(E përditësuar) - Deputetë të Kosovës e të Shqipërisë janë bërë bashkë sot në Prishtinë.
Në javët e fundit të mandatit të dy legjislaturave, kuvendet e të dyja shteteve po mbajnë seancë të përbashkët.
Para nisjes së seancës është zhvilluar një takim i përbashkët në mes të kryeparlamentarit të Kosovës, Glauk Konjufca, kryeparlamentares së Shqipërisë, Elisa Spiropali, kryeministrit të Kosovës Albin Kurti e atij të Shqipërisë, Edi Rama.
Që të gjithë pritet që në seancë t’u drejtohen deputetëve.

Seanca është caktuar në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës që është mbajtur të hënën e kësaj jave.
Pas kësaj mbledhjeje shefja e deputetëve të partisë në pushtet – Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se kjo do të jetë mundësi e mirë që të reflektohet për prioritetet e mandateve të ardhshme të dy parlamenteve.
Policia e Kosovës ka njoftuar se me rastin e mbajtjes së seancës së përbashkët, sipas detyrës zyrtare, Policia do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike gjatë kohës së lëvizjes së eskortave dhe qëndrimit të delegacioneve shtetërore në Kosovë.
Policia ka paralajmëruar se në intervale të shkurtra kohore do të ketë bllokim të disa rrugëve.
“Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortave zyrtare, nën përcjellje dhe sigurim, sipas itinerarit të lëvizjeve si dhe zhvillimit të aktiviteteve sipas agjendës, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurta kohore) të disa segmenteve rrugore (ku pritet të kalojnë eskortat) dhe në afërsi të objekteve shtetërore, ku do të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”, thuhet në njoftim.
Deklarata e përbashkët Kosovë-Shqipëri - Dënohen sulmet në veri, thirrje Serbisë t’i dorëzojë autorët
Deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe Shqipërisë miratuan sot deklaratën e përbashkët të të dyjave vendeve përmes të cilët synohet ecja përpara.
Kjo deklaratë e përbashkët u lexua nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca .
Kryekuvendari u shpreh se qëllimi i kësaj mbledhje ishte koordinimi i agjendës kombëtare për realizimin e objektivave strategjik të të dyja vendeve.
“Qëllimi i mbledhjes është koordinimi i agjendës kombëtare për realizimin e objektivave tona strategjike, anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian brenda kësaj dekade, integrimin euroatlantik të Kosovës, anëtarësimin tonë në NATO dhe BE, dhe njohjen përfundimtare të Kosovës si realitet i pakthyeshëm gjeopolitik, mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve, si dhe rritjen e kontributit të faktorit shqiptar për zhvillim, për demokratizim, për paqe e për sigurinë në rajon dhe më gjerë”, theksoi ai.
Gjatë leximit të kësaj deklarate të përbashkët, Konjufca tha se asnjëherë bashkëpunimi mes të dyja vendeve nuk ka qenë më intensiv.
“Të dy kuvendet e konfirmojnë nivelin strategjik të bashkëpunimit dypalësh. Në tërësinë e marrëdhënieve që dy vendet kanë dhe zhvillojnë në rajon, marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës e kanë reciprokisht rëndësinë parësore. Sfidat e Kosovës janë edhe sfidat e Shqipërisë dhe sukseset e Kosovës janë edhe ato të Shqipërisë dhe anasjelltas. Marrëveshja e nënshkruar mes dy kuvendeve në shtator të vitit 2022 ka institucionalizuar bashkëpunimin tonë dhe i ka dhënë edhe një mbështetje të re shtytëse bashkëpunimit mes qeverive dhe institucioneve tona dhe forcimit dhe komunikimit ndër-njerëzor dhe lidhjeve mes qytetarëve të të dyja vendeve”, tha Konjufca.
Në këtë deklaratë thuhet se është shqetësues mostrajtimi i aplikimit të Kosovës për statusin vend kandidat në BE.
“Anëtarësimi në BE brenda vitit 2030 është objektiv strategjik dhe kombëtar i Shqipërisë, një qëllim ambicioz por plotësisht i merituar në bazë të arritjeve dhe përparimit të Shqipërisë. E vlerësojmë dhe inkurajohemi që samiti BE-Ballkani Perëndimor ri-konfirmoi politikën e zgjerimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor që synojnë të jenë pjesë e BE-së. por vijojmë të jemi të brengosur pse Kosova nuk po trajtohet. Aplikacioni i Kosovës për statusin e vendit kandidat nuk po trajtohet qe nga 15 dhjetori 2021. Kosova është i vetmi vend në rajon që nuk e ka fituar ende këtë status. Kosova e meriton statusin vend kandidat në BE”, u shpreh Konjufca.
Ai tha se të dyja kuvendet i dënojnë sulmet në territorin e Kosovës dhe i bëjnë thirrje Serbisë t’i dorëzojë autorët e tyre.
“Duke i bërë thirrje Serbisë që ta dorëzoj në Kosovë terroristin Milan Radojçiq që qëndron pas këtij sulmi dhe të gjithë të tjerët të përfshirë në mënyrë që ata të dalin para drejtësisë në Kosovë. Ndërkohë i bëjmë thirrje Serbisë të tërhiqet nga qasjet e deritashme penguese për zbardhjen e këtij akti të rëndë të agresionit me pasoja destabilizuese dhe më gjerë“, tha ai.
Kuvendi i Kosovës dhe Shqipërisë mbledhjen e parë të dy kuvendeve e zhvilluan më 27 nëntor 2022./KP
Haradinaj kritikon Kurtin, disa ministra dhe deputetë largohen nga salla
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti, në mbledhjen e përbashkët të kuvendeve të Kosovës dhe Shqipërisë.
Ai para të pranishmëve e quajti mashtrues kreun qeveritar derisa tha se përmes hapave të gabuara të tij po cenohen raportet me aleatë.
“Hapat e pakoordinuar të Qeverisë, bënë që Serbia të shihet si viktimë. Kosova është në të njëjtin thes me Korenë e Veriut nga kryeministri Kurti dhe qeveria e tij. Kryeministri ynë ka shkuar deri aty sa Blinkenin e ka quajtur naiv”.
Gjatë fjalimit të tij, u larguan nga salla plenare disa prej ministrave nga kabineti qeveritar kosovar dhe një pjesë e deputetëve të pushtetit.
Haradinaj tha se edhe mbajtja e mbledhjes së përbashkët në kohe zgjedhje nuk është shumë e hijshme./ KosovaPress
Kurti: Shqiptarët në shtetet fqinje meritojnë vëmendje më të madhe
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përmendur të arriturat e përbashkëta Kosovë-Shqipëri, por ka shtuar se ka ende punë për t’u bërë.
Ai ka thënë se kanë obligim jo vetëm ndaj qytetarëve të të dyja shteteve, por edhe ndaj shqiptarëve në Maqedoni të Veriut, në Mal të Zi e sidomos ata në Serbi.
“Shqiptarët nën Serbi janë komuniteti etnik më i diskriminuar në Evropë, prandaj ata meritojnë vëmendje më të madhe në bashkërendimin e politikave rajonale të Shqipërisë dhe Kosovës. Shqiptarët nuk janë fajtorë që janë autoktonë”, ka thënë ai para deputetëve të Kosovës dhe Shqipërisë.
Kurti ka veçuar katër kategori që sipas tij qeveritë duhet t’u kushtojnë më shumë rëndësi.
“Edhe në Kosova edhe në Shqipëri besoj që duhet ti kushtojmë rëndësi të posaçme katër kategorive: aktivizimit dhe të drejtave të grave, rinisë, diasporës dhe zhvillimit të fshatit e malësive tona”.
“Në buxhetin e vitit të ardhshëm kemi ndarë si Qeveri e Kosovës katër milionë euro për Luginën e Preshevës. Uroj të shërbejë kjo si një shembull edhe për Shqipërinë”, ka thënë Kurti.
Rama: Kosova ta ngrijë dialogun bilateral me Serbinë, normalizimin ta synojë me dialog me BE-në
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka theksuar se Kosova duhet ta ngrijë dialogun me Serbinë dhe normalizimin e marrëdhënieve me të ta synojë përmes dialogut bilateral më Bashkimin Evropian.
“Në këtë fazë kaq vendimtare për rrugën e saj të integrimit evropian dhe euroatlantik Kosova duhet ta ngrijë, ta ftofi siç thoni ju, pa afat dialogun bilateral me Serbinë dhe normalizimin e marrëdhënieve me fqinjin verior duhet ta synojë përmes dialogut biletaral me BE-në, duke e këputur kërthizën e reciprocitetit nacionalist me Serbinë dhe duke e lidhur kërthizën e reciprocitetit evropianist me BE-në”, ka theksuar Rama në fjalimin e tij para deputetëve në seance e përbashkët të kuvendeve Kosovë-Shqipëri.
Ai ka folur për rrugën e të dy vendeve drejt integrimit në BE.
“20 vjet më parë, presidenti Ibrahim Rugova tha diçka edhe për ne sot duke na kujtuar, citoj ‘objektivat e përbashkëta të Kosovës dhe Shqipërisë, janë integrimi në BE, në NATO dhe në miqësi permanente me SHBA-në’, e themi me bindje të plotë që sot shqiptarët në përgjithësi janë në rrugë të progresit, janë populli më dinamik në këtë pjesë të Evropës dhe botës dhe kanë shansin të hynë në familjen evropiane”, ka theksuar Rama.
Por sipas Ramës do të ishte më mirë që këtë rrugëtim Kosova dhe Shqipëria ta bënin krah për krah me njëra-tjetrën.
“Ndërkohë që Shqipëria ecën tanimë me hapa të shpejt në rrugëtimin e saj, për tu bashkuar me Evropën, paramendojeni se sa krenar do të bëheshin të gjithë shqiptarët, se çfarë vlere me të madhe do t’i jepnim emrit të shqiptarit dhe forcës së shqiptarisë kudo ku shqiptarët jetojnë sikur në këtë udhëtim të ishim krah për krah me Kosovës, sikur edhe Kosova të shkëlqente ndërkombëtarisht ... sikur në sofrën e kombeve të Ballkanit të ishim së bashku në krye të vendit”.
Rama: Barra për degradimin e dialogut t’i bjerë Serbisë
Ai i ka quajtur absurde masat e BE-së të vendosura ndaj Kosovës.
“Dëshira ime e zjarrtë është që të mos jemi njëri në tryezën e negociatave për anëtarësim në BE, kurse tjetri në listën e sanksioneve të BE-së, të cilat meqë ra fjala janë një aubsuditet absurt ... Bashkë me presidenten në Samitin me BE-në dy ditë më parë kemi këmbëngulur që ato masa të hiqen”.
Ai ka thënë se faji për degradimin e dialogut Kosovë-Serbi duhet t’i bie Serbisë.
“Ne do të jemi dorë për dore, paqedashës e paqeruajtës për t’i bindur edhe skeptikët më të mëdhenj në BE për absurditetin e rezervave të tyre në njohjen e Kosovës si shtet sovran dhe në sytë e tyre barra e fajit për degradimin e dialogut të normalizimit duhet t’i bjerë, e gjitha vetëm Serbisë, por kurrsesi nuk duhet të lejojmë që qoftë vetëm një gram t’i bjerë Kosovës”.
“Ne duam që Republika e Kosovës të njehet një orë e më parë nga të gjitha ato vende evropiane që sot e gjithë ditën ngurrojnë ta pranojnë realitetin e pakthyeshëm dhe të pandryshueshëm të pavarësisë së saj, përfshirë edhe nga vetë Serbia të cilën Kosova e ka mundur me luftë këtu e 20 vjet më parë”, ka shtuar ai.
Rama: Standardet e Speciales mund të jenë të varura nga gjykatësit
Rama në fjalimin e tij ka folur edhe për shqetësimet që ka sa i përket pavarësisë së Gjykatës Speciale.
Ka thënë se Gjykata është e pavarur, por sipas tij, standardet mund të jenë të varura nga gjykatësit.
“Nuk e kam diskutuar e as nuk e diskutoj të drejtën e asaj Gjykate Speciale për të bërë punën që ia ka ngarkuar edhe vendimmarrja e kësaj salle, ku edhe vetë Hashimi ka ngritur dorën për të formuar atë Gjykatë, por ajo që nuk vi dot deri këtu në Prishtinë, që të marr fjalën dhe pastaj ta gëlltis në heshtje, në mungesë të Hashimit, në mungesë të Kadriut, në mungesë të Jakupit, në mungesë të Rexhepit është nyja e mbledhur në fyt, nga një dyshim shumë i madh dhe krejt i arsyeshëm se ai proces është një proces i parregullt ligjor dhe se normat dhe standardet e tij janë nën standardet e drejtësisë të të gjitha vendeve demokratike që e financojnë atë far gjykate”, ka theksuar Rama.
Ai ka thënë se Gjykata Speciale në çdo hallkë ka zhgënjyer këdo që ka pritur prej saj virtytet e drejtësisë së një shteti të së drejtës.
Gjithashtu ka kritikuar Kuvendit e Kosovës që nuk kanë ndërmarr një hap për miratim të një Rezolute me të cilën do të kërkohet që të adresoheshin shqetësimet lidhur me pavarësinë e Gjykatës Speciale.
“Nuk rri dot gjithashtu pa u thënë çudinë time për faktin që në këtë sallë nuk është ndërmarr asnjëherë, asnjë nismë për të kërkuar përmes një rezolutë, të mbështetur nga të gjitha partitë politike, të paktën shqiptarët, të gjitha vendeve që janë financuese të asaj gjykate shqetësimin e madh mbi standardet e atij procesi dhe për të ngritur një komision verifikimi për këto shqetësime.
Osmani: Kosova e Shqipëria ta ngrenë zërin kundër shkeljeve të të drejtave të shqiptarëve
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë thirrje që Kosova dhe Shqipëria të forcojnë koordinimin e bashkërendimin.
Nga foltorja e Kuvendit të Kosovës ajo ka thënë se autoritetet e të dyja shteteve duhet ta ngrisin zërin më shumë se kurrë për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe atyre në Maqedoninë e Veriut.
“Është me rëndësi unifikimi i politikës sonë të jashtme, si dhe bashkëpunimi në mbrojtje të pavarësisë të Kosovës dhe sovranitetit tonë dhe në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve kudo që jetojnë. Shqiptarët në Luginë i kanë sytë kah ne, atyre vazhdimisht u shkelen të drejtat, derisa bota demokratike po i mbyll sytë. Duhet ta ngrisim zërin më shumë se kurrë që të ndërpriten këto shkelje. Derisa po flasim akoma ekzistojnë tendenca për të shkundur themelet mbi të cilat është ndërtuar Maqedonia e Veriut, pra për të destabilizuar edhe këtë vend duke larguar të drejtat e shqiptarëve. Nuk duhet të qëndrojmë as të heshtur e as t’i mbyllim sytë para këtyre tendencave të qarta”, ka thënë ajo në seancën e përbashkët të kuvendeve të Kosovës dhe Shqipërisë.
Osmani ka theksuar se shtetet duhet ta shfrytëzojnë momentin për të ndërtuar unitet.
“Një Shqipëri më e fortë, do të thotë një Kosovë edhe më e fortë. Një Kosovë më e suksesshme e ngrit edhe më lart Shqipërinë. Historia nuk do të na gjykojë me dashamirësi nëse nuk arrijmë ta shfrytëzojmë këtë moment për të ndërtuar harmoninë dhe unitetin e domosdoshme”.
Për t’i tejkaluar pengesat me të cilat përballet, Osmani ka thënë se Kosovës i duhet mbështetja e vazhdueshme e Shqipërisë.
“Fatkeqësisht pengesat me të cilat Kosova përballet janë tejet të mëdha. Padrejtësisë ndaj popullit të Kosovës sa vijnë e rriten. Për t’i tejkaluar këto pengesa suksesshëm na duhet mbështetja e vazhdueshme e Shqipërisë. BE do jetë më i sigurt, më i qëndrueshëm e më i plotë me shtetet tona si pjesë e tij. Anëtarësimi në NATO do t’i japë fund përfundimisht apetiteve të Serbisë ndaj Kosovës. Për ta arritur këtë të ardhme është jetike ta forcojmë koordinimin, bashkërendimin mes shteteve tona”, ka thënë ajo.
Spiropali u bën thirrje ta njohin Kosovën 5 shteteve mosnjohëse
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka thënë se Kosova e Shqipëria ecin së bashku dhe sukseset e tyre janë të pandashme.
Spiropali nga foltorja e Kuvendit të Kosovës ka bërë thirrje për pesë shtetet që nuk e njohin Kosovën, që ta bëjnë këtë.
“Ne shkëmbejmë ide, pasione të përbashkëta, ëndrra dhe mallra, vizione dhe shpresa, si dhe bashkërendojmë plane e strategji të mirëkuptuara në rrugëtimin drejt Evropës. Realizimi i objektivit tonë anëtarësimi në BE, integrimi euroatlantik i Kosovës dhe njohja përfundimtare e saj si realitet i pakthyeshëm, rritja e rolit të faktorit shqiptar, stabiliteti për paqe dhe siguri, janë detyrat tona, themeli i së ardhmes sonë”.
“Kosova është prioritet kombëtar i Shqipërisë, Shqipëria është prioritet kombëtar i Kosovës. Suksesi i njërës, është kusht i parë edhe për suksesin e republikës tjetër”, ka thënë ajo.
Ajo ka shtuar se pavarësisht debateve ditore, partneriteti në mes të dy shteteve është mjeti i vetëm për të përballuar sfidat.
“Besojmë se vetëm partneriteti i plotë, përtej debateve e kundërshtive për ngjarjet e ditës, është i vetmi mjet i arsyeshëm i Tiranës dhe Prishtinës për të përballuar sfidat e tyre në një mjedis gjeopolitik që shfaqet herë-herë edhe armiqësor”.
Spiropali ka theksuar se Shqipëria mbështet lëvizjet e Qeverisë së Kosovës për sundim të ligjit në të gjithë territorin.
“Ne mbështesim përpjekjet shumëplaneshe të Qeverisë së Kosovës, shtetit të Kosovës, forcave në Kosovë, për garantimin e ligjit në çdo hapësirë të Republikës së Kosovës në partneritet të ngushtë me partnerët tanë”.
Konjufca: Kosova dhe Shqipëria janë bashkë në çdo rrethanë dhe pa asnjë kusht
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, e ka nisur fjalimin e tij para deputetëve të dy kuvendeve me përmendjen e sulmeve në veri nga grupe serbe vitin e kaluar dhe sivjet. E, më pas ai ka thënë se Kosova e Shqipëria pavarësisht rrethanave janë gjithmonë për njëra-tjetrën.
“Kosova dhe Shqipëria janë me njëra-tjetrën në çdo rrethanë dhe pa asnjë kusht, duke qenë se ne nuk mund të përfaqësojmë tjetër gjë përveç se interesin kombëtar të kombit që për ne është i përbashkët”.
Ai ka falënderuar Qeverinë e Shqipërisë që ka qenë e zëshme për mbrojtjen e interesave të Kosovës dhe mbrojtjen e shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“E drejta e Kosovës për mbrojtjen e sovranitetit dhe integriteti, forcimit ligjit, nuk mund të konsiderohen cenim i fqinjësisë së mirë dhe as përshkallëzim i raporteve me fqinjët. Është Serbia që nuk na e pranon as statusin e fqinjit por ambiciet e saj hegjemoniste vazhdon t’i ketë të kodifikuara në Kushtetutë. Nuk mund të ketë normalizim pa pasur njohje reciproke si dy subjekte sovrane. Ne themi vetëm kjo është zgjidhja për relacionin mes Kosovës dhe Serbisë dhe jemi të bindur se kjo do të ndodhë sepse e kemi në krah Republikën e Shqipërisë”, ka thënë Konjufca.