Kontesti pronësor i një parcele 5-arëshe ka nxitur reagimin e banorëve të lagjes “Kadri Zeka” në Ferizaj, me arsyetime se aty po ndërtohet një objekt pa leje nga biznesmeni Ibrahim Bucaliu. Avokati i këtij biznesmeni, Arianit Koci, ka thënë se kjo parcelë është rrethuar me muri për ta ruajtur nga uzurpatorët e mundshëm. Thekson se Bucaliu e kishte blerë atë nga një serb rreth 25 vjet më parë, por ende nuk është bërë bartja e pronës.
Banorë të lagjes “Kadri Zeka” në Ferizaj kanë shprehur shqetësime lidhur me një objekt që po ndërtohet pa leje ndërtimore dhe pa kritere afër shtëpive të tyre nga biznesmeni Ibrahim Bucaliu.
Kjo parcelë prej afër 5 arësh, pas Luftës së Dytë Botërore kishte qenë pronë shoqërore- komunale, ndërkohë ajo kishte kaluar në emër të një serbi, derisa biznesmeni Bucaliu e kishte blerë atë në vitin 2001.
Prona ende nuk ka dalë në emër të tij dhe vazhdon të mbetet e kontestuar.
“Ky objekt siç e dimë ne është pronë shoqërore komunale, këtu ndërtimi është duke u bërë pa pëlqimin e banorëve dhe janë të shqetësuar sepse nuk janë të pajtimit të bëhet ky objekt këtu. Plus është bërë në trotuare dhe është ngritur tepër. Kjo siç e dimë është ndërtuar pa leje dhe pa pronar sepse pronar është kuvendi Komunal”, ka thënë Ekrem Gashi, banor i lagjes.
“Prej viteve të 60- ta kur kemi ardhur këtu më 25 maj, kjo ka qenë lëndinë deri te parku atje. “Lama e Ferizajt” këtu ka qenë dhe nuk ka pasur asgjë tjetër. Në 68-n ju kanë jep këtyre si dëshmor apo luftëtar të luftës së dytë botërore, këtyre serbëve këtu dhe disa shqiptarëve e disa policëve e kështu. Ua kanë jep ashtu dhe atëherë nuk ka pasur me bë kërkesë, por nuk e dimë se si ua kanë jep”, ka thënë Smajl Gashi, banor i lagjes.
Banorët thonë se në këtë parcelë punimet janë zhvilluar vetëm gjatë ditëve të vikendeve pasi që inspektorët komunalë nuk e kanë penguar .
Pas interesimit të KOHËS, Komuna e Ferizajt ka vendosur shiritat për ndërprerje të punimeve.
Arbër Bytyqi, drejtor për Urbanizëm në Komunën e Ferizajt, ka thënë se ndaj ndërtuesit pa leje në këtë parcelë do të iniciohet procedurë ligjore nga Inspektorati Komunal.
“Nuk kemi lëshuar si drejtori e urbanizmit leje në atë parcelë apo ndonjë pëlqim të asaj natyre që ia mundëson palës ndërtimin e kategorisë së tillë. Gjithsesi unë u interesova edhe në departamentin e pronës ku mora informata që është një kontest tre paleshe në mes të dy peronave fizik dhe komunës, është një çështje se do të vendoset nga gjykata për çështjen e pronësisë së parcelës”, ka thënë Bytyqi.
Biznesmeni Ibrahim Bucaliu nuk ka dashur të flasë rreth kësaj çështjeje, por avokati i tij, Arianit Koci, ka thënë se prona është rrethuar me muri, me qëllim që të mbrohet nga ndonjë uzurpator i mundshëm derisa të ndodhë bartja e pronës.
“Këtu është ngritur muri që të krijohet një terren sportiv dhe që ta shfrytëzon lagjia derisa të përfundon procesi i rregullimit të dokumenteve se kjo parcelë është blerë para 25 viteve prej një qytetari serb i komunës së Ferizajt, por ka pasur probleme për shkak të këtyre bartjeve të dokumenteve. Ajo kur është blerë ka qenë në emër të serbit dhe ndërkohë për arsyeje tani të panjohura ka dalë në emër të Komunës”, ka thënë avokati Koci.
Koci zotohet se më nuk do të vazhdojnë punimet derisa parcela të marrë epilogun përfundimtar.