Arbëri

Një gruaje me oksigjenoterapi iu pamundësua që të udhëtonte nga Prishtina në Basel

Prej tri vjetësh, Fatime Kastrati nga Malisheva e ka frymëmarrjen të varur nga pajisja e oksigjenit. Është edhe shtetase e Zvicrës dhe në asnjë prej udhëtimeve të deritashme me avion, nuk i kishin bëtë problem për të.

Por, këtë fundjavë, ndonëse i kishte kaluar procedurat e kontrollit në Aeroportin e Prishtinës, është penguar të hyjë në avion.

Gruaja që ka probleme me mushkërinë nuk mundi ta rrëfente ngjarjen, por bashkëshorti i saj thotë se piloti i kompanisë nga Bullgaria “GP Aviation” ia ka pamundësuar hyrjen.

“Ne e kemi e gjithë dokumentacionin në rregull, aparatura është e Zvicrës dhe ka normë evropiane, pra aparati e ka dokumentin që kemi të drejtë në secilin portë dhe aeroplan të hipim. Ne këtu e kemi kaluar check-in, pastaj kemi kaluar në kontrolle kufitare pa asnjë telashe, kemi shkuar në aeroplan dhe te dera e aeroplanit ka dalë piloti dhe tha jo, nuk mund të hipni”, ka thënë Sylejman Kastrati, bashkëshort i Fatime Kastratit.

Kastrati thotë se ia ka prezantuar pilotit të gjitha dokumentet, që dëshmojnë edhe nevojën për ta mbajtur aparaturën e edhe që konfirmojnë se lejohet udhëtimi me të edhe në avionë.

Ai fajëson edhe kompaninë “Prishtina Ticket” në të cilën e kishte nxjerrë biletën, por edhe Aeroportin e Prishtinës.

“Unë do të bëj kallëzim penal për arsyeje se më duhet një vërtetim për hapat e mëtejshëm juridik, pasi që këtë aparaturë e jep shoqata apo bashkësia e njerëzve që janë të sëmurë nga mushkëritë, andaj ata e mbrojnë dokumentin e vet të cilin e kanë lëshuar. Nuk ka piloti me mua, ka punë me mua, por me bashkinë atje dhe i lutem të gjithë ata që kanë problem le t’i lajmërojnë atje”, ka thënë ai.

Valentina Gara, zyrtare për informim në Aeroportin “Adem Jashari”, tha se Aeroporti nuk ka të bëjë me këtë çështje dhe ka dhënë udhëzimin që pyetjet të drejtohen te kompania.

E, prej dy ditësh, as kompania “GP Aviation” dhe “Prishtina Ticket” nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS në lidhje me këtë rast.