Regjistrimi i popullsisë së Kosovës, që si proces zyrtarisht ka nisur sot, është duke u përcjellë me telashe.
Disa prej kryetarëve të komunave, kryesisht të drejtuara nga partitë opozitare, kanë shprehur pakënaqësitë e tyre në lidhje me organizimin që është bërë. Përfaqësuesit e komunave të Ferizajt, Prizrenit, Drenasit, Rahovecit, Zubin Potokut, shpalosën problemet me të cilat thanë se janë duke u përballur, nisur nga numri i vogël i regjistruesve, pagesat e anëtarëve të komisioneve dorëheqjet e regjistruesve pasi janë pranuar në punë, telash me pajisjet që përdoren për regjistrim e të tjera.
Prej tyre, patë edhe njoftime që regjistrimi nuk do të nisë sot, por është shtyrë për të hënën. Por me probleme të tilla nuk thanë se janë duke u përballur kryetarët e komunave që qeverisen nga Vetëvendosje.
Të gjitha këto diskutime u zhvilluan në takimin që këtë të premte, ata kanë pasur me kryeministrin Albin Kurti e ministrin e Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi. Pjesë e takimi ishte edhe kryesuesi i ASK-së, Avni Kastrati e drejtori i institutit për krime lufte, Atdhe Hetemi. Udhëheqësit e institucioneve kërkuan angazhim të komunave në mënyrë që procesi të ketë sukses e qytetarët të mos mbesin pa u regjistruar.
Regjistrimi i popullsisë - Shumica e regjistruesve serbë në Zubin-Potok tërhiqen
Kryetari i Komunës së Zubin-Potokut, Izmir Zeqiri, e sheh të mundshme të ketë probleme me procesin e regjistrimit të popullsisë në këtë komunë.
Ai ka thënë se shumica e regjistruesve serbë janë dorëhequr dhe kanë mbetur vetëm dy. Problem e ka veçuar edhe thirrjen e Listës Serbe që serbët të mos marrin pjesë në këtë proces.
Zeqiri ka thënë se në këtë komunë regjistrimi do të nisë të hënën.
“Sot pritet me i nënshkru kontratat një pjesë e regjistruesve për shkak të telasheve teknike. Shumica e regjistruesve prej shumicës serbe janë dorëhequr. Kanë mbet vetëm dy. Këto janë shenja që do të kemi probleme. Duket se në komunat veriore do të kemi probleme edhe për shkak të thirrjeve për mosregjistrim. Do të kemi probleme teknike. Ka simptoma të një sabotimi të qytetarëve edhe për t'u regjistruar edhe të regjistruesve. Jemi të gatshëm të bëjmë aq sa mundemi. Ka pak probleme gjuha e dokumentacionit. E shoh një problematikë, por do të bëjmë aq sa mundemi që të dalim sa më të suksesshëm”, ka thënë Zeqiri.
Lladrovci kërkon të shtyhet procesi i regjistrimit të popullsisë
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka kërkuar që procesi i regjistrimit të popullsisë të shtyhet për të paktën edhe dy javë të tjera. Ai është ankuar se Agjencia e Statistikave të Kosovës nuk është përgatitur mjaftueshëm për këtë proces.
Ai ka thënë se Komuna është njoftuar se regjistrimi - që nis sot, 5 prill – është shtyrë për të hënën.
“Më vjen keq që sërish më duhet të përsëris fjalën time të 2 nëntorit kur edhe atëherë kemi shpreh ankesat për papërgatitjet e ASK për këtë proces. Na kemi informacionet që gjithë anëtarët e Komisionit Komunal për Regjistrim kanë marrë njoftim që regjistrimi është shtyrë deri të hënën, sa është e vërtetë na e thuani ju këtu. Konkursi për regjistrues ende vazhdon”, ka thënë ai në takimin e ftuar nga MAPL-ja, ku merr pjesë edhe kryeministri.
Lladrovci ka thënë se komuna e tij ka mungesë të zyrtarëve të regjistrimit, e sipas tij shumë prej tyre edhe e lënë punën. Ndërkohë, ai ka shtuar se ka mungesë të informacionit dhe buxhetit për këtë proces, duke theksuar paqartësitë mbi pyetësorin lidhur me dëmet e luftës.
“Unë nuk e di a kem të drejtë por unë kisha thënë që me shty edhe 2 javë procesin e regjistrimit se e kemi vështirë me kry mirë edhe ju qysh po kërkoni edhe ne qysh po duam”, ka thënë Lladrovci.
Të kundërtën e ka thënë kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi. Ai ka theksuar se procesi nuk ka nevojë të vonohet. Megjithatë, ka shprehur shqetësim edhe ai lidhur me pyetësorin që do të bëhet për dëmet gjatë luftës.
“Nuk është që jemi shumë krenarë me arkivat e Kosovës dhe të komunave. Të gjitha raportet, bie fjala arkivit tonë, kanë shku në arkivin e Kosovës. Që ta merrni arkivin ose dokumentacionin e arkivit duhet me pas takime specifikisht me diskutu për këto tema”, ka thënë Latifi.
Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se edhe kjo komunë ka pasur problem me numrin e zyrtarëve regjistrues.
Ndërsa, Kujtim Gashi, nënkryetar i Prizrenit, ka pohuar se procesi në këtë komunë është shtyrë për të hënën.
“Në komunën e Prizrenit nuk ka fillu regjistrimi dhe është shty për të hënën. Kjo sigurisht për çështje teknike që nuk ka arrit”, ka theksuar Gashi.
Nënkryetari i Ferizajt, Lulzim Aliu, ka thënë se procesi i regjistrimit të popullsisë është përgatitur shumë dobët. Ai është ankuar se Qeveria e ka kufizuar çështjen e regjistruesve duke mos u lënë hapësira komunave.
Sipas Aliut, nëse Qeveria nuk do t’i kufizonte, komuna do ta kryente pa problem procesin.
“Është shqetësim qysh ky proces me u përgatit kaq dobët, kaq keq. Nuk është sekret është dashtë me debatu me diskutu për secilën telashe. Tash flasim që nuk paguhen komisionet. Këtë mbledhje a kemi mundur ta mbajmë në Qeveri mos me shpenzu që me u mbajt ky takim. Por e kemi mbajt me një hotel... Edhe te na ka pas regjistrues që e kanë lanë punën... Na i kemi 42 kryetarë të fshatrave na veç me i angazhu ata, nuk ka pas kryetar që nuk i kish gjet 2-3 regjistrues. Po e keni kufizu në Qeveri”, ka thënë Aliu.
Kryetarët e komunave të Gjilanit, Shtimes, Mitrovicës së Veriut e Kaçanikut, kanë thënë se pavarësisht se presin sfida në procesin e regjistrimit të popullsisë, komunat e tyre janë përgatitur.
Në komunën e Mitrovicës së Veriut procesi i regjistrimit ka nisur qysh në mëngjes sipas Erden Atiqit.
“Në komunën e Mitrovicës së Veriut që për shumë arsye kemi më shumë sfida se ju komunat e tjera, në ora 8 ka filluar regjistrimi”, ka potencuar Atiq.
Drejtori i ASK-së, Avni Kastrati, ka kërkuar nga Qeveria dhe komunat që ta mbështesin në aspekt logjistik stafin në terren që merret me regjistrimin e popullsisë. Kastrati ka theksuar se nuk ka nevojë për afat shtesë për procesin, ndërsa ka shtuar se ASK-ja do të dërgojë ekipe shtesë.
“Nëse keni mungesë të regjistruesve, kemi kapacitete për me dërgu ekipe shtesë”.
“Në ditët në vijim do të jetë sfiduese për disa regjistrues të cilët kanë një distancë nëse keni mundësi me i mbështet në aspektin logjistik. Do të jetë sfiduese për regjistrues të ri e të reja por në parim regjistrimi i popullsisë nuk është kompleks, pyetjet janë të thjeshta dhe standarde”, ka thënë Kastrati.
Kurti: Të dhënat mbi popullsinë na ndihmojnë në orientimin e politikave
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se të dhënat mbi popullsinë do të ndihmojnë në orientimin e politikave.
Ai ka theksuar se kërkohet bashkëpunim i ngushtë me Agjencinë e Statistikave dhe komunat për të pasur sukses të procesit.
“Të dhënat mbi madhësinë dhe përbërjen e popullsisë do të na ndihmojnë në orientimin e politikave për qytetarët neve si qeveri juve si komuna dhe institucioneve të tjera. Angazhimi ynë i përbashkët është u domosdoshëm për të adresuar nevojat pa dallim. Cilësia e të dhënave nga pyetësorët është vendimtare për cilësinë e qeverisjes. Në këtë regjistrim të popullsisë është përfshirë pyetësori për dëmet nga lufta. Në frymë të bashkëpunimit u ftoj që të angazhohemi bashkë në këto dy procese kaq të rëndësishme”, ka thënë Kurti në takim me kryetarët e komunave.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se informacioni i grumbulluar nga sistemet e zakonshme të regjistrimit të popullsisë përdoret për qëllime planifikimi, buxhetimi dhe taksimi; për përcaktimin e përmbushjes së kritereve për të zgjedhur dhe për të pasur akses ndaj arsimimit, kujdesit shëndetësor, sigurimeve shoqërore, sistemeve të ndihmës ekonomike dhe pensioneve.
Ai ka thënë se të dhënat për numrin e banorëve ndikon në shumën e financimit të grantit qeveritar për komunën, si dhe në kohë emergjencash për të lokalizuar individët e prekur. Po ashtu, ka treguar edhe për një sërë aspektesh tjera ku të dhënat për qytetarët i ndihmojnë vetë këta të fundit.
“Ky proces nuk është thjesht një procedure burokratike; është gur themeli i qeverisjes moderne dhe zhvillimit shoqëror. Duke regjistruar me saktësi informacionin demografik, ne do të kuptojmë dhe t'i shërbejmë më mirë qytetarëve tanë, të promovojmë sigurinë publike, të mbrojmë të drejtat e njeriut si dhe të nxisim zhvillimin gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm”, ka thënë ai.