Marrëveshja e nënshkruar në korrik të vitit 2020 ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Francës për t’i autorizuar veprimtaritë e Agjencisë Franceze të Zhvillimit (AFD) në Kosovë, rezulton me vizitën e një delegacioni të lartë të AFD-së në Prishtinë këtë javë. Ky delegacion do të takohet me drejtuesit e institucioneve qëndrore, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe sektorin privat, në mënyrë që t’i identifikojë fushat e bashkëpunimit që mund të financohen nga AFD-ja
Çfarë është AFD, një faktor i rëndësishëm i zhvillimit, por ende pak i njohur në Ballkan?
Që nga shtatori i vitit 2019, kemi pasur kënaqësinë – së bashku me ekipin – t’i fillojmë aktivitetet e Agjencisë Franceze të Zhvillimit (AFD) në Ballkanin Perëndimor. AFD është një operator që zbaton politikën e zhvillimit dhe solidaritetit ndërkombëtar të qeverisë franceze për më se 80 vjet. I përbërë nga AFD, që është i ngarkuar me financimin e sektorit publik dhe OJQ-ve; Proparco për financimin e sektorit privat dhe Expertise France, një agjenci bashkëpunimi teknik. AFD Group financon, mbështet dhe përshpejton tranzicionet drejt një bote më kohezive dhe rezistente.
Me 3.000 punonjës, AFD Group punon me partnerët e tij për të ofruar zgjidhje të përbashkëta në vendet e operimit. Ekipet e tij janë të përfshira në më shumë se 4.000 projekte në terren, gjithsej më shumë se 14 miliardë euro investime vjetore në Francë dhe territoret e saj dhe në 115 vende të botës për të mirën e përbashkët – klimën, biodiversitetin, paqen, barazinë gjinore, arsimin si dhe shëndetësinë, në mënyrë që të kontribuojë në angazhimin e Francës dhe francezëve për realizimin e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm.
Hapja e zyrës së re rajonale në vitin 2019 dëshmon për angazhimin e Francës në rajon, të cilin ajo dëshiron ta mbështesë në rrugëtimin e tij drejt Bashkimit Evropian.
Cili është qëllimi i misionit në Kosovë këtë javë?
Pas nënshkrimit të marrëveshjes ndërqeveritare dhe formimit të qeverisë së re, AFD po realizon një mision të trefishtë këtë javë:
Së pari, takimet me autoritetet e larta të vendit dhe partnerët potencialë në mënyrë që të diskutohen prioritetet dhe nevojat e shprehura nga pala kosovare dhe për t’i identifikuar fushat e veprimtarisë në udhëkryqin e prioriteteve të vendit dhe mandatin e AFD-së.
Objektivi i dytë është takimi me akterët kryesorë ekonomikë në mënyrë që të bëhet një analizë e përbashkët makroekonomike dhe për t’i forcuar njohuritë e AFD-së për situatën aktuale financiare të vendit, si dhe trajektoren e saj. Ky mision vjen në një kontekst të veçantë, pasi kriza e lidhur me epideminë COVID-19 ka prekur tërë ekonominë botërore, e as Kosova nuk bën përjashtim. Kështu, në vitin 2020, aktiviteti ekonomik u tkurr për herë të parë që nga pavarësia, me gjithë qëndrueshmërinë e mirë të mundësuar nga mbështetja publike.
Së treti, një mision nga partneri i AFD-së, Espelia, do të jetë gjithashtu i pranishëm si pjesë e një projekti rajonal për t’i mbështetur kryeqytetet e Ballkanit Perëndimor për të krijuar një strategji dhe një plan veprimi për qytetin inteligjent. Për gati një vit, ky projekt synon të përshpejtojë tranzicionin digjital të qyteteve për ta rritur cilësinë e shërbimit të ofruar për qytetarët dhe për ta mundësuar një menaxhim më të përgjegjshëm, efikas dhe të integruar të qytetit.
Cilat janë prioritetet e AFD-së në Ballkanin Perëndimor?
Prioritetet e veprimit të Grupit AFD në rajon ndodhen në kryqëzimin e sfidave kryesore të përbashkëta të identifikuara në rajon, mandatin e dhënë për AFD Group dhe nevojat e partnerëve tanë. Grupi është veçanërisht i përkushtuar për të luftuar ndryshimin e klimës, duke favorizuar një qasje të hapur/ dekomponentuar që lidh tranzicionin e energjisë dhe shoqërisë përgjatë 4 akseve:
• Qëndrueshmëria dhe përshtatja urbane;
• Menaxhimi i qëndrueshëm i territoreve dhe ruajtja e burimeve natyrore’
• Mbështetje për tranzicionin e energjisë;
• Modele të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse ekonomike dhe politike.
Mst: Cila është qasja rajonale e mbështetur nga AFD-ja?
AFD Group favorizon rrugën e partneritetit për veprimtaritë e tij në rajon. Sidoqoftë, disa iniciativa të qëndrueshme transnacionale bashkojnë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Në këtë drejtim, mbështetja e parë e ofruar nga AFD kur filloi aktivitetin e vet më 2018 qe forcimi i integrimit rajonal përmes:
• Mbështetjes për Kornizën e Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF) që nga viti 2018, një lehtësi financiare evropiane duke iu bashkuar Komisionit Evropian, që synon mbështetjen e agjendës së konektivitetit;
• Mbështetje për organizatën rajonale të quajtur Organizata Rajonale e Bashkëpunimit Rinor (RYCO) nga viti 2018, në mënyrë që ta promovojë bashkëpunimin midis sipërmarrësve të rinj nga Ballkani Perëndimor;
• Mbështetje për krijimin e një strategjie "të qyteteve inteligjente" për ta mbështetur zhvillimin e kryeqyteteve të Ballkanit që nga viti 2019. Në veçanti këtu është rasti me Prishtinën, ku jemi duke punuar me ekipet tona për të ndihmuar në krijimin e një strategjie që integron dimensionin digjital në hapësira të ndryshme dhe funksionalitetet e qytetit.
Cilat janë prioritetet e AFD-së për Kosovën?
Mandati i dhënë nga qeveria franceze për AFD-në synon të mbështesë konvergjencën e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt standardeve të përbashkëta me BE-së dhe në fund ta favorizojë pranimin e tyre në BE. Kështu, duke promovuar përafrimin me praktikat dhe standardet evropiane sociale, teknike dhe mjedisore, veprimi i AFD-së synon të ndihmojë në përmirësimin e cilësisë së proceseve të zhvillimit.
Çfarë mjetesh ka AFD-ja në dispozicion për të vepruar në Kosovë dhe përgjithësisht në Ballkan?
AFD-ja ka një gamë të gjerë të mjeteve financiare dhe jofinanciare në Ballkan.
• Kreditë investive janë në dispozicion me ose pa garanci shtetërore për t’i mbështetur operatorët publikë pa angazhuar kapacitetin e borxhit të shteteve;
• Bashkëpunimi "trepalësh" rreth çështjeve të politikave sektoriale publike midis AFD-së, një donatori dhe thesarit lokal janë modalitete efektive për t’i mbështetur objektivat tona të përbashkëta dhe për t’i përmbushur nevojat buxhetore të shteteve, veçanërisht në mbështetjen kundër-ciklike në kohë krize;
• Linjat e kredisë ose garancitë nga akterët e financave publike për t’i mbështetur politikat ambicioze publike për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme lokale dhe për ta siguruar qëndrueshmërinë e tyre’
• Proparco, një filial i AFD-së, operon në të njëjtat zona, por me projekte për sektorin privat;
• Dhe, në fund, AFD-ja gjithashtu mbështet shoqërinë civile përmes projekteve rajonale, si për shembull projekti në bashkëfinancim me Organizatën Rajonale të Bashkëpunimit Rinor (RYCO) mbi sipërmarrjen e të rinjve në gjithë Ballkanin perëndimor, projekti Play apo edhe IREX, të dy të përqendruar në luftën kundër diskriminimit kundër të rinjve, ose ruajtjen e biodiversitetit të pasur ballkanik.
Kështu, pas dy vjetësh aktivitet, AFD-ja ka alokuar më shumë se 300 milionë euro (pa përfshirë sektorin privat) dhe synon t’i rrisë përpjekjet e veta për ta ndërtuar një "Botë të Përbashkët". Diversifikimi i vazhdueshëm i bazës prodhuese, burimet e financave dhe avancimi i programit të reformës janë elemente thelbësore për zhvillimin e ardhshëm të Kosovës. Sfidat janë të shumta, por ato u japin kuptim angazhimit tim profesional në rajon, veprimit të AFD-së dhe Francës, së bashku me autoritetet, sektorin privat dhe shoqërinë civile.
(Autori është drejtor i Zyrës Rajonale të Agjencisë Franceze të Zhvillimit (AFD) për Ballkanin Perëndimor)