Për ndërtimin e Qendrës Kulturore Hebraike punimet kanë filluar të dielën në Prizren, me ç’rast pjesëtarë të komunitetit, diplomatë e zyrtarë institucionesh kanë pohuar se në këtë mënyrë pasurohet mozaiku shumëkulturor i qytetit të vjetër. Vlera e projektit që financohet nga MKRS-ja për restaurimin e kësaj ndërtese është afro 550 mijë euro.
Kanë filluar punimet restauruese në ndërtesën e Qendrës Hebraike Kulturore në Prizren.
Pjesëtarët e këtij komuniteti fetar, bashkë me diplomatë nga Izraeli dhe nga shtetet e tjera, sikurse edhe zyrtarë të institucioneve, të dielën kanë vlerësuar këtë moment, duke theksuar se në këtë mënyrë konfirmohet edhe një herë miqësia e kamotshme e shqiptarëve dhe hebrenjve.
Sipas tyre, kjo qendër do të vihet në shërbim të komunitetit hebraik, por edhe të të gjithë qytetarëve dhe vizitorëve të huaj.
Në të krahas sinagogës do të ketë hapësirë muzeale, galeri, bibliotekë, etj.
Nisja e punimeve drejt krijimit të qendrës shumëfunksionale për bashkësinë hebraike në Prizren është cilësuar si moment i ndjeshëm dhe me peshë të madhe nga kreu i kësaj bashkësie, Votim Demiri, i cili ka përkujtuar depërtimin e familjeve hebraike nga kjo lagje gjatë Luftës së Dytë Botërore.
shpirti i hebrenjve gjithmonë ka qenë pjesë e mozaikut të shoqërisë kosovare. Jam i sigurt që edhe në vazhdim do të jetë kështu", ka thënë Demiri.
Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv, ka vlerësuar përkushtimin e institucioneve të Kosovës për respektimin e komunitetit hebraik të Kosovës, si dhe historinë e bashkëjetesës së tyre në këtë vend.
“Përkushtimi i tyre dhe përpjekjet për krijimin e qendrës ku mund të prezantohet historia, por edhe të vëzhgohet në vazhdimësi është e një rëndësie të veçantë. Dhe shërben si një shembull se si duhet kujtuar dhe përqafuar e kaluara, duke i dhënë shpresë të ardhmes”, ka thënë Ziv.
E ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka pohuar se kjo qendër që është e para e këtij lloji në Kosovë sa i përket kombinimit të funksioneve, paraqet një konfirmim të qëndrimit të shoqërisë dhe Qeverisë së Kosovës për miqësinë me Izraelin e popullin hebraik.
“Ky është edhe një konfirmim i miqësisë mes dy popujve, popullit shqiptar dhe popullit hebraik, të cilët kanë një histori, e cila në fakt tregon shumë edhe për atë që po ndodh sot. Pra, sot po e shënojmë miqësinë shqiptaro-hebraike, por në të njëjtën kohë edhe bashkëpunimin shumë të mirë tashmë zyrtar mes Kosovës dhe Izraelit”, ka thënë ai.
Qendra Kulturore Hebraike dhe Sinagoga do të ndërtohen në Rrugën e Bujtinave, përkatësisht te “Qafa e Kishës”. Kjo ndërtesë në të shkuarën ka funksionuar si bujtinë ose hotel, dhe gjatë kohës ka ndryshuar destinimi i saj.
Kuvendi i Prizrenit në fund të vitit 2016 pati marrë vendim për dhënien në shfrytëzim afatgjatë të kësaj ndërtese për nevojat e Bashkësisë Hebraike të Kosovës, me qëllim të rinovimit dhe shndërrimit të saj në objekt fetar.
Vlera e projektit që financohet nga MKRS-ja për restaurimin e kësaj ndërtese është afro 550 mijë euro.