Arbëri

Nis ndërtimi i çerdhes publike në Godanc të Shtimes

Është vënë gurthemeli për ndërtimin e çerdhes publike në fshatin Godanc të Shtimes. Projekti që ka vlerë rreth 400 mijë euro dhe mbështet nga Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Arsimit.

Ajo do të ketë kapacitet për rreth 70 fëmijë.

Gjatë vendosjes së gurthemelit në këtë ceremoni ishte i pranishëm edhe kryeministri, Albin Kurti, i cili me këtë rast ka thënë se së shpejti do të nisë edhe ndërtimi i disa çerdheve të tjera në komuna të ndryshme. “Edukimi i hershëm është vendimtar për karakterin dhe tejet i rëndësishëm për karrierën e këtyre fëmijëve një ditë kur ata të rriten dhe do të vazhdojnë në punët e mira që i bën brezi ynë, por edhe për brezat e ardhshëm. Qeveria deri më tash ka investuar prej 10.7 milion eurosh para të buxhetit për çerdhe dhe janë edhe 5 milion të tjera për IPA fonde të Bashkimit Evropian ... Kjo është çerdhja e 31, në mesin e atyre që i kemi ndërtuar, rinovuar dhe adaptuar”, ka thënë Kurti.

Ndërkaq, ministrja e arsimit Arbërie Nagavci, ka theksuar se deri në fillim të muajit të ardhshëm do të finalizohet edhe çerdhja e cila është duke u ndërtuar në Muzeqinë të Shtimes.

“Kemi paraparë për vitin e ardhshëm një çerdhe në Petrovë të cilat janë disa nga investimet për këtë komunë. Ndërkaq, kjo është njëra nga 6 çerdhet e reja që do t’i vendosim gurthemelet në javët në vazhdim. Jemi të gatshëm të investojmë në të gjitha komunat të cilat e kanë dokumentacionin e nevojshëm për ndërtimin e çerdheve të reja, ashtu që nevojat të jenë të bazuara në statistika të sakta që mos të ketë investime në zona ku nuk ka fëmijë, por investimet bëhen në zonat për të ofruar mundësi për fëmijët tanë”, ka thënë Nagavci.

Qemajl Aliu, kryetar i Komunës së Shtimes, ka deklaruar se po fillon një çerdhe e cila është e domosdoshme derisa në këtë territor jetojnë mbi 5 mijë banor. “Një çerdhe e cila do të kushtoi diku rreth 400 mijë euro dhe në afat prej 2 vjetësh. Do t’i ketë rreth 70 shtretër për të vegjlit, andaj kemi nderin që t’i falënderojmë kryeministrin dhe ministren për këto investime. Ne kemi fatin që me projektet tona nga një çerdhe sa ishte në komunën e Shtimes t’i shtojmë brenda mandatit edhe tri çerdhe të tjera”, është shprehur Aliu.