Rrezet e diellit të fillimvjeshtës i përthyheshin fytyrës teksa i kërrusur largonte me pëllëmbën e dorës gjethet e thara të dushkut të përziera me dhé. Sakaq u shfaq një jakë, pastaj një mëngë. Filloi ta tërheqë më me forcë dhe nga dheu filluan të dalin copa të kacavjerrura të asaj që dikur duhet të ketë qenë një pallto e zezë, aso e moteve të acarta.
“Është palltoja e kunatës, Mihanes. Këtu afër saj ka qenë edhe palltoja e vajzës sime Menduhijes, po nuk qenka ma”, thotë Imer Deliu. Ai skelet prej palltoje u “zhvarros” në ditën e parë të këtij tetori, si shenjë e dëshmi ende e pazhdukur e një krimi të kryer para njëzet e dy vjetëve në Abri të Epërme të Drenasit.
Kishte edhe gjësende të tjera në atë lug mali, ku familja e Imerit shpresonte se kishte gjetur strehë nga granatimet e bombardimet e policisë dhe ushtrisë serbe, që i kishin detyruar të largoheshin nga shtëpitë. “Ja aty ka qenë varur një llambë dore, më andej ka qenë tenda ku kanë fjetur fëmijët, këtej një stufë ku janë ngrohur”, flet Imeri për gjësendet e “shtëpisë” ku për herë të fundit “banuan” njerëzit e tij të gjakut e të shpirtit.
Palltoja, llamba, stufa janë vetëm një prelud, një mbledhje force për Imerin, që të vazhdojë rrëfimin për vendet ku i ka gjetur trupat e gjymtuar të fëmijëve, bashkëshortes, nënës, vëllait, nipit, kunatave, hallës e familjarëve të tjerë më të largët. Rrafsh 23. Tymi i stufës besohet të ketë qenë sinjali që i solli aty skuadrat e vdekjes.
“Ja këtu e kam gjetur djalin e madh Jetonin, 10-vjeçar. Koka e tij ishte me shumë të çara, ndërsa në kraharor kishte një plagë të hapur. Dorën e djathtë e kishte nën kokë, ndërsa të majtën të shtrirë dhe në të i shkëlqente ora që tregonte kohën 05:49. I premtova me zë se orën e tij do ta mbaja gjithë jetën si kujtim”, rrëfen Imeri dhe nuk e fsheh dhimbjen për të birin e vrarë në atë ditë shtatori, me shi e mjegull. Jetoni ishte kufoma e shtatë që Imeri e kishte hasur gjatë rrugës nga Abria e Epërme deri te mali ku ishin strehuar familjarët e tij, e që ndodhet në fund të fshatit në afërsi të lagjes “Deliaj”. Të parin e kishte gjetur trupin e vëllait. Ademi kishte mbetur në shtëpi për ta vëzhguar gjendjen dhe forcat serbe e kishin vrarë para derës së shtëpisë.
{gallery}