Arbëri

Nis gjykimi i Gjokiqit për vrasjet e shqiptarëve në Pejë

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës është mbajtur seanca ndaj të akuzuarit për krime lufte në lagjen Kristal të Pejës, Zoran Gjokiq.

Fuad Hoxhaj dhe Lufti Hajzeri kanë dhënë dëshminë e tyre para trupit gjykues për maltretimet, vrasjet dhe plaçkitjet që kishin ndodhur në lagjen Kristal të Pejës në mars të vitit 1999, raporton KOHA.

Hoxhajt i janë prezantuar 10 fotografi nga kryetari i trupit gjykues Arben Hoti. Ai ka identifikuar Zoran Gjokiqin.

“Ai ka qenë Zorani që na ka gjuajtur me na vra edhe mua edhe dajën", ka thënë Hoxhaj.

Gjokiq akuzohet nga Prokuroria Speciale se në muajt mars-prill të vitit 1999 në lagjen Kristal të Pejës, si pjesëtar i grupeve kriminale, të veshur me uniforma policore, ushtarake dhe paramilitare serbe kishin hyrë dhunshëm në shtëpitë e shqiptarëve dhe pasi i kanë maltretuar fizikisht dhe psiqikisht, kanë plaçkitur dhe i kishin detyruar banorët të dalin nga shtëpitë e tyre e pastaj i kanë vrarë.