Arbëri

Një i ri po pretendon se iu thye dora nga një polic i Kosovës

Parkimi i veturës në afërsi të njërit prej objekteve të ATK-së në Prishtinë, në të cilën SH.B. ishte vetëm pasagjer, i ka kushtuar atij me një përplasje me një pjesëtar të Policisë së Kosovës, incident i cili përfundoi edhe me lëndime.

SH.B. po pretendon se atij i është thyer dora pas një konflikti që pati me një polic, i cili ditë më parë ishte duke bërë rojë afër objektit të ATK-së.

Më 17 mars SH.B., pasi me kërkesën e policit kishin larguar veturën e parkuar afër këtij institucioni, tentoi t’i kërkonte sqarime policit se përse nuk lejohej parkimi në atë zonë, dhe pas ftesës për të hyrë në korridorin e këtij institucioni, SH.B. po pretendon se u sulmua nga pjesëtari i policisë.

Në video, të cilën e ka xhiruar Sh.B. dëgjohet se si ai i kërkon policit që të ndalojë pasi po i shkakton lëndime.

E pasi rasti u paraqit në polici, avokati i viktimës thotë se ata e kanë paraqitur rastin edhe në IPK, pasi që dyshojnë se në këtë rast polici bëri tejkalim të kompetencave.

Ndërsa Policia e Kosovës tashmë ndaj Sh.B. ka hapur rast për armëmbajtje pa leje, pasi që atij i ishte gjetur dhe konfiskuar një boks i hekurit.

Policia përmes një përgjigjeje me shkrim, përveç konfirmimit të këtij rasti, ka bërë të ditur gjithashtu se Sh.B. ka paraqitur gjithashtu një ankesë ndaj zyrtarit policor, ankesë kjo e cila i është përcjellë IPK-së

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që tek i njëjti është gjetur dhe konfiskuar një boks i hekurit. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt. Personi në fjalë po ashtu në polici ka dhënë edhe një deklaratë, ku ka paraqitur pakënaqësinë e tij rreth sjelljeve të një zyrtari policor. E njëjta ankesë përmes rrugëve zyrtare është përcjellë në IPK”, thuhet nga zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti.

Ndërsa zëdhënësja e ATK-së, Valentina Bytyçi, përmes telefonit i ka thënë KOHËS se ATK-ja nuk ka asnjë informacion se në ndonjërin prej objekteve të saj ka ndodhur ky rast.

Koha ka pyetur edhe IPK-në lidhur me këtë rast dhe ankesën ndaj këtij pjesëtari të policisë, por nuk ka marrë përgjigje.