Dragisha Milenkoviq, ish-gardian në burgun e Lipjanit dhe atë të Prishtinës, u nxor të hënën para trupit gjykues në procesin penal, ku akuzohet për krime lufte.
Ndaj tij dëshmuan dy ish-të burgosur politikë. Ata treguan për përjetimet në burgun e Lipjanit, pak ditë para çlirimit.
Avdi Mehmeti gjatë dëshmisë së tij, tha se Milenkoviqin e ka njohur që nga viti 1994, por dhunë ndaj tij ushtroi vetëm ditën kur u dërgua në Lipjan.
“Ndaj meje ka përdor dhunë, më së pari me shufrën e gomës më ka goditur në kokë më ka shtrirë përtokë dhe më ka goditur shqelma, nuk e di a ka qenë dikush mbrapa që ka ushtruar dhunë, por ky po”, ka deklaruar Mehmeti.
Njëjtë si dy dëshmitarët e seancës së kaluar, edhe Mehmeti tha se gardianët e burgut formonin një kordon me dy rreshta dhe në mes i detyronin të kalonin të burgosurit, të cilët i godisnin me shufra hekuri, gome, shqelma e grushte, madje edhe me kabllo të rrymës.
Mehmeti theksoi se Milenkoviqin, për të ushtruar dhunë e kishte urdhëruar ish-drejtori i burgut të Qarkut të Prishtinës, Ljubisha Çimburoviq. Prandaj, u shpreh i gatshëm të tërhiqet nga kërkesa pasuroro-juridike nëse i akuzuari pranon fajin.
E në sesionin e pasdites, dëshmoi Avni Klinaku, po ashtu ish-i burgosur politik. Ai foli për kushtet në të cilat mbaheshin në burgun e Lipjanit.
“Mungesë higjiene totale, kemi qenë në një dhomë të vogël afër 40 vetë, nuk kemi mundur të flemë. Ushqimi ka qenë i kufizuar, na është ofruar 1/6 e bukës dhe një lugë gjellë për person dhe kemi filluar të shndërrohemi në skelete”, u shpreh Klinaku.
Klinaku në një moment i kërkoi Trupit Gjykues që të akuzuarin ta shohë në sy, pasi që nuk i kujtohej emri e as fytyra e tij.
“Prej që është dalë rasti në opinion unë e kam hulumtuar edhe në internet nuk më është dukur që po e njoh personin, por dua ta shoh drejtpërdrejtë... Jo nuk e njoh”, ka shtuar ai.
Ish-gardiani Dragisha Milenkoviq është arrestuar më 21 qershor të vitit të shkuar. Prokuroria Speciale e mban atë përgjegjës për veprat “krim lufte kundër popullatës civile” dhe për “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.