Të enjten ka nisur rishqyrtimi i rastit të vrasjes së aktivistit nga Kosova, Enver Hadri, që ishte vrarë në 1990-n në Belgjikë.
Në këtë rast procedurat do të nisin për rishqyrtim ndaj Veselin Vukotiqit dhe Andria Drashkoviqit. Vajza e Hadrit, Teuta Hadri, ka deklaruar në Facebook se avokatët e Drashkoviqit po tregohen agresivë “dhe po bëjnë gjithçka që munden për ta shfajësuar dhe liruar atë”.
Ajo është shprehur se mediat serbe po shpërndajnë informata të rreme në lidhje me këtë çështje, derisa ka bërë thirrje që qytetarët të mos bien pre e tyre.
“Avokatët e palës kundërshtare, pra, avokatët e Draskovic-it, po tregohen shumë agresivë dhe po bëjnë gjithçka që munden për ta shfajësuar dhe liruar atë. Ju lutem që të mos bini në kurthin e dezinformatave të përhapura nga mediat serbe dhe të mos shpërndani këto informacione në rrjetet sociale. Ne, shqiptarët e Kosovës, jemi të vetëdijshëm për mjeshtërinë e fqinjëve tanë serbë në dezinformim kur bëhet fjalë për shtrembërimin apo fshehjen e së vërtetës. E vërteta juridike del në gjyq dhe jo përmes mediave gjatë procesit gjyqësor”, ka thënë Hadri.
Ajo tutje ka njoftuar se familjarët e aktivistit të ndjerë do të marrin pjesë në gjyq.
“Që unë dhe familja jonë të mund të marrim pjesë në gjyq me qetësi, ju falënderoj që të mos kontribuoni në këtë dezinformim strategjik nga mediat serbe. “Përça e sundo” ka qenë gjithmonë motoja e tyre për të mbjellë dyshime brenda komunitetit tonë, dhe shpërndarja e këtyre informacioneve nuk ju bën ekspertë në këtë çështje komplekse të vrasjes së babait tim, por kukulla të mediave manipuluese serbe”, ka thënë tutje vajza e Hadrit.
Hadri u vra me plumb në kokë më 25 shkurt të vitit 1990 në Saint-Gilles të Belgjikës teksa ishte duke pritur në semafor me veturë. Ai kishte me vete listën e 32 shqiptarëve të vrarë në Kosovë nga Serbia të cilën do t'ia dorëzonte të nesërmen Komisionit të të Drejtave të Njeriut në Parlamentin Evropian.