprën penale ‘Bashkimi për veprimtari kundër kushtetuese me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës’, nga neni 127 paragrafi 2 lidhur me nenin 114 paragrafi 2 dhe nenin 31 të KPRK–së, ‘Rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare’, nga neni 167 paragrafi 3 lidhur me nenin 31 të KPRK –së, ‘Sulmi ndaj personit zyrtar’ nga neni 402 paragrafi 5 lidhur me paragrafin 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së dhe veprën penale ‘Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi’ nga neni 404 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, ka bërë të ditur Gjykata Themelore.

Tash e tri ditë në komunat veriore po vazhdojnë protestat e serbëve, të cilët po kundërshtojnë kryetarët e zgjedhur shqiptarë në zgjedhjet e mbajtura më 23 prill.

Të hënën, protestuesit, disa prej tyre me maska, kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar vetura të mediave, duke e djegur tërësisht veturën e një televizioni.

Si pasojë e protestave të dhunshme janë plagosur 30 ushtarë të KFOR-it.