Për një kohë të gjatë do të qëndron e mbyllur rruga kryesore në Lipjan, “Lidhja e Prizrenit”, derisa aty ka nisur ndërtimi i një nënkalimi nga komuna në vlerë prej 6 milion eurosh.
Në këtë aks të rrugës vite më parë ish-qeverisja e PDK-së pati investuar gati po aq mjete për ta ndërtuar të njëjtën rrugë me katër korsi.
Gjatë përurimit të këtij projekti, kryetari i komunës Imri Ahmeti ka thënë se është ndër projektet më madhore për komunën e Lipjanit, në të cilin janë të integruara katër projekte lidhëse, për ta lehtësuar qarkullimin e qytetarëve dhe zgjidhur problemet e trafikut. Sipas tij, qyteti i Lipjanit do të transformohet në një qytet multifunksional për mirëqenien e qytetarëve.
“Ky është një ndër projekte më të mëdha të Komunës së Lipjanit i cili kap vlerën e mbi 6 milionë euro, i cili përfshinë katër projekte të integruar në një projekt dhe do të mundësoj zgjidhjen e problemit me trafikun e dendur. Është një ndër projektet më madhore të qytetit të Lipjanit që besoj që do të ja ndërroj pamjen tërësisht qytetit. Ne kemi identifikuar nevojën e madhe të parkingut, nevojën e madhe të parkut, pastaj integrimin e sheshit dhe zgjidhjen e problemeve të trafikut. Janë katër projekte të integruar në një projekt. Është një projekt që do t’i zgjedh njëkohësisht të gjitha problemet që kanë të bëjë me parkingun, do të ketë parkun qendror të qytetit por edhe vazhdimin e sheshit”, ka thënë Ahmeti.
{gallery}
Ai ka shtuar se projekti do të zgjatë rreth tre vjet.
Rreth këtij projekti ka reaguar edhe Arsim Jashari, shef i grupit të Kuvendarëve të PDK-së, i cili ka thënë se ish-qeverisja e kaluar pati investuar miliona euro për ndërtimin e këtij aksi të rrugës, ndërkaq qeverisja e LDK-së po e dëmton atë projekt për ta ndërtuar një nënkalim.
“Kemi mbajtur takime me përfaqësuesit e bizneseve të cilët po ankohen se do të dëmtohen mjaftë shumë derisa ky projekt të finalizohet, ndërkaq komuna nuk u ka premtuar asnjë mbështetje apo subvencion për të mbijetuar ato. Sa i përket këtij akti ish qeverisja e PDK-së pati investuar miliona euro ndërkaq tash qeverisja e LDK-së po e dëmton atë duke marrë shembuj të nënkalimeve në qytete të tjera. Sidoqoftë, ne kërkojmë që të punohet me intensitet të shtuar me qëllim që bizneset mos të dëmtohen gjatë punimeve”, ka thënë Jashari.