Viti 2024 u shënua me përshkallëzim të tensioneve dhe incidenteve të sigurisë në veriun e Kosovës, që vijoi të jetë epiqendër e përplasjeve politike. Një aktakuzë u ngrit për sulmin e para një viti në Banjskë të Zveçanit, por ndodhi një tjetër me pasoja mbi infrastrukturën kritike të Kosovës, që u cilësua më i rëndi që nga paslufta
Veriu i Kosovës vijon ta ketë epitetin e një zone të brishtë sigurie, ku tensionet u shoqëruan me incidente të rënda dhe me sulme mbi infrastrukturën kritike. Sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit, për të cilin u ngrit një aktakuzë tek një vit më vonë e deri te shpërthimet që goditën kanalin strategjik të Ibër-Lepencit, dëshmojnë përpjekjet e vazhdueshme për destabilizim, ku ndikimi i Serbisë dhe përfshirja e akterëve të jashtëm ishin në qendër të akuzave. Përkundër masave të autoriteteve të Kosovës për ta shtrirë ligjshmërinë dhe për ta forcuar sovranitetin në veri, sfidat e sigurisë mbeten të shumta. Derisa BE-ja nuk i ndali përpjekjet për t’i dhënë drejtim zbatimit të Marrëveshjes Bazë, përpjekjet mbetën nën hijen e polarizimeve dhe tensioneve mes Kosovës e Serbisë.
Aktakuza ndaj Radoiçiqit
Më 11 shtator 2024, Prokuroria e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj Milan Radoiçiqit dhe grupit të tij, që lanë të vrarë rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Aktakuza konfirmoi se qëllimi i tyre ishte ta shkëpusnin veriun e Kosovës për t’ia bashkëngjitur Serbisë.
“Duke vepruar sipas përgatitjeve dhe planit të mirorganizuar paraprakisht, përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, kanë tentuar që të shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe, dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë, me ç’rast si rezultat i dhunës së përdorur ka vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku dhe është rrezikuar jeta e zyrtarëve të tjerë policorë dhe e popullatës civile”, thuhet në aktakuzë.
Një pjesë e aktakuzës ndaj 45 personave për sulmin në Banjskë flet edhe për mënyrën e financimit të grupit që kreu sulmin. Përgjegjësja kryesore për financim të grupit me në krye Radoiçiqin është bërë Serbia. Ndër të tjera, ajo i ka ofruar ish-nënkryetarit të Listës Serbe infrastrukturën e nevojshme ushtarake për trajnimin e pjesëmarrësve.
Thirrjet e vazhdueshme të udhëheqësve të Kosovës drejtuar ndërkombëtarëve që t’i bëhet presion Serisë për ta dorëzuar Radoiçiqin në Kosovë nuk dhanë rezultat. Fqinji verior as nuk u mor në përgjegjësi nga ndërkombëtarët, të cilët thanë se duhet pritur vendimin e gjykatës për ta konsideruar vendosjen e masave ndaj Serbisë.
Tensionet rreth Urës
Pa Radoiçiqin në veri, situata vijoi të jetë e tensionuar dhe për këtë u fajësua Qeveria e Kosovës për shkak të vendimeve që lidhen me këtë pjesë. Zhvillimet rreth Urës qendrore të Ibrit në Mitrovicë rikthyen shqetësimet për sigurinë, pasi kryeministri Albin Kurti në qershor 2024 njoftoi se do ta hapë edhe për qarkullim të automjeteve. Ky vendim nxiti protesta të serbëve lokalë, të cilët e konsideruan këtë hap si kërcënim për sigurinë e tyre.
Diplomatët ndërkombëtarë, përfshirë përfaqësues të BE-së dhe të SHBA-së, shprehën shqetësim lidhur me kohën dhe mënyrën e realizimit të këtij vendimi. Ata kërkuan që hapjes së Urës t’i paraprijnë konsultimet me të gjitha palët e përfshira në dialogun e Brukselit, për të shmangur eskalimin e situatës.
KFOR-i, që ka prani 24 orë shtatë ditë në javë mbi Urë, paralajmëroi se është i gatshëm të ballafaqohet me këdo që tenton ta hapë atë pa koordinim paraprak. Këtë e dëshmuan edhe me forcim të patrullave pranë Urës.
Vizita e drejtorit të CIA-s në Kosovë, William J. Burns, u interpretua si përpjekje për t’i adresuar tensionet e krijuara rreth Urës dhe që vendimi i Qeverisë kosovare të mos shkaktonte destabilizim në rajon. Vizita shënoi një moment të rëndësishëm, pasi insistimi për hapjen e Urës u hoq nga diskursi i qeveritarëve.
Në muajt që pasuan, çështja e Urës mbeti pezull, megjithëse ajo e kaloi testin që ia bënë autoritetet sa i përket qëndrueshmërisë. Zyrtarë të Qeverisë thanë se do ta vazhdojnë koordinimin me BE-në, SHBA-në e NATO-n. Por BE-ja e bëri të qartë se vendimi përfundimtar duhet të jetë pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë për normalizimin e situatës në veri.
Me gjithë uljen e tensioneve rreth Urës qendrore, veriu u përfshi nga një seri zhvillimesh që po ashtu sfiduan raportet mes Kosovës dhe Perëndimit.
Autoritetet vijuan me mbylljen e zyrave ilegale të strukturave paralele serbe, të cilat operojnë që nga paslufta si “shtete brenda shtetit”. Për Kosovën kjo ishte një përpjekje për të forcuar sovranitetin institucional në rajonin e dominuar prej dekadash nga ndikimi i Beogradit.
Paralelisht mbylljes së zyrave të ilegalëve, në veri u hapën biznese të reja shqiptare. Për herë të parë pas shumë vjetësh sipërmarrësit shqiptarë hynë në një treg të dominuar nga serbët lokalë. Këto biznese u panë jo vetëm si iniciativa ekonomike, por edhe një akt simbolik në tejkalimin e ndasive të rrënjosura etnike. Por kjo u kundërshtua nga serbët lokalë, të cilët e konsideruan si “kolonizim” ekonomik, krahas presionit politik me synimin final, sipas tyre, për t’i dëbuar serbët prej veriut.
Sulmi në Ibër-Lepenc
Në fundin e nëntorit tri shpërthime brenda 72 orëve ngritën alarmin në veri. Më i madhi ishte ai i mbrëmjes së 29 nëntorit, ku një shpërthim masiv dëmtoi rëndë kanalin strategjik të Ibër-Lepencit në Zubin-Potok. Ky kanal, i cili siguron ujë të pijshëm për disa qytete, ujë për ujitje dhe ftohjen e kazanëve në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) e në Ferronikël, u sulmua me rreth 20 kilogramë eksplozivë. Autoritetet e Kosovës e konsideruan këtë akt si sulmin më të rëndë ndaj infrastrukturës kritike që nga paslufta. Në përgjigje, Policia e Kosovës kreu aksione në disa lokacione në veri, që rezultuan me arrestime dhe me konfiskim të armëve.
Akte terroriste i kualifikoi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shpërthimin në kanalin e sistemit të ujësjellësit Ibër-Lepenci dhe para tij hedhjen e granatës në Komunën e Zveçanit. Në konferencën e jashtëzakonshme të mbajtur në mesnatën e 29 nëntorit, Kurti tha se sulmi në fshatin Varagë të Zubin-Potokut është kryer nga profesionistë me qëllimin për ta dëmtuar infrastrukturën kritike të Kosovës. Qeveria aludoi për një koordinim të mundshëm midis Serbisë dhe Rusisë, duke theksuar se sulmi u krye një ditë pas një sulmi të ngjashëm ndaj infrastrukturës kritike në Ukrainë.
“Është sulmi i radhës kriminal e terrorist që ne besojmë se vjen nga bandat e orkestruara dhe të dirigjuara nga Serbia, e cila i ka edhe interesin, edhe gatishmërinë, edhe aftësinë për të shkaktuar sulme e dëmtime të këtilla, në rastin konkret duke përdorur sasi të madhe të eksplozivit në nyje kyç, ku riparimi është i vështirë”, tha Kurti mesnatën e 29 nëntorit.
Ky sulm vuri në dukje cënueshmërinë e infrastrukturës kritike të Kosovës dhe ngriti alarmin për masa shtesë të sigurisë në objektet e tjera strategjike.
Akuza pati edhe nga zyrtarët serbë, të cilët thanë se sulmi mund të jetë inskenuar nga autoritetet kosovare për ta fajësuar Serbinë e për të justifikuar shtimin e pranisë policore dhe ushtarake në veri të vendit.
E ndërkombëtarët bënë thirrje për hetime të kujdesshme, duke mos e përjashtuar as përfshirjen e akterëve të jashtëm në destabilizimin e Kosovës.
Tensionet përreth kufirit
Tensionet Kosovë-Serbi në disa raste u zhvendosën nga situatat brenda vendit në zhvillime përgjatë kufirit.
Në nëntor 2024, Ministria e Mbrojtjes e Serbisë dhe presidenti Aleksandër Vuçiq akuzuan Policinë e Kosovës për kalimin e vijës, që sipas tyre është vetëm “administrative” e jo kufitare, pranë fshatit Çirkoviq në veri të Kosovës. Ata e cilësuan këtë veprim si një “provokim të qëllimshëm dhe të planifikuar” nga autoritetet e Prishtinës, duke aluduar se u tentua përshkallëzimi i tensioneve dhe minimi i stabilitetit rajonal. Madje Vuçiq paralajmëroi se herët e tjera mund të ketë edhe përgjigje me zjarr, nëse shkelet vija kufitare. Policia e Kosovës i cilësoi të pavërteta pretendimet e autoriteteve serbe.
Gjatësia e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë është rreth 350 kilometra, ku mbi 50 për qind e saj kalon nëpër katër komunat veriore të populluara me shumicë serbe.
Forca që garanton sigurinë përreth kufirit të Kosovës, KFOR, mbajt qëndrim neutral lidhur me këtë pretendim dhe të tjera që u ngritën gjatë 2024-s, si nga Serbia, po ashtu edhe nga Kosova. Në reagimet e tij, KFOR-i vazhdimisht insistoi se situata përgjatë kufirit Kosovë-Serbi është e qetë dhe se janë të gatshëm të japin përgjigje ndaj çfarëdo situate.
Vendimi për t'ia kaluar Forcës së Sigurisë të Kosovës (FSK) kontrollin mbi Aeroportin e Dumoshit në Podujevë, qytet kufitar me Serbinë, ngjalli po ashtu polemika. Ky aeroport, që dikur shërbente për nevoja civile, tani do të shndërrohet në një qendër të rëndësishme për operacione emergjente dhe logjistike. Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, theksoi se kjo është një përpjekje për të forcuar praninë e FSK-së në rajonet e Llapit dhe të Gollakut, duke garantuar siguri më të madhe për banorët dhe reagim të shpejtë ndaj emergjencave civile.
Por ky zhvillim pati interpretim tjetër në sytë e Serbisë. Edhe pse në deklaratat zyrtare të Prishtinës nuk u përmend direkt Serbia, politikanë dhe analistë serbë e përshkruan këtë si një provokim nga ana e Kosovës. U spekulua se për shkak të afërsisë me kufirin, ky aeroport mund të shndërrohet si pikënisje për operacione ushtarake.
Siguria në qendër të diskursit politik
Atmosfera e tensionuar pritet të ndikojë edhe në zgjedhjet e përgjithshme, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025, duke e kthyer sigurinë në çështjen qendrore të debatit politik. Opozita ka akuzuar Qeverinë Kurti për dështime strategjike, prishje të raporteve me ndërkombëtarët për shkak të veriut dhe mungesë të parashikimit të sulmeve sikurse ai mbi kanalin e Ibër Lepencit.
Ngjarjet rreth sigurisë gjatë vitit 2024 reflektuan kompleksitetin e veriut, ku ndasitë politike dhe etnike vetëm sa u thelluan.
Serbia e ka përdorur situatën e sigurisë për të argumentuar se Kosova nuk mund të garantojë mbrojtjen e komunitetit serb, ndërsa Kosova e ka akuzuar Serbinë për nxitjen e dhunës për ta minuar përpjekjen në shtrirjen e sovranitetit në veri.
Situata në veri ndikoi negativisht në dialogun e Brukselit dhe në përpjekjet për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Tensionet e shtuara dhe incidentet e vazhdueshme minuan besimin mes palëve dhe rritën skepticizmin për zbatimin e Marrëveshjes Bazë dhe të Aneksit, për të cilën ishin dakorduar Kosova e Serbia më 27 shkurt në Bruksel, përkatësisht më 18 mars 2023 në Ohër.
Tensionet e sigurisë e vështirësuan zbatimin e saj, duke e zhvendosur fokusin drejt menaxhimit të krizave.
BE-ja dhe SHBA-ja kanë bërë thirrje për përmbajtje dhe vazhdim të dialogut, por shpesh u ballafaquan me kritika nga udhëheqës të Kosovës për aplikim të qasjes jobalancuese mes palëve.
Për aq kohë sa situata e sigurisë mbetet e paqëndrueshme, normalizimi i plotë i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë nuk duket në horizont.