Arbëri

Nis numërimi i votave për kandidatë në 8 komuna

Numerimi i votave

Foto: Driton Paçarada

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se ka nisur procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë në Qendrat Komunale të Numërimit në Suharekë, Ferizaj, Vushtrri, Kaçanik, Novobërdë, Prizren, Shtime dhe Junik.

KQZ-ja ka njoftuar se numërimi po bëhet në 26 qendra komunale.

“Deri më tani, më 11 dhe 12 shkurt, procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikimit të votave të subjekteve politike nga formularët të cilët janë plotësuar në vendvotime ka filluar në QKN-të e komunave: Deçan, Gjakovë, Drenas, Gjilan, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Skënderaj, Shtërpcë, Viti, Ranillug, Partesh, Kllokot, Mitrovicë e Veriut dhe Hani i Elezit”, thuhet në njoftimin e publikuar në Facebook.

Telashet me rrymë kanë penguar procesin e numërimit të votave të zgjedhjeve të 9 shkurtit në Shtime.

 

Në sallën e sporteve në shkollën “Emin Duraku” nuk ka rrymë që nga ora 16:30. KOHA ka mësuar se komisionerët kanë vendosur të ndërpresin për sonte numërimin.

 

Procesi i numërimit të votave për kandidatët dhe verifikimi i votave të partive në këtë komunë ka nisur të enjten pasdite, sipas njoftimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Procesi i numërimit të votave po zhvillohet në shumicën e komunave.