Një komision i Ministrisë së Shëndetësisë ka vendosur precedent, duke ua mundësuar autoriteteve publike të kontraktojnë kompani të palicencuara për të ofruar shërbime shëndetësore.
Disa komuna kanë kontraktuar kompaninë farmaceutike “Kosova Med” për ofrimin e shërbimit paliativ. Por Inspektorati Shëndetësor ia ka ndërprerë ofrimin e këtij shërbimi për rastet e rënda që institucionet publike nuk mund t’i trajtojnë.
Bazuar në vendimin e Inspektoratit, kompanitë farmaceutike nuk kanë licencë për ofrimin e shërbimeve.
Por Komisioni i Ankesave i Ministrisë së Shëndetësisë e ka vendosur të kundërtën, duke i dhënë të drejtë kompanisë. Sipas Komisionit, Inspektorati ka bërë konstatim të gabuar të gjendjes faktike dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale.
“Komisioni për shqyrtimin e ankesave kundër vendimit të Inspektoratit Shëndetësor pranë MSH-së ka shqyrtuar ankesën e parashtruar nga Kastriot Asllani, drejtor i përgjithshmen i ‘Kosova Med Health Care’ për shkak të konstatimit të gabuar të gjendjes faktike dhe zbatimi të gabuar të së drejtës materiale”, thuhet në vendimin e Komisionit të Ankesave.
Sipas Komisionit, neni 18 i Ligjit për Shëndetësi ua jep të drejtën kompanive të ofrojnë shërbimet që i kanë kontraktuar. Ligji parasheh bashkëpunim të institucioneve publike me institucione e organizata, por jo edhe me kompani.
“Me qëllim të rritjes së cilësisë së shërbimeve shëndetësore, institucionet në nivel parësor të kujdesit shëndetësor do të sigurojnë bashkëpunimin ndërsektorial me shërbimet e mirëqenies sociale, me shërbimet edukativo-arsimore dhe organet e sigurisë publike, me organizatat e veçanta profesionale, si dhe me organizatat humanitare qeveritare e joqeveritare”, thuhet në Ligjin për Shëndetësi.
Në Ministrinë e Shëndetësisë konfirmuan se kompania farmaceutike nuk ka asnjë lloj licence për ofrimin e shërbimeve shëndetësore.
“Ju njoftojmë se ligjërisht distributorët farmaceutikë nuk janë institucione shëndetësore. Këto institucione paraprakisht regjistrohen si biznese në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve dhe pastaj licencohen nga AKPPM-ja”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim në MSH.
Në Ministri thanë se një trupë ekspertësh po e trajton vendimin që i ka dhënë të drejtë një kompanie të palicencuar të ofrojë shërbime shëndetësore.
“Ministria e Shëndetësisë ka kërkuar nga ekspertë mendime profesionale, si dhe është duke marrë opinione nga institucionet kompetente që sponsorizojnë ligjet respektive, ku me këto opinione do të njoftohet Komisioni i ankesave”, thuhet tutje në përgjigje të kësaj zyre.
KOHA ka dërguar pyetje te Komisioni i Ankesave, Inspektorati Shëndetësor e kompania farmaceutike, por nuk ka marrë përgjigje nga asnjëra prej këtyre palëve.