Arbëri

Një 4-vjeçar kafshohet nga qeni endacak në oborrin e çerdhes në Prishtinë

Qeni endacak

Një fëmijë është kafshuar nga një qen endacak të hënën brenda oborrit të çerdhes publike “Gëzimi Ynë”, në lagjen “Ulpiana”, më Prishtinë.

Lajmin për KOHËN e ka konfirmuar Aridona Demolli-Lumi, nëna e fëmijës. Ajo ka thënë se djali i saj 4 vjeç është kafshuar në të dy këmbët, derisa plaga në njërën këmbë është më e madhe.

Demolli-Lumi ka thënë se dëmi psikik është shumë më i rëndë se ai fizik.

“Dje është kafshuar djali im në oborr të kopshtit, njërën plagë e ka më të rëndë. Fillimisht aty ka shkuar ambulanca dhe i është mjekuar plaga, mirëpo më vonë është drejtuar edhe për në spital për shkak të plagës dhe tash duhet t’i bëhet pastrimi herë pas here”, ka thënë Demolli – Lumi.

Image

Ajo ka thënë se menaxherja e kopshtit, i ka thënë se problemi i qenve endacakë nuk është përgjegjësi e kopshtit, por e Komunës.

“Menaxherja më tha që i kemi shkruar disa herë komunës për këtë problematikë mirëpo deri tash s’ka pasur zgjidhje”, ka thënë Demolli-Lumi.

KOHA nuk ka arritur të kontaktojë me drejtoreshën e kopshtit. Ajo nuk ësht përgjigjur as në mesazhin e dërguar.

Demolli-Lumi tha se as ajo nuk ka arritur të kontaktojë me të.

“Është jashtë vendit”, tha Demolli-Lumi.

Ndërkohë, Habib Qorri, shef i Drejtorisë së Shërbimeve Publike në komunën e Prishtinës tha se nuk ka informacione lidhur me incidentin e së hënës. Ai nuk ishte në dijeni nëse më herët në komunë janë paraqitur kërkesa për rinovim të rrethojës.

“Duhet të shohim nëse kërkesa është bërë në drejtori të tjera”, tha Qorri.

KOHA është në pritje të një përgjigjeje edhe nga Policia.

Sulmet nga qentë endacakë në Prishtinë kanë qenë të shpeshta këtë vit. Qytetarë të shumtë vazhdimisht i paraqesin këto sulme në rrjetet sociale.

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar më parë këtë vit se prania e madhe e qenve endacakë është problem i cili duhet të trajtohet nga rrënjët e tij, me qëllim të ofrimit të zgjidhjes së qëndrueshme dhe efektive.

Image

Foto e realizuar në oborrin e çerdhes “Gëzimi Ynë”, në Prishtinë, ku të hënën një 4-vjeçar u kafshua nga një qen endacak