Adrian Berisha, drejtor i Drejtorisë për Kulturë dhe Mimoza Sylejmani pjesë e kabinetit të kryetarit të komunës, Shpend Ahmeti, në një intervistë në emisionin “038” kanë treguar se si do të duket sheshi.
Berisha ka thënë se rregullimi i sheshit do të përfundojë gjatë muajit nëntor, ndërkohë që nga 1 dhjetori do të ndien dritat dhe do të fillojë aktiviteti “Verë në dimër”.
Për këtë aktivitet, janë vendosur 26 shtëpiza në sheshin “Skënderbeu”. “Shtëpizat janë vendosur, sh presojmë të gjejmë edhe donatorë privat për të vendosur skenën dhe nga 1 dhjetori do të nisë aktiviteti”, ka thënë ai.
Sylejmani ka thënë se para tri vjetëve kanë vendosur që të jetë kontratë kornizë për dekorimin e kryeqytetit dhe këtë vit do të përfundojë.
Ajo ka thënë se për tri vite rresht dekorimi ka nisur me 1 nëntor dhe ka zgjatur rreth një muaji.
Sylejmani ka thënë se në sheshin “Skënderbeu” ka një distancë më të madhe dhe vendosja e shtëpizave është deri në një metër e gjysmë larg njëra-tjetrës.
“Pas shumë diskutimesh kemi ardhur në përfundim që këtë vit të jetë më elegant dekorimi. Bredhi do të jetë në tri lokacione, te sheshi ‘Skënderbe’, ‘Zahir Pajaziti’ dhe sheshi ‘Adem Jashari’. Jemi munduar që të përdorim sa më pak ngjyra. Çdo vit Komuna e Prishtinës japin 50 mijë euro për dekorim”, ka thënë ajo.
Sipas saj, kontrata kornizë ka ardhur pas dritës së gjelbër nga Zyra e Prokurimit.
Sylejmani ka thënë se gjatë dhjetorit ka edhe turistë të cilët vijnë për të parë dekorimin.
“Ne kemi diskutuar që disa shtëpiza të vendosen edhe te kurrizi, edhe në Kodrën e Trimave ose në Ulpianë te Fontana. Këtë vit kjo gjë nuk bëhet. Ne kemi qenë skeptik edhe për shkak të pandemisë”, ka thënë ajo.