Arbëri

Një 80-vjeçar i prekur me COVID-19 vdiq në Gjilan, kishte qëndruar në Elbasan për pushime

Pothuajse të gjithë shtretërit në Spitalin Regjional të Gjilanit janë të zënë nga pacientët të cilët po marrin trajtimin e tyre shëndetësor ngase janë të infektuar me virusin COVID-19. Në këtë Spital janë duke u trajtuar 69 pacientë me COVID-19. Kurse nga stafi shëndetësor thonë se mund të pranohen vetëm edhe 13 pacientë dhe nuk ka vende tjera të lira.

Po ashtu thonë se vdekjet e pacientëve nga COVID-19 në këtë spital janë bërë të zakonshme.

Gjersa ishim në këtë spital një person i moshës 80-vjeçare vdiq.

Djali i të ndjerit, i cili nuk deshi të prononcohet me emër, deklaroi se babai i tij kishte qëndruar në pushime në Shqipëri, përkatësisht në qendrën rehabilituese e cila njihet edhe si “Banja e Elbasanit”.

Ai thotë se pas kthimit në shtëpinë e tij në Gjilan kishte pasur simptoma dhe më pas ishte shtrirë për trajtim në repartin e Infektives. Ai thotë se presin raportin shëndetësor, për të saktësuar shkaqet e vdekjes, ngase sipas tij në ndërkohë babi i tij kishte përjetuar edhe një sulm.

“Ai ka qenë në Banjën e Elbasanit . Tash edhe ne nuk po jemi të sigurt nëse është infektuar atje. Po presim edhe raportet tjera të mjekut se baba ka pasur edhe një sulm ndërkohë. Tash të shohim se çfarë thonë ata për këtë vdekje”, thotë banori i Gjilanit.

Drejtuesit e Spitalit Regjional të Gjilanit nuk pranojnë t’i konfirmojnë vdekjet, meqë sipas tyre përgjegjëse për këtë është Ministria e Shëndetësisë.