Një pjesë e objektit të Qendrës së studentëve nga kjo e hënë, është shndërruar në qendër të testimeve serologjike.
Por, të hënën ka pasur qytetarë të cilët janë kthyer prapa në mungesë të një rekomandimi nga mjekët.
Testimi serologjik i cili i do të mund të identifikojë personat që janë në javën e parë të infektimit, që janë në fazën e avancuar apo ata që janë afër shërimit nga virusi sipas drejtorit të shëndetësisë Bujar Gashi, do të mbikëqyret nga një grup i ekspertëve të angazhuar nga Komuna e Prishtinës.
Derisa gjatë këtyre ditëve kapaciteti i këtij laboratori do të jetë deri në 100 teste, sipas Gashit, me pranimin e dy aparaturave të tjera, pritet të rritet numri i tyre.
Komuna e Prishtinës, së cilës blerja e 10 mijë testeve i ka kushtuar rreth 100 mijë euro, është ndër të vetmet e cila ka nisur testimi serologjik të qytetarëve të saj.
Kryetari i Asociacionit të komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, thotë se janë edhe dy komuna të cilat gjatë ditëve në vazhdim mund të nisin testimet, por që ata presin ndihmën nga niveli qendror për këtë çështje.
Ministri i Shëndetësisë të hënën nuk ka mundur të japë një datë se kur komunat e tjera do të kenë në dispozicion aparaturat për testimin PC real time dhe gjithashtu testimet serologjike.
Deri tani të gjitha testet në Kosovë janë kryer me metodën PCR që llogaritet një nga metodat me të sakta.
Ndërsa, testet serologjike që kryhen brenda disa minutash shihen nga shumë organizata ndërkombëtare me dyshim, për shkak të përqindjes se madhe të gabimeve, dhe nuk rekomandohen për diagnostikim, por vetëm për hulumtime shkencore.