Arbëri

Nisin ndryshimet infrastrukturore në rrugën “Xhorxh Bush”, opozita me dyshime

Rruga "Xhorxh Bush"

Ka nisur të hiqet të martën gjelbërimi që ndan shiritat në rrugën “Xhorxh Bush” në kryeqytet. Rruga është mbyllur për qarkullimin e veturave që nga java e shkuar me arsyetimin se do të hapet sërish.

Në komunën e Prishtinës kanë thënë se rruga do të shtrohet me kalldrëm për t’iu përshtatur atmosferës së festave të fundvitit, për të cilat tashmë janë vendosur disa shtëpiza për organizimin tradicional, “Verë n’dimër”.

Në opozitë kanë ngritur dyshimin se veprimi përbën tendencë për shndërrimin e kësaj pjese në shesh për këmbësorët dhe për të mos u hapur më për vetura.

Gëzim Mehmeti, asamblist nga Aleanca Kosova e Re, ka thënë se vendimet, ekzekutivi i ka marrë pa konsultim me opozitën, teksa ka bërë të ditur se një studim ndërkombëtarë nga viti 2020 mbi ecurinë e komunikacionit pati treguar se rruga “Xhorxh Bush” nuk mund të mbyllet, pa ndërtimin e unazës së mesme dhe rrugëve anësore.

“Ky projekt është nga viti 2020, por jo si i tillë që të mbyllet e gjithë rruga, aty ka qenë e paraparë që të jetë pjesa e emergjencës, ku do të bëhet në një trase, çështja e zjarrfikëseve, emergjencës mjekësore, të ketë qasje, por mbyllja tërësisht afatgjate, nënkupton edhe kaos në Prishtinë. Në këtë rast ky është marr një vendim pa konsultim me opozitën, nuk është një vendim i tillë i cili ka kaluar në Kuvendin Komunal”, tha Mehmeti.

Image

Në Lëvizjen Vetëvendosje e kanë quajtur absurd vendimin e kryetarit, Përparim Rama. Ata thonë se ka indikacione që rruga nuk do të rihapet në janar.

E drejtorit për Shërbime Publike, Ilirik Musliu, ka thënë se nuk bëhet fjalë për mbyllje të përhershme të rrugës.

“Qëllimi pse e kemi mbyllur rrugën ka të bëjë me aktivitetet e festave të fundvitit. Aktiviteti kryesor i fundvitit do të zhvillohet në rrugën ‘Xhorxh Bush’, kjo është arsyeja pse e kemi mbyllur, pasi na nevojiten dy javë kohë për intervenime që na duhet t’i bëjmë aty për t’u implementuar projekti i festave të fundvitit për tu përshtatur me atë projekt. Rruga ‘Xhorxh Bush’ mbetet sheshi kryesor për festat e fundvitit. Nuk ka të bëjë me testin që të mbyllet unaza qendrore. Rruga do të hapet sërish pas datës 8 janar. Është e vërtetë që ishulli që ndanë në mes korsitë do të ketë disa intervenime”, tha Musliu.

Bekim Ahmeti, njohës i komunikacionit, ka thënë se vendimet për mbylljen e rrugëve, pa hapjen e korseve alternative, shkaktojnë kaos në komunikacion.

“Ne tani kemi tri rrugë, prej trive po i bëjmë dy, një po i mbyllim dhe dy po ngarkohet, imagjinoje tani fluksin e automjeteve, hiç pa statistika, e pa të dhëna elementare të komunikacionit, është e papranueshme edhe e pamundshme të lëvizë, ndoshta lëvizë por rritet koha nga një segment në tjetrin”, tha Ahmeti.

Rruga që çon nga hoteli “Grand” deri te kryqëzimi mbi katedralen, është mbyllur që nga e shtuna me qëllim të dekorimit të kryeqytetit për festat e fundvitit.