Arbëri

Nisma e Kastratit për reforma në Arsim në Kamenicë po cilësohet hap i shpejtuar, por i qëlluar

Reforma në arsim e kryetarit të Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, nuk po pëlqehet shumë nga banorët e Komunës së tij.

Ai të premten mbrëma në fshatin Roganë, është pritur me brohoritje e ofendime sa që është dashur të intervenojë edhe policia, raporton KTV.

Reforma e propozuar nga Kastrati për mbyllje të shkollave që kanë numër të vogël nxënësish dhe transferim të fëmijëve nëpër objekte të tjera po shihet hap i shpejtuar nga njohësit e arsimit.

Rinor Qehaja, njohës i çështjeve të arsimit, thotë se iniciativa si e tillë, është e qëlluar, por ajo duhet të analizohet më detajisht dhe të ndodhë në nivel vendi.

Ai thekson se shkollat të cilat kanë numër të vogël nxënësish dhe ku mësimi zhvillohet në paralele të përziera, sjell kualitet të dobët mësimit.

Qehaja thotë se Ministria e Arsimit ka 20 vjet që nuk e ka shqyrtuar këtë mundësi, dhe të ofrojë zgjidhje për rastet kur nëpër shumë shkolla, numri i nxënësve është i vogël.

Në Ministrinë e Arsimit, ndonëse patën premtuar se do të kthejnë përgjigje gjatë ditës, nuk e kanë bërë një gjë të tillë.

Në këtë komunë, janë 6 shkolla që kanë më pak se 5 nxënës, 6 të tjera më pak se 12 dhe 3 shkolla nëpër fshatra të Kamenicës kanë më pak se 50 nxënës.