Komuna e Podujevës ende nuk ka lidhur kontratë me operatorët ekonomikë për bartjen e rreth 400 nxënësve të kësaj komune nëpër shkolla. Për pasojë, nxënës të një klase në shkollën “Zahir Pajaziti” në Orllan e kanë bojkotuar mësimin. Në Drejtorinë për Arsim thanë se vonesat në lidhjen e kontratës u shkaktuan nga procedurat e prokurimit. Ndërkaq e bënë zotimin se zgjidhje këtij problemi do t’i bëhet që nga java e ardhshme
Më se 400 nxënës të 13 lokacioneve të Komunës së Podujevës kanë mbetur pa transport, pasi autoritetet komunale ende nuk kanë lidhur kontratë me operatorë ekonomikë për bartjen e tyre nëpër shkolla.
Për pasojë, nxënës të një klase në shkollën “Zahir Pajaziti” në Orllan nuk janë duke e vijuar mësimin. Prindërit e këtyre nxënësve dhe kryetari i Këshillit të Prindërve të shkollës, Ilaz Halili, nuk pranuan të flasin lidhur me çështjen, me justifikimin se kanë marrë premtim nga Komuna që deri të hënën do të bëhet një zgjidhje.
Drejtori për Arsim në Podujevë, Avni Fetahu, ka thënë se nënshkrimi i kontratës është vonuar shkaku se operatori ekonomik i zgjedhur si fitues me çmimin më të lirë, nuk e ka sjellë dokumentacionin përkatës.
“Është afër të bëhet zgjidhja e këtij problemi. Ose të kalohet te kompania tjetër, ose të lidhet kontrata me kompaninë që ka ofertuar me çmimin më të ulët dhe të vazhdohet bartja e këtyre nxënësve. Përndryshe, ne që nga muaji qershor kemi iniciuar procedurat e prokurimit”, ka thënë Fetahu.
Fetahu ka theksuar se krahas atyre të një klase në Orllan, nxënës të tjerë janë duke e vijuar mësimin.
“Me përjashtim të Shkollës së Orllanit, që kam informata se kanë bërë ndërprerjen për një klasë të caktuar, jo për të gjithë, më ka gëzuar fakti që nëpër shkolla të tjera operatorët ekonomikë që kanë vepruar vitin e kaluar, që kanë pasur marrëveshje-kontratë me Komunën, në mënyrë vullnetare i kanë bartur ata nxënës dhe ky fakt më ka gëzuar”, ka deklaruar ai.
E në rast se bojkotimi i mësimit vazhdon, drejtori i shkollës “Zahir Pajaziti”, Naim Bajrami, ka paralajmëruar se do të detyrohet të ndërmarrë masa.
“Unë e kam thirrur një mbledhje me prindër dhe iu kam thënë se fëmijët duhet t’i sjellin në shkollë, sepse është obligim ligjor. Nëse vazhdojnë kështu, detyrohem edhe të ndërmarr masa, siç parashihet me ligj. Për orët e humbura do të bëjmë një plan me orë plotësuese e aktivitete të ndryshme që të kompensojmë ato që mundemi”, ka thënë Bajrami.
Transporti nuk është siguruar as për nxënësit me nevoja të veçanta. Por drejtori Fetahu ka theksuar se përveç ndonjë rasti individual, shumica e tyre janë duke e vijuar mësimin.