Arbëri

Një dekadë e (pa)drejtësisë në Kosovë

Sektori që përfshinë institucionet e drejtësisë, më i rëndësishmi për funksionimin e shtetit, është ai që ka pasur më së shumti ngecje. 10 vjetori i pavarësisë i gjen prokuroritë, gjykatat e policinë më shumë probleme derisa sfida kryesore vazhdon të mbes luftimi i korrupsionit, sidomos atij në nivele të larta. Por, çfarë ka ndodhur në këto vite, që nga shpallja e pavarësisë, në sistemin e drejtësisë në Kosovë?

Me fillim të shkurtit të vitit 2008, Bashkimi Evropian kishte marrë një vendim të rëndësishëm, raporton KTV.

Përgjegjësitë e UNMIK-ut në sundim të ligjit në Kosovë do të transferoheshin te një mision tjetër, EULEX-i.

BE-ja për herë të parë u përfshi në një mision të tillë ndërkombëtarë, më i madhi dhe më i kushtueshmi ndonjëherë në historinë e vet.

Pandëshkueshmërisë së krimeve të luftës, korrupsionit e krimit të organizuar, që vinin në dyshim të ardhmen e një shteti të ri, u mendua t’iu vihej fundi me një mision të ri ndërkombëtar.

Pas muaj shtyrjesh, me terrenin kosovar, përfundimisht më 9 dhjetor të vitit 2008, u njoftuan 1400 pjesëtarë të EULEX-it.

Para se të fillonte të angazhohej në punën në terren, misionit iu desh të bënte detyra shtëpie: në 6 muajt e parë, EULEX-i vetëm kishte mbikëqyrur punën e gjykatave, prokurorive, policisë e doganës. Dhe raportet e para nxirrnin në pah paaftësinë e policisë për të trajtuar krimin e organizuar dhe rrezikun që u kanosej gjyqtarëve nga presionet politike e kriminale.

Me të nisur punën, debatin publik me muaj e kishte dominuar një marrëveshje bashkëpunimi policor, që ky mision e kishte nënshkruar me Beogradin.

Jo vetëm kjo, ndër vite misioni evropian për sundim të ligjit, ishte në qendër të vëmendjes, e shumë e kritikuan se nuk arriti kurrë të luftoj krimin e korrupsionin, për çka erdhi në Kosovë.

Vet zyrtarë të saj u përfshinë në vepra të tilla, e pati së paku dy raste kur prokurorë e gjyqtare brenda misionit, publikisht treguan për mangësitë e EULEX-it.

Vitin 2009, Kosova e nisi me themelimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, gjyqtarët e parë të së cilës Kuvendi i Kosovës i votoi në maj të atij viti.

Gjykata parashihej të kishte nëntë anëtarë: katër shqiptarë, një nga pakica serbe, një nga komunitetet e tjera dhe tre të tjerë ndërkombëtarë.

Enver Hasani u bë kryetari i saj i parë, ndërsa vinte nga një pozitë tjetër e lartë, ajo e rektorit të Universitetit të Prishtinës.

Në të njëjtin vit, 2009, u akuzuan për krime lufte dy nga zyrtarë të lartë në hierarki të UÇK-së, “Grupit të Llapit”, derisa në fund Rrustem Mustafa e Latif Gashi u shpallen fajtorë.

Në fundin e vitit 2009 akuza e kundër akuza po bëheshin në foltoren e Kuvendit të Kosovës për vrasjet politike.

Gani Geci e Adem Salihaj, ish-deputetë të LDD-së, Partinë Demokratike të Kosovës, që udhëhiqej nga Hashim Thaçi, në atë kohë kryeministër, e kishin quajtur adresë të krimit në vend dhe për këtë thanë se kishin dëshmi.

Tri ditë pas kësaj seance, publiku kosovar pa fytyrën e ish-agjentit të Shërbimit Informativ të Kosovës.

Pak metra larg Kuvendit e Qeverisë së Kosovës, Nazim Bllaca, në fund të nëntorit të vitit 2009, kishte dalë publikisht dhe kishte folur për vrasje të pasluftës dhe krime të tjera. Bllaca, kishte pranuar se edhe vet kishte vrarë një person, e kishte qenë bashkëpjesëmarrës në gjithsej 17 vrasje. Kishte përmendur edhe emra të eprorëve të tij në SHIK, figura të larta të UÇK e të PDK-së.

3 procese gjyqësore u iniciuan nga kjo dëshmi e të tjera ende vazhdojnë të jenë në proces.

Aksioni i EULEX-it, bastisjet në Minsitrinë e Trasnportit e shtëpinë e Fatmir Limajt, nisën 2010-n, derisa misioni evropian e akuzoi atë për korrupsion, që lidheshin me kurdisje tenderësh për rrugët.

Në fund, Fatmir Limaj dhe gjithë të tjerët, u shpallën të pafajshëm për këto akuza. Njëjtë, për krime lufte, Gjykata e liroi Limajn në rastin “Kleçka”.

Muaji korrik kishte sjellë një sërë ngjarjesh në sektorin e drejtësisë.

Befasisht, Gjykata e Hagës kishte kthyer në rigjykim të pjesshëm rastin ndaj Ramush Haradinajt, Idriz Balajt dhe Lahi Brahimajt, më datë 21 korrik.

2010 - Më 22 korrik të vitit 2010 në Kosovë po festohej opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, në të cilin thuhej se nuk ishte në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare shpallja e Pavarësisë së Kosovës. E me 23 korrik, një tjetër arrestim i bujshëm ishte bërë në kryeqytet, raporton KTV. Pikërisht nga ky objekt, më 23 korrik të vitit 2010, me pranga në duar por i buzëqeshur, kishte dalë Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Hashim Rexhepi.

2011 - Viti 2011 nuk kishte nisur në mënyrën më të mirë.

Më 25 janar, 169 vota për dhe 8 kundër, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës e kishte miratuar raportin e Dick Martyt, për krimet e supozuara nga pjesëtarë të UÇK-së.

Nga ky raport, për Kosovën u krijua Gjykata Speciale, e cila vazhdon të pres për aktakuzat e para.

2012 – Si skandal u pa rasti i njeriut kryesor të Task Forcës Anti-Korrupsion në Kosovë. Nazmi Mustafi u akuzua dhe shpall fajtor për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Xhabir Zharkut, kryetar i Komunës së Kaçanikut, iu bë i plotfuqishëm dënimi prej tre vjet burgim për dy vepra penale, detyrim e posedim të paligjshëm të armës.

Por ai nuk e mbajti asnjë ditë burg, pasi ishte arratisur në shtetin e Suedisë, para se të dërgohej në vuajtje të dënimit, nga ku nuk është kthyer kurrë.

Pos tij, shumë kryetarë komunash u përfshinë në akuza e gjykime, e me drejtësi ende vazhdon të përballet, ish-kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja.

2013 – Nën presion ishte vënë EULEX-i në vitin 2013. Megjithëse ishin dhënë mbi 200 aktgjykime në raste korrupsioni, krim të organizuar e trafikim me qenie njerëzore, përndjekja penale e rasteve ku përfshiheshin krimet e luftës dhe të akuzuar ishin komandantë e ushtarë të UÇK-së, kishte ngjallë reagime të shumta. Në këtë vit, aktakuzat në raste të krimeve të luftës, për kundërpërgjigje merrnin protesta dhe kërkesa për largim të misionit nga Kosova.

Ish-komandanti i përgjithshëm, Sylejman Selimi, ai për rajonin e Drenicës, Sami Lushtaku, dhe më shumë se 15 të tjerë u përfshinë në aktakuzën e EULEX-it, për krime lufte.

Protesta masive pasuan.

Lushtaku, i cili nga paraburgimi u betua si kryetar i Skenderajt, u shpall i pafajshëm por në këtë rast u dënua ish-komandanti i Përgjithshëm i UÇK-së, Sylejman Selimi me 10 vjet burgim.

2014 - Nga drejtësia nuk shpëtuan as deptutë, ndër ta e skandaloz ishte rasti i rasti i deputetit Ukë Rugova, që u gjend i përfshirë në skandalin e vizave italiane.

Ish-komandanti i shtabit të përgjithshëm, Azem Syla, doli para gjykatës si i dyshuar për krim të organizuar, bashkë me një grup prej 38 personash, që Prokuroria pretendon se ai e udhëhiqte. Ai dha dorëheqje nga pozita e deputetit të PDK-së në Kuvend, pas arrestimit nga Polica.

Megjithatë, rastet e korrupsionit mbetën në rend të dytë të paktën për një periudhë. Rritja e numrit të shtetasve të Kosovës që po i bashkoheshin konfliktin në Siri, eventualisht alarmoi autoritetet në vend që filluan një fushatë aktive në luftën kundër terrorizëm. Pjesëmarrës të konfliktit në Siri, imamë e persona që kishin tentuar të shkonin atje u prangosën.

2015 – Aleksandër Lumezi, në shkurtin e vitit 2015, u bë Kryeprokuror i Shtetit, me zotimin për luftë kundër korrupsionit e krimit të organizuar.

Në anën tjetër, gjykatësit kishin hyrë në grevë për më shumë se 20 ditë, duke kërkuar rritje pagash e shtesa të sigurisë * 10.03

Por, larg temave të mëdha institucionet e drejtësisë në vend merrnin goditje të ulëta në një komunë të vogël si Fushë Kosova.

Ish-drejtoresha e PTK-së, Leme Xhema, ishte kthyer pasi dënimi i saj ishte parashkruar dhe nën zhurmën e surleve e tupanëve, po kërkonte votën si kandidate e një partie në Medvegjë.

2016 - Askush nuk e kishte sigurinë e garantuar në Kosovë, pavarësisht pozitës apo funksionit që mund të kishte. Tek një konstatim i tillë kishin ardhur shumë individë, pasi shtëpia e kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, u bë cak i hajnave në nëtor të 2016-s, megjithëse ruhej nga Policia e Kosovës gjatë 24 orëvë.

Enver Sekiraqa, në akuzën për nxitje në vrasjen e policit Triumf Riza, nga Gjykata Themelore e Prishtinës u dënua me 37 vjet burgim.

Deputetë, ministra, ish-ministra, kryetarë partish e zyrtarë të lartë po përballeshin me drejtësinë në vitin 2016. Por, qytetarët nuk e kishin përshtypjen se gjykatat e prokuroritë, po kryenin në mënyrën më të mirë punën e tyre. Ata, në masë të madhe ishin të pakënaqur me punën e këtyre dy institucioneve, raporton KTV. Lëndët që kishin të bënin me korrupsion ishin vënë prioritet, në rend të dytë kishin mbetur lëndët e tjera, që të grumbulluara ndër vit kishin mbërritur shifra alarmante.

2017 - 4 aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje u dënuan me mbi 20 vjet burgim nën akuzat për terrorizëm, që lidhej me sulmin në objektin e Kuvendit të Kosovës në vitin 2015.

E rasti i aktivistit Astrit Dehari, që u gjet i vdekur në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, vazhdonte të hetohet, tani nga një Institut në Zvicër.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese dhe ish-rektori i Universitetit të Prishtinës, Enver Hasani, u dënua me 1 vjet e gjysmë burg me kusht për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Hasani, pas dënimit, ngriti pretendime se kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi, kishte të falsifikuar provimin e jurisprudencës.

KTV-ja për muaj hulumtoi rastin duke sjellë argumente të shumta që vënin në dyshim provimin e tij, por prokurorisë pak ditë hetim iu deshën për të mbyllur hetimin dhe për të konstatuar se dosja e Lumezit ishte konform me dispozitat dhe procedurat e atëhershme për jurisprudencë.

Emri i Lumezit doli i lidhur me Partinë Demokratike të Kosovës, në përgjimet që u publikuan në fund të vitit 2017 në KTV.

I palëkundur mbeti kryeprokurori, i cili vazhdoi punën dhe u kthye në komisionin për Jurisprudencë, për t’i vlerësuar kandidatët që i nënshtroheshin provimit që atij i kontestohej.

Një ngjarje e vitit 2017 ishte fillimi i zbatimit të Marrëveshjes për Drejtësinë, por një tjetër zhvillim i fundvitit la në hije të tjerat.

Gjykata Speciale, në vitin 2017 arriti të kompletoj në tërësi infrastrukturën ligjore të nevojshme për të funksionuar. Eventualisht, në Kosovë dikush i kishte rënë pishman që kishte mbështetur krijimin e gjykatës, dhe kishte nisur përgatitja e terrenit për të kundërshtuar atë. Kinse për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën, organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, kishin nisur mbledhjen e nënshkrimeve në peticionin, që doli se kishte një qëllim tjetër: shfuqizimin e ligjit për Gjykatën Speciale, si tentim për të ndalur punën e saj.

Iniciativa dështoi dhe u desh presion i jashtëzakonshëm ndërkombëtar, që vet liderët e vendit, në vitin 2018, të deklaronin tërheqjen nga një qëllim i tillë.

Viti 2018 nisi me dënimin e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, për gazin lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

Një numër deputetësh të kësaj partie, por edhe të partive të tjera, tani ministra, do të përballen edhe këtë vit me drejtësinë me akuza të tilla.

Gjithashtu edhe një numër i madh gjykimesh po zhvillohen në gjykatat e vendit për korrupsion e krim të organizuar.

Këtë vit, prokurorët e gjyqtarët vendor pritet të mbesin pa kolegët e tyre nga misioni i EULEX-it, mandati i të cilit skadon në mes të qershorit. Por, kosovarët vazhdojnë të mbesin të pakënaqur me sistemin e drejtësisë. Në vend, janë shtuar zërat në fillimin e procesit të Vettingut. Më shumë se kurrë, shtetit, pas dekadës së parë në pavarësi, i duhen prokurorë e gjykatës me integritet, profesionalizëm e pavarësi, larg ndikimit të politikës e krimit.