Arbëri

Nis punën Komisioni, do t’i kërkohet Serbisë ta pranojë se ka kryer gjenocid

Vetëm tri ditë pasi Kuvendi i Kosovës ia dha dritën e gjelbër, Komisioni i përkohshëm për hartimin e projektrezolutës për gjenocidin dhe krimet e kryera në Kosovë, është takuar.

Në këtë takim është punuar në një draft, një kopje të të cilit e ka parë KTV-ja, e i cili rikujton konventat ndërkombëtare për gjenocidin, duke i ballafaquar me faktet e krimeve serbe në Kosovë.

Ndër faktet e përmendura në të janë vrasja e mbi 13,000 civilëve, viktimat e dhunës seksuale, dëbimi i mbi 1 milion shqiptarëve nga shtëpitë e tyre dhe mbi 1,600 persona ende të pagjetur.

1,393 fëmijë shqiptarë të vrarë
1,379 gra shqiptare të vrara
Rreth 10,000 civilë të vrarë
Rreth 20,000 femra, viktima të dhunës seksuale
Mbi 1 milion të dëbuar nga shtëpitë e tyre
Mbi 1,600 persona të pagjetur

Me rezolutën, e cila ende është në fazat e para, është propozuar data 15 janar për ditën e përkujtimit të gjenocidit ndaj shqiptarëve në Kosovë.

Ndër kërkesat që pritet të dalin nga rezoluta, është edhe ajo që Serbia ta pranojë se ka kryer gjenocid në Kosovë dhe t’i dënojë fajtorët, ta ndriçojë fatin e të pagjeturve dhe t’i riparojë dëmet e shkaktuara.

Gjithashtu, do të punohet në plotësimin e legjislacionit, që mohimin dhe arsyetimin e gjenocidit, ta bëjë të ndëshkueshëm.

Së voni, ka pasur raste nga zyrtarë të Listës Serbe që ishin pjesë e qeverisë, e të cilët kanë mohuar masakrat e krimet e kryera nga pushteti serb në Kosovë.