Arbëri

Nisin hetimet pas lëndimit të 12 minatorëve në “Trepçë”

minator

Prokuroria Themelore në Mitrovicë dhe Policia kanë nisur hetimet pasi një ditë më parë mbetën të lënduar 12 minatorë në Minierën e Stantërgut. Pas incidentit, Bordi i Trepçës ka shkarkuar drejtorin e minierës. E në Inspektoratin e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale thonë se nuk përjashtohen masat ndaj ndërmarrjes

Rrëzimi dhe çarja e një bidoni plastik me 1000 litra të acidit klorhidrik, me qëllim të futjes në horizontin e 11-të, për përdorim të pastrimit të gypave, la të lënduar një ditë më parë 12 minatorë të Minierës së Stantërgut të ndërmarrjes “Trepça”.

Për lëndimet që ndodhën, Prokuroria Themelore në Mitrovicë, në bashkëpunim me Policinë, gjatë së enjtes ka nisur hetimet.

“Lidhur me rastin, Inspektorati i Punës do të japë raport lidhur me rrethanat e këtij rasti, dhe varësisht nga të gjetjet do të vendoset”, kanë thënë në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë.

Pas këtij incidenti është shkarkuar ushtruesi i detyrës së drejtorit të Minierës së Stantërgut, Bahri Karaça. Por, ai ka thënë se nuk është fajtor për lëndimin e minatorëve, pasi theksoi se puna është organizuar nga drejtori i makinerisë.

“Kanë mujtë më m’ftu edhe me m’tregu që për këtë dhe këtë. Edhe këtë vërejtje pse e ke bërë, a këtë punë pse nuk e ke kryer, po absolutisht asnjë vërejtje nuk ma kanë dhënë gojarisht as me email”, u shpreh Karaça për vendimin e Bordit, për shkarkim të tij.

Në vend të Karaçës është emëruar Shyqri Sadiku. Lajmin për zgjedhjen në këtë detyrë e ka konfirmuar vetë ai.

KOHA ka dërguar pyetje në Bordin e “Trepçës” lidhur me shkarkimin e Karaçës, por nuk ka marrë përgjigje.

Ndërsa, lidhur me lëndimin e minatorëve, në Inspektoratin e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) pas inspektimeve fillestare në vendin e ngjarjes treguan se rreziku ka kaluar, sepse substancën e derdhur një pjesë e ka thithur toka dhe pjesa tjetër është avulluar dhe së bashku me ajrin e minierës janë nxjerrë jashtë saj.

Në përgjigjen e dhënë theksohet se mbetet të përpilohet raporti përfundimtar për të konstatuar nëse janë zbatuar rregullat e sigurisë në punë për bartje të materieve të rrezikshme.

“Si përfundim, Komisioni i inspektoratit të KPMM-së do të hetojë rastin në detaje dhe do të nxjerrë raportin profesional me gjetjet, konstatimet dhe rekomandimet, e po ashtu nuk përjashtohen edhe masat ndaj ndërmarrjes”, thuhet në përgjigjen e Inspektoratit të KPMM-së.

Dy nga 12 të lënduarit janë duke u trajtuar ende në Spitalin Rajonal të Mitrovicës dhe pritet që gjatë javës edhe ata të lirohen si të tjerët.

“Këta trajtohen me terapi lokale dhe sistemike. Dy janë të shtrirë, njëri është më lehtë, tjetri është lëndimi më i rëndë. Njëri lëndim është më i rëndë, në sy dihet”, deklaroi doktori kujdestar Burim Gashi.

Ish-ushtruesi i detyrës së drejtorit të Minierës së Stantërgut, Bahri Karaça, shprehu dyshime lidhur me lëndimet në incident.

“Këta punëtorë janë të njëjtit që e kanë bërë këtë punë edhe më herët, edhe viteve të tjera, edhe këtë vit e kanë bërë para 5-6 muajve këtë punë të njëjtë. Acide aty kanë marrë, atë sasi e kanë çu poshtë. Po tash qysh ka ndodhë aty, një moskujdesi apo mosorganizim i mirë ka ndodhë, ajo dhe është rrotullu, ajo boca që ka pasur acid”, ka theksuar Karaça.

Substancat kimike që janë derdhur brenda minierës kanë qenë Acid Klorhidrik (HCl) në përmbajtje 30-33 për qind, ndërsa punëtorët që kanë qenë të angazhuar në bartjen e tij menjëherë pas derdhjes në tokë i kanë hedhur ujë dhe e kanë zbutur përqendrimin e acidit.

Në bazë të inspektimeve nga Inspektorati i KPMM-së, punëtorët e caktuar për bartjen e substancës kimike kanë qenë të pajisur me Pajisje Personale Mbrojtëse si helmeta, çizme dhe dorëza pune.

“Komisioni do të hetojë nëse janë zbatuar si duhet procedurat gjatë transportit të substancave kimike”, thuhet tutje në përgjigjen e Inspektoratit.

Mbrëmjen e së mërkurës, minatorët e lënduar u vizituan nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila shprehu përkrahjen e nevojshme për ta.