Abaz Beqiraj nga fshati Baballoq i Deçanit është ndaluar të dielën (27 mars) në kufirin Hungari-Serbi, derisa po kthehej nga Gjermania, ka njoftuar kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj.
Ai i tha KOHËS se Beqiraj është ndaluar rreth orës 11:00 nga autoritetet serbe.
“Ai ishte duke u kthyer nga Gjermania. U ndalua në kufirin Hungari-Serbi, nën pretekstin e tyre (Serbisë) se e ka një dënim të papaguar. Kjo nuk është absolutisht e vërtetë. Abazi nuk ka udhëtuar për në Gjermani tash e 15 vjet”, deklaroi Ramosaj.
Për këtë rast ka reaguar edhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, duke thënë se janë të informuar për rastin dhe Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Beograd ka vendosur kontaktin me autoritetet atje.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është informuar nga mediat që sot, në kufirin Hungari-Serbi, autoritetet serbe mund të kenë ndaluar një qytetar të Republikës së Kosovës. Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Beograd ka vendosur tashmë kontaktin me autoritetet serbe në përpjekje për të sqaruar rrethanat. Do t'ju mbajmë të informuar rreth detajeve”, thuhet në njoftimin e MPJD-së në Facebook.