Mbi ngjitjen në Majën e Gjeravicës më 21 shkurt 2023, shumë histori nga Dukagjini dhe mrekulli kosovare.
Tashmë nuk është lajm se cilësia e ajrit në Prishtinë është e keqe. Në një ditë të bukur si e marta e kësaj jave, ka shpresë kur në orën 06:30, duke braktisur kryeqytetin e Kosovës, shikon në horizont dhe përpara të shfaqet krejt panorama e kodrave kosovare me Gjeravicën dominuese dhe me 2656 metra lartësi mbidetare maja më e lartë e Kosovës që gjendet krejtësisht në territorin e Kosovës. Thonë se një majë tjetër është dy metra më e lartë se Gjeravica, por ajo gjendet pjesërisht në territorin maqedonas.
Me shikim të drejtuar nga alpet e Kosovës u nisëm bashkë me Sali Shoshin dhe Granit Temajn me ambicien për të pushtuar Majën e Gjeravicës. I shoqëruar nga këta dy alpinistë me përvojë, entuziastë të natyrës dhe lartësues të bukurive të vendit, asgjë nuk mund të dështonte të martën e cila për mua u shndërrua në njërën prej ditëve më të bukura dimërore kosovare.
Por para se të merrnim shtegun në këmbë, rruga nga Prishtina deri mbi Junik i ngjan një ecjeje nëpër topografinë e terrorit. Fshatrat e Kosovës qendrore dhe perëndimore kanë paguar çmimin më të tmerrshëm si pasojë e terrorit të shtetit serb në fund të viteve të 90-të. Mbase nuk ka urë ku policia serbe nuk ka vrarë apo keqtrajtuar një shqiptar. Ndoshta çdo i dyti fshat ka një listë civilësh të vrarë. Kujtimet janë të gjalla. Dhimbja për jetët e humbura përherë e madhe. Por shpirti i rebeluar i shqiptarit dhe shqiptares qëndron, gjallëron, mbijeton, ndërton dhe shpreson. Varret e viktimave nuk janë dëshmia e vetme e krimeve të regjimit serb.
Në fshatin Baballoq ende qëndrojnë shtëpitë e vogla të asaj që quhej “lagje refugjatësh”, e ndërtuar nga qeveria e Beogradit në vitet 90-të për të vendosur aty refugjatë serbë nga Kroacia. Meqë ky kolonizim i planifikuar nuk u realizua siç mendohej nga skenaristët e represionit mbi shqiptarët, në Baballoq u sollën sllavë (serbë e malazezë) nga Vrraka e Shkodrës. Kur u çlirua Kosova, ata ikën siç erdhën. Edhe në Junik regjimi serb kishte ndërtuar një lagje për kolonë. Historia i ka rrotulluar ashtu ngjarjet që kjo lagje sot e bart emrin e Agim Ramadanit.
Në Junik Bekim Gaxherri, i cili gjatë vitit ngjitet ndoshta nja 50 herë në Gjeravicë, na priti me zemër të hapur, me humor të mirë dhe me një palë kthetra për ngjitje në terrene të rrëshqitshme.
Lart mbi Junik, në një kthesë në mes të malit, lamë veturën dhe filluam ngjitjen. Në fillim rruga është e hapur nga makinat speciale për shtypjen e borës, nga vendi i quajtur Gropa e Erenikut ngjitja bëhet më sfiduese. Banorët e kësaj zone meritojnë një lavdërim të madh për kasollet e ndërtuara buzë alpeve: i kanë ndërtuar me shije, kryesisht me dru dhe gurë, kësisoj ato harmonizoheshin me natyrën. Çfarë dallimi me shëmtitë arkitektonike në Brezovicë!
{gallery}
Sa më lart që ngjiteshim, aq më shumë na shpërblente natyra e bukur e Kosovës. Duke u ngjitur në Gjeravicë shihet ndoshta gati krejt Kosova: liqeni i Radoniqit me sipërfaqe ngjyrë gurkali, Gjakova, Deçani, Prizreni dhe në horizont Luboteni mbi Ferizaj dhe vargu i kodrave të Sharrit. “Shihe Napolin dhe vdis”, ka shkruar më 1786 shkrimtari gjerman Johann Wolfgang von Goethe. Përkthyer në gjuhë alpine të vitit 2023 kjo domethënë: “Shih Kosovën nga Maja e Gjeravicës – dhe jeto”. Ishim nisur pak pas orës 09:00 për t’u ngjitur në Gjeravicë dhe rreth orës 14:30 një flamur i Kosovës që valonte krenar ishte dëshmia finale se gjendeshim në 2656 metra lartësi.
Zbritja, afërmendsh, ishte më e lehtë se ngjitja. Po i gëzoheshim një pauze te Grand Hotel Gjeravica. Restoranti përçonte atmosferën e një kasolleje alpine të Zvicrës, veçse me atë përzemërsinë dhe mikpritjen shqiptare që thjeshtë të lë pa fjalë. Natyrisht rrezikon një shikim të ashpër nga pronari nëse bën përpjekje të paguash tri birra. Sepse pronari e ka një hall tjetër: s’ndalet duke shprehur keqardhje që nuk i kemi treguar që do shkojmë andej sot, që të na organizonte transportin me një motor special për ecje mbi borë për një pjesë të shtegut.
Në restorant dominojnë turistë nga mbarë bota. Disa të rinj nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës po xhironin një spot për firmën amerikane “Nitro Snowboards”. Në Instagram kjo firmë i ka 383 mijë ndjekës! Gjeravica dalëngadalë po shndërrohet në top-destinacion për ski touring, pra për rrëshqitje me ski e snowboard jashtë pistave të shënuara. Mazën e këtij biznesi është duke e marrë një firmë kroate, e cila i sjell turistët nga mbarë bota në Gjeravicë dhe për një javë arkëton deri në 2500 euro për person. Vijnë këtu sportistë nga Islanda dhe Holanda, nga Amerika Latine dhe ajo Veriore, nga Britania e Madhe dhe vende të tjera.
Pas gati 10 orë ecje, pas 1200 metrash ngjitje, pas 18 kilometrave – dritën e ditës e zëvendëson terri. Por dita nuk mbaron me kaq. Në fshatin Nivokaz të komunës së Gjakovës na mirëpret Ali Alijaj, një burrë markant, me përvojë të gjatë në gastronomi në München të Gjermanisë. Ai ka themeluar distilerinë Vidasus. Aliun e kisha takuar vite më parë në një restorant në München dhe atëbotë po fliste me entuziazëm mbi erëzat e Kosovës dhe mbi potencialin e madh të rajonit të Dukagjinit për prodhimin e pijeve unike. Ideja e erëzave tashmë ka marrë formë dhe likeri e pije të tjera të prodhuara me shumë përkushtim nga Aliu po depërtojnë në tregun perëndimor. Nga ky biznes përfitojnë edhe banorët e fshatit Nivokaz dhe rrethinë. Këso suksesesh janë dëshmi e gjallë se si talenti i njerëzve të mërgatës së Kosovës kombinohet në mënyrë çudibërëse me të mirat e natyrës së Kosovës.
Dita nuk përfundon në Nivokaz. Një furrë buke në fshatin Hereç i josh kalimtarët e uritur me pula të pjekura. “Nuk i lëmë mysafirët të paguajnë”, tha një vajzë që e menaxhonte furrën. Këtu gjendeshim në zonën operative të Sali Shoshit. Kështu është Kosova. Bujari, mikpritje, dashamirësi e përzemërsi. Faleminderit Sali Shoshit dhe Granit Temajt për një ditë të mrekullueshme. Një ditë që nuk duhej të përfundonte kurrë. Dhe përfundoi rreth orës 23:00 në kryeqytetin e republikës.
Por para se të përfundonte dita, Sali Shoshi, nën tingujt e këngës “Del në shkallë”, një xhirim i Radio Televizionit të Prishtinës nga vitet 80-të, tregoi këtë histori. “Ky burri që po këndon me çifteli”, tha Sali Shoshi, “është Ismet Osdautaj nga Isniqi. E kjo gruaja që po shkon te burimi në oborr për të marrë ujë është Suzana Tahirsylaj. Është nëna e Era Istrefit”. Ismet Osdautaj, sipas Sali Shoshit, e kishte lënë këngën dhe çiftelinë në fund të marsit të vitit 1989. S’kishte kënduar më pasi më 28 mars 1989 policia serbe ia kishte vrarë në Deçan shokun e tij më të mirë, Agim Kuklecin. Më 28 mars 1989 në Qendrën Sava në Beograd udhëheqja politike e Serbisë po festonte heqjen e autonomisë së Kosovës, ndërsa në Kosovë mijëra njerëz po protestonin kundër regjimit represiv të Serbisë. Kosova, ndonëse e vogël me territor, ka aq shumë histori, saqë duhen shumë ditë për t’i rrëfyer të gjitha. Një ditë nuk mjafton.