Arbëri

Një jetë me vegun

Nëna Ajshe është 82 vjeçe. Grua e fortë e Dukagjinit që jeta e ka sprovuar me përgjegjësi e situata nga më të vështirat. Puna e saj shtatëdekadëshe me veg ka siguruar mirëqenie për familjen e saj, shkollim të fëmijëve e po i mban të gjalla elementet më të sofistikuara e të veçanta të veshjes tradicionale të Dukagjinit – lidhësen e maramën. Pasardhëset e saj dëshiron që t’i shfrytëzojnë mundësitë e shkollimit që ajo nuk i ka pasur

Nëna Ajshe i thur penjtë e hollë të mëndafshit të bardhë e ngjyrash të ndryshme pasteli, fije për fije duke ndjekur yrnekë të komplikuar, për çdo ditë në vegun e saj në kullën historike të Osdautajve në Isniq. Ajo është 82 vjeçe. Grua e fortë e Dukagjinit që jeta e ka sprovuar me përgjegjësi e situata nga më të vështirat. Me punën e saj shtatëdekadëshe ka siguruar mirëqenien e familjes së vet, ka shkolluar fëmijët e po mban të gjallë elementet më të sofistikuara e të veçanta të veshjes tradicionale të Dukagjinit – lidhësen e maramën. Veshja që ka edhe elemente të tjera, ndonëse nuk është bërë përpjekje të futet në listë të trashëgimisë së mbrojtur nga UNESCO, ruan më vete tiparet e prejardhjes shqiptare. Lashtësisë së vendësve pa ndikimet e pushtuesve shekullorë të këtyre trevave.

Image

Nëna Ajshe është më e moshuara në familjen gjashtanëtarëshe që ka privilegjin të jetojë në kullën e vetme katërkatëshe në Kosovë, një prej objekteve që mbrohet me ligj për rëndësinë historike që ka. Aty në prill të vitit 1910 nën udhëheqjen e Isa Boletinit u mbajt Kuvendi i parive në të cilin u vendos për fillimin e kryengritjes kundër Perandorisë Osmane dhe për Lidhjen e Besës te Verrat e Llukës. Është kullë që i ka mbijetuar luftës së fundit në Kosovë dhe sot në katin e tretë të saj 82-vjeçarja ruan traditën.

Vegun e ka në dhomën e gjumit. Shkallët e ngushta e të rrëpira i ngjet e zbret për ditë.

“Vij, shkoj, qetu në të tretin kat, qetu punoj. Prej 2000 e këndej punoj këtu. Përpara lufte kam punuar poshtë, e kam lënë vegun kur jemi dalë në luftë, me ik prej këtu. E kam lënë vegun qeshtu. Edhe s’e kish pasë prek kërkush. As fytza, as harqe, as kurrgjë nuk ka prekur askush”, tregon Ajshja teksa rri ulur në veg. Dhe vazhdon, meqë, siç thotë pas luftës është shtuar interesimi për blerjen e thurjeve të saj. Qilari i saj i freskët ka një dritare të vogël kullash, dy divan, ormanin, një tavolinë të vogël dhe vegun. Në mur të varura disa fotografi. Në njërën nga to shihen nëna Ajshe dhe një grua.

“Kam punuar me motrën teme. 20 vjet kemi nejtë bashkë, tani u nda. Sa kemi qenë bashkë ajo i ka bë punët, unë kam punuar në veg, nuk jam dalë prej vegut kurrë. Veç kam punu”, tregon me mallëngjim për kohët e shkuara të punës që bënte me motrën, që e kishte edhe kunatë.

Mjeshtëria që do përkushtim

Për shkak të moshës dëgjimi është dobësuar, por duart e saj vazhdojnë që me shkathtësi precize të thurin punime të ndryshme, punë që e mësoi qysh në moshën 13-vjeçare.

“Më ka mësu një gru e migjes me punu në veg. Ma ka vnu vegun, m’i ka bo gati penjtë e ma ka vnu vegun dhe unë s’ja kom “da” (ndërpre) më. Këtu, në këtë veg janë punu qilima, sixhade, dikica, jastëk bëjshim rreth e rreth dhomës”, kujton ajo duke thënë se në atë kohë familja e saj e kishte fejuar.

Etnologu Fahri Sheqiri tregon për traditën e bartjes së këtij zanati brez pas brezi.

“Është një mjeshtri që do përkushtim. Është zanat i veçantë, jo secila grua ka mundu të punojë në veg. Është dashtë të jetë shumë profesioniste, ta mësojë zanatin nga më të moshuarat e kështu më radhë është përcjellë kjo traditë brez pas brezi”, vlerëson Sheqiri.

Sipas 82-vjeçares, puna me veg ka qenë ndryshe në kohën kur është martuar. Punimet e bëra, siç thotë ajo, janë bërë me pëlhura më të trasha se tani.

“Kur ia kam nisë vegut mas pari kam vnu pëlhurë të trashë i thoshin atëherë, prejshin pizhama të gjata për burra. Atëherë është dashtë me i bë pëlhurat e trasha, që më i bë edhe çarçafët, pëlhurat. Rend kanë qenë ata vegjët, i bojshe në çejz, i bojshe pesë këmisha, qato këmisha i kishe, më s’mujshe me ble, as me bë kurrgjë. Veç bën punë të shpisë e këqyri fëmijët, rriti fëmijët, tjetër gjë s’kemi bërë”, shprehet nëna Ajshe. Tutje shton se me atë punë “çejzi” janë martuar dhe për vite nuk kanë pasur veshmbathje tjetër.

Zejen e punës me veg, nëna Ajshe thotë se e ka bërë gjithmonë me pasion e pa përtesë. Tregon se ka pasur motiv të fortë.

“Unë vegun tana herët e kam dashtë se më ka mbajtë gjallë. S’ka bë “lazëm”, kurrë kërkujt nuk i kam thënë “gjemi pak pare hua”, veç i kam pasë të miat tana herët. I kam mbajtë, i kam rritë fëmijët me veg”, rrëfen ajo.

“Edhe sot jam plakë, 82 vjet i kam, nuk më bëhet monoton vegu hiç. Nuk më bëhet monoton puna e dorës hiç, veç punoj”, shprehet me plotë zë për dashurinë ndaj punës së saj shtatëdekadëshe.

Vegu si mjet i punës është mjaft i hershëm, ndonëse për të nuk është e përcaktuar ndonjë periudhë se kur ka filluar të përdoret në traditën shqiptare. Ndërsa për origjinën e mjetit etnologu Fahri Sheqiri thotë se është vështirë e definueshme.

“Është pjesë e traditës sonë. Tash origjina e tij nuk mund të them se është vetëm shqiptare, është pjesë e kulturave të ndryshme të cilat pastaj edhe shqiptarët i kanë trashëguar ose i kanë trashëguar brez pas brezi. Por është një mjet që është përdorur shumë në trojet shqiptare, edhe përdoret, edhe sot për më pak”, ka thënë ai.

Vegu është mjet i bërë nga druri dhe shërben për punime të tekstileve të ndryshme. Etnologu Sheqiri tregon për përbërjen e tij.

“Është i thjeshtë ndoshta në pamje, por puna e tij është mjaft e komplikuar. Do të thotë punohet nga druri, i ka ato pjesët e vegshit, është shpata, janë leqet, janë drugëzat të cilat kanë shërby për endjen e fijes edhe kështu pjesët e tjera të vegut”, tregon etnologu. Ai shton se në veg punohet kryesisht me fije të leshit dhe pambukut.

Për procedurat e punës së saj, nëna Ajshe bën një shpjegim, ndonëse është vështirë e kuptueshme pa e praktikuar. Ajo rrëfen procedurën për të thurë një maramë, punimin më të shpeshtë të saj.

“Kjo është bërdila që punoj këtu, këta janë leqe, leqet që i ndërron këmbët, e ato poshtë janë nërskomca, këto janë skripca, skripca të vegut, në të dyja këto mbahen leqet. Në këta leqet vendosen skripca...” përpiqet të shpjegojë 82-vjecarja. Ajo tregon se penjtë i bën në Gjakovë kur del bashkë me djalin Haxhiun.

Image

Përveç veshjeve, nëna Ajshe së bashku me motrën e saj ka punuar edhe qilima. Dy nga qilimat me ngjyre të kuqe e me detaje me ngjyrë të zezë janë të shtruar në odën e godinës katërkatëshe. Etnologu Sheqiri tregon se qilimi është bërë nga leshi në lloje të ndryshme dhe motive për ta dekoruar sipërfaqen.

“Kemi lloje të ndryshme të qilimave, të cilët janë përdorur në treva të ndryshme të Kosovës. Kanë motive të ndryshme, duke filluar nga ato gjeometrike, florale, zomorfe e të tjera. Do të thotë motivet të aplikuara në qilima janë nga tradita jonë e lashtë të trashëguara nga periudhat ilire e deri në periudhat e mëvonshme”, tregon Sheqiri.

Krahasuar me ditët e sotme, nëna Ajshe thotë se ka punuar më shumë në të kaluarën.

“Ma shumë ka pasur atëherë. Dhjetë marama i bëjsha për një javë ditë, dhjetë marama atëherë. Vetëm kanë qenë më të kollajta me i punu. Dhjetë marama. U shitke një maramë në atë kohë ka 100 euro, 100 marka”, fillon e mendohet dhe kërkon ndihmë për të thënë valutën e saktë të asaj kohe.

Fahri Sheqiri tregon se veshjet tradicionale ose popullore janë të punuara në shumicën e rasteve me veg. Siç thotë ai, veshjet e tilla duhet të promovohen më shumë dhe të bëhet përpjekje që të futen nën mbrojtjen e UNESCO-së siç është xhubleta. Etnologu tregon se veshjet tradicionale kanë motive që tregojnë për lashtësinë si popull, komb dhe kulturë.

Veshja që tregon për kulturë të lashtë

“Veshjet e Dukagjinit janë ndoshta ndër veshjet më të bukura të tre[1]vave shqiptare, kanë ngjyrat e aplikueshme, siç janë ngjyra e zezë dhe e bardhë e të qëndisura bukur me një fije të ndryshme, fija e zezë zakonisht dominon. Dhe besoj që këto i përçojnë mesazhet se populli shqiptar ka trashëguar një kulturë të lashtë që nga periudhat e hershme dhe është bartur deri më sot”, ka thënë ai.

Sipas etnologut Sheqiri, në të shkuarën me punën në veg është siguruar mbijetesa në familjet shqiptare. E për ditët e sotme, druhet se ky zanat do të mbijetojë.

“Në ditët e sotme mund të themi se kjo zeje veç ndoshta është në shuarje e sipër, por që do të duhej që kjo të rikthehej si traditë e vjetër, sepse është mjaft interesante dhe mbresëlënëse. Do të thotë punëdore që kanë kurajë ta kenë ose si eksponate, ose si pjesë të dekoreve të tyre në familje të ndryshme”, u shpreh etnologu.

Puna dhe forca e nënës Ajshe kanë bërë që të jetë shembull për mbesat e saj. Doresa, vajza e Haxhiut, djali i 82-vjeçares, ndan dhomën e gjumit së bashku me gjyshen dhe thotë se punimet e saj i ka pëlqyer gjithmonë.

“Jam krenare shumë me gjyshen tem që e punon këtë punë dhe gjithë ka me qenë krenare që e punon. Edhe tash kur ka punu kjo mua gjithë më ka pëlqy. Punimet e saj janë tepër të pëlqyera te çdokush edhe gjithkush më pyet për të se qysh e punon ashtu e kështu, por janë tepër të mira”, tregon Doresa që është në klasën e shtatë, teksa nëna Ajshe punon me veg.

E me kalimin e viteve, ndryshoi edhe koha që nëna Ajshe i kushtonte një punimi për një shallë e marhamë.

“Qetash për dy javë ditë i maroj qeto shalla e maramë. Për dy javë ditë i maroj shallë e maramë. E atëherë i marojsha për pesë ditë shallë e maramë. Në atë kohë kur kam qenë e re. E tash prej të 2000 e këndej veç ka një shallë e maramë për dy javë ditë. Ka 250 euro i shes. I lypin valla sa të maroj, sa kam maru m’i kanë lypë”, krahason kohën e punës në shtatë dekadat.

Për të mbajtur këtë zanat ende në kulturën shqiptare etnologu Sheqiri vlerëson se duhet të rritet mbështetja institucionale dhe të promovohet sa më shumë në mënyrë që të zgjohet kureshtja nga të rinjtë.

“Unë mendoj që duhet shteti të mendojë për këtë punë. Zanatet e vjetra siç janë vegu, artizanate të tjera të ndryshme duhet shteti t’i stimulojë dhe të gjejë kurajë që kjo traditë të trashëgohet edhe për brezat e ardhshëm”, ka thënë Sheqiri.

“Punët e burrit”

Punën në veg, nëna Ajshe nuk e ka bërë vetëm në kullën e familjes në fshatin Isniq. Gjatë verës, si shumë familje të anës së Dukagjinit, ajo së bashku me bashkëshortin kanë shkuar në bjeshkë për t’i kullotur bagëtitë.

“Kur e kisha atëherë burrin shnosh, i kemi pasur lopë e dhen. Shkojshim në bjeshkë, e merrke këtë veg e shkatërrojke krejt, e ngarkojke kali edhe e çojke në bjeshkë. I merrsha këto marhamat, i mlojsha në bjeshkë, i vnojsha në stan maramat. Kam punu në stan tërë verën, tërë verën kam punu dhe kur jam ardhë prej bjeshke i kam shitë”, kujton ajo.

Gjatë qëndrimit në stanin e tyre, ajo thotë që përveç punës në veg ka bërë edhe punët e tjera, duke u kujdesur për bagëtinë, por puna e dorës nuk ishte lënë anash asnjëherë.

Ndërsa për shitjen e thurjeve të saj në disa raste e deri në një kohë është përkujdesur bashkëshorti i saj.

“Tana herët janë ardhë qetu i kanë marrë më përpara kaherë. Kur ia kom fillu ma së pari i çojke burri jem në Pejë, i shitke. Tani më vonë tana herët janë ardhë i kanë porositë këtu. Vijnë i porositin qysh dojnë me ia bë, ja u bëj”, rrëfen nëna e gjashtë fëmijëve.

Disa vjet pas martesës, bashkëshorti i Ajshes pësoi një aksident që e la atë të palëvizshëm. E gjithë barra e shtëpisë kishte rënë mbi supet e saj pak pa hyrë në të dyzetat.

Përveç kujdesit ndaj bashkëshortit e rritjes së gjashtë fëmijëve, ajo u kujdes edhe për punët e tjera të shtëpisë.

“Ktyneherë, kam punu tana herët në këtë veg. Kemi la shkallë, kemi bë punë, i kemi mbaru të gjitha punët, me hongër, me pi, bukë, të gatshëm me sene. I kam rritë fëmijët me këtë veg. Gjashtë fëmijë i kam pasë, kanë qenë të vegjël, i kam rritë të gjashtit me këtë veg i kam mbajtë”, thotë nëna Ajshe duke u menduar, teksa vazhdon e tregon se tani punon nga pak për nevojat e saj e për t’i gëzuar nipat e mbesat me ndonjë dhuratë.

Pas aksidentit të burrit të saj, nëna Ajshe për shkak të angazhimeve më të mëdha, ka mbajtur shënime të shitjeve në një fletore me katrorë të vegjël, me qëllim që të mos i harrojë. Me syze në sy e me fletore në dorë, ulur në veg tregon 17 faqet, me nga 5 rreshta të shkruar në mënyrë vertikale çmimet e shitjeve.

“Prej 1980 e këndej unë i kam shkruar qeto (për shitjet) e këndej. Qe ky rend, një, dy, tre, pesë renda këtu, një faqe. Qe e dyta faqe, një, dy, tre, katër, pesë. E treta faqe....”, vazhdon tregon disa faqe të fletores, ku janë shifra të ndryshme të shitjeve.

“Një djalë, të djalit të madh e kam, i kam thënë ‘nonë, një fletore e kam diku, e lypi e gjej’. I thashë ‘ki me mi bë hesap qa kom punu’”. Kur i kam tregu që kaq edhe kaq kom punu u çudit”, rrëfen Ajshja.

Shkrimin dhe leximin, për fat të saj e për dallim nga shumë vajza në atë kohë, ka arritur t’i mësojë në shkollë.

“Unë jam shku në shkollë gjashtë vjet kur i kam pasë e kam mësu katër klasë fillore, dy klasë gjimnaz, ma shumë s’kom. Atëherë mësojshim edhe serbisht, edhe shqip edhe sot i di shumë vjersha edhe serbisht s’kom harru”, thotë me një buzëqeshje krenarie për kujtesën.

Për nanën Ajshe, puna me veg është e veçantë, por ajo nuk ka dëshiruar asnjëherë që këtë zanat t’ua trashëgojë anëtarëve të ngushtë të familjes. Për të, puna me veg nuk është aspak e lehtë.

“Për këtë veg s’i them kërkujt puno qeshtu. Çka kom punu unë, nuk i them kërkujt se është punë e zorshme, veç unë e kam marrë në atë kohë zanatin edhe kam punu. Unë këtë zanat nuk ua kam dhënë as çikave, as rejave se është zanat i zorshëm. E veç unë kam pasë nerva me punu. Kam pasë nerva edhe sot punoj”, tregon Ajshja, që ka tri vajza e tri reja, teksa shton se personalisht ajo nuk e lë zejen e punës, sepse ka shitje ende.

Megjithatë “shoqja” e dhomës së gjumit të saj ka filluar të ketë simpati për punën me veg.

“Prejse kam qenë e vogël më ka pëlqy punimi i saj, edhe gjithë kam pasë qef me pa qysh punon, me punu edhe vetë. Kam qef me punu gjithë profesionin e gjyshes tem”, shprehet Doresa, gjersa nëna Ajshe në anën e majtë punon në veg dhe përcjell çka thotë mbesa saj.

Nëna Ajshe dëshiron që trashëgimtaret e saj t’i shfrytëzojnë mundësitë e shkollimit që ajo vetë nuk i ka pasur.