Arbëri

Avokatët e dëmtuarve kërkojnë burgim të përjetshëm për të akuzuarit e sulmit në Banjskë

Gjykimi në rastin Banjska më 17 prill 2025

Gjykimi në rastin Banjska më 17 prill 2025

Foto: Driton Paçarada

Deklarimet e avokatëve dhe të akuzuarve

(E përditësuar 11:55) - Ndërkohë avokati i të pandehurit Blagoje Spasojeviq, Lubomir Pantoviq, tha se aktakuza ka mangësi të mëdha e gabime faktike.

“Në pamje të parë duket që kjo aktakuzë është cilësore por pretendoj se nuk është dhe besoj se kjo aktakuzë me këtë përmbajtje nuk është dashur të vijë në fazën e shqyrtimit kryesor, por kjo ka ndodhur dhe jemi këtu ku jemi...të gjithë që merremi me procedurë penale e dimë se akuzat janë individuale se secili ka përgjegjësi personale për atë që e ka bërë dhe për veprën penale që e ka bërë, por atë që e ka bërë i pandehuri duhet të jetë precize e qartë dhe e përshkruar në aktakuzë”, ka theksuar ai.

I akuzuari Spasojeviq i ka mohuar akuzat.

“S'e kam vrarë askënd, s'e kam lënduar askënd. As nuk kam pasur për qëllim shkëputjen e pjesës veriore të Kosovës nga Kosova”, është shprehur ai.

Millosh Deleviq, avokat i Vladimir Toliq, ka thënë se klientin e tij nuk e lidh asnjë provë me sulmin.

“Nuk ka përgjigje në aktakuzë se kush e ka bërë (vrasjen e Afrim Bunjakut)... si mbrojtës i Vladimir Toliqit konsideroj se në përfundim të këtij procesi penal nuk ka pasur rol domethënës në ngjarje siç pretendon Prokuroria Speciale. S'ka asnjë provë që lidh të pandehurin Vladimir Toliq me vrasjen e Afrim Bunjakut. Po ashtu do të vini në përfundim se Vladimir Toliq nuk ka qenë në dijeni të ndonjë plani të mirëmenduar për shkëputjen e pjesës veriore. I kërkoj Prokurorisë Speciale që në përputhje me Kodin e Procedurës Penale t'i saktësojë veprimet e të pandehurit Toliq dhe duke e ndryshuar aktakuzën”, ka thënë Deleviq.

I akuzuari Toliq ka thënë se nuk e ka ditur cilat do të jenë pasojat për pjesëmarrjen në sulmin në Banjskë. Ka falënderuar QKUK-në që i shpëtoi jetën pasi u plagos rëndë.

“Kam qenë në Banjskë. Është e qartë. Por arsyet, motivet e mia për pjesëmarrjen time atje dallojnë shumë nga ato që janë në aktakuzë... Nuk e kam ditur cilat do të ishin pasojat... Të gjithë e dinë se jam plagosur rëndë dhe se pas disa ditësh jam mjekuar në QKUK... Dua ta falënderoj doktorin Skender Ukaj dhe ekipin e tij që e kanë kryer punën e tyre profesionale dhe ma kanë shpëtuar jetën...Unë, Vladimir Toliq më datën 24 shtator 2023 nuk e kam qëlluar askënd (me armë zjarri) dhe nuk kam pasur qasje në eksploziv dhe këtë gjë e them me përgjegjësi”, ka thënë ai para Gjykatës.

Jovana Filipoviq, avokate e Dushan Maksimoviqit, ka mohuar që klienti i saj ka lidhje me sulmin në Banjskë.

“Me asnjë provë nuk vërtetohet se Dushani ka lidhje me këtë incident, përveç se u lind në Banjskë e kjo s'është vepër penale”, ka thënë ajo. 

Seancat e radhës u caktuan për datën 9, 11, 12 dhe 13 qershor.


Avokatët e policëve të dëmtuar kërkojnë burgim të përjetshëm për të akuzuarit e sulmit në Banjskë

(E përditësuar 11:10) - Naim Rudari, avokati i policit të plagosur, Alban Rashiti, ka thënë se sulmi në Banjskë ishte sulm ndaj policisë dhe shtetit të Kosovës. Tha se i bashkëngjitet ndjekjes penale. Sipas tij, vetëm një pjesëz e provave u paraqit në fjalën hyrëse dhe i kërkoi gjykatës t'i dënojë të pandehurit me burgim të përjetshëm.

Arianit Koci, avokati i familjes Bunjaku, gjithashtu kërkoi burgim të përjetshëm për të akuzuarit.

“Kjo nuk është çështje penale, por është edhe çështje shtetërore sepse kushtetuta jonë u shkel me armë. Kërkoj që të akuzuarit të dënohen me burgim të përjetshëm është minimumi që i takon gruas dhe fëmijëve të Afrim Bunjakut”, ka thënë Koci.

Policët e dëmtuar Çlirim Shaqiri, Mirsad Kryeziu, Sedat Dushi kanë qen prezentë në sallë. Ata u shprehën të pikëlluar për humbjen e kolegut të tyre.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar letër-rreshtim ndërkombëtar ndaj 41 të pandehurve të tjerë. Letër-rreshtimi është lëshuar me qëllim të sigurimit të prezencës së të akuzuarve në procedurë, pasi shumica prej tyre, përfshirë edhe Milan Radoiçiqin – i cili mori përgjegjësinë për organizimin e sulmit – ndodhen në arrati. E akuzuar nga prokuroria është edhe kompania "RAD DOO" që në bazë të aktakuzës ka bërë shpëlarje parash.


(E përditësuar 10:48) - Prokuroria po shfaq video si prova nga dronët e konfiskuar nga grupi që sulmoi Banjskën. Në to shihet një mbledhje e përbashkët mes presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, organizatorit të sulmit të Banjskës, Milan Radoiçiq e ish-drejtorin e Agjencisë për Siguri dhe Informacione (BIA), Aleksandar Vulin. Në këtë mbledhje, sipas Prokurorisë, nisi plani për sulmin në Banjskë.

VIDEO:


Prokurori: Grupi i Banjskës kishte lidhje me strukturat shtetërore të Serbisë

(E përditësuar 10:13) - Gjykata vendosi që ta përjashtojë nga salla policin hetues Jeton Jetullahu pas ankesës së mbrojtjes. Jetullahu ishte i ulur afër prokurorit dhe për këtë u ankua mbrojtja. Gjykata konstatoi se ai mund të propozohet si dëshmitar andaj duhet të dalë nga salla.

Pas kësaj e mori fjalën prokurori special Naim Abazi, i cili u shpreh se sulmi kishte qëllim cenimin e rendit kushtetues të Kosovës. Ai ka thënë se grupi kishte lidhje me strukturat shtetërore të Serbisë.

“Ishte sulm i planifikuar qartë, për kohë të gjatë dhe me synim të qartë për cenimin e rendit kushtetues të Kosovës dhe krijimin e mundësisë së shkëputjes së komunave në veri të Kosovës. Grupi ishte i organizuar dhe i armatosur me lidhje të qarta me strukturat shtetërore të Serbisë. Ky rast nuk është thjesht penal, por sfidon thelbin e rendit kushtetues, bashkëjetesën ndëretnike”, ka thënë ai.

Tre të pandehurit edhe në këtë seancë u deklaruan të pafajshëm.

Prokurori Naim Abazi (në mes) / FOTO: Driton Paçarada


Nis gjykimi për tre të akuzuarit për sulmin në Banjskë

(09:54) - Tre nga 45 të akuzuarit për sulmin terrorist në Banjskë janë sjellë në Gjykatën Themelore në Prishtinë të enjten. Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq akuzohen për kryerje të veprës terroriste në sulmin në Banjskë më 24 shtator 2023 ku u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku.

Në seancën e shqyrtimit gjyqësor po përfaqësohen edhe interesat e palëve të dëmtuara, ku pjesa më e madhe e të dëmtuarve janë prezentë qoftë personalisht ose përmes avokatëve. Të dëmtuar në këtë rast janë Alban Rashiti, Çlirim Shaqiri, Mirsad Kryeziu, Sedat Dushi, Lumnije Bunjaku, Jetlum Bunjaku.

42 të akuzuar, përfshirë edhe Milan Radoiçiqin, që e pranoi publikisht se udhëhoqi sulmin në Banjskë, janë në arrati. Në mesin e të akuzuarve është edhe një person juridik.

Në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 9 tetor 2024, tre të pandehurit janë deklaruar të pafajshëm.

Prokuroria Speciale e Kosovës më 11 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiqit dhe 44 të tjerëve për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit. Të akuzuarit ngarkohen se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, tentuan ta shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës e t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë, me ç’rast si rezultat i dhunës së përdorur ka mbetur i vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku e u rrezikua jeta e zyrtarëve tjerë policorë dhe popullatës civile.

VIDEO:

Kurse, kreu i këtij grupit terrorist të strukturuar, Milan Radoiçiq ngarkohet se nga viti 2017 e deri më 24 shtator 2023 ka siguruar të ardhura në mënyrë të tërthortë, e këto para i ka konvertuar në pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, ku një pjesë të pasurive të paluajtshme e ka transferuar dhe te personat e tretë, me qëllim të fshehjes ose maskimit të burimit të pasurisë.

45 të akuzuarit ngarkohen për veprat penale “Kryerja e veprës terroriste”, “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, “Lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit” si dhe “Shpërarja e parave”.