Arbëri

Nis Forumi Strategjik në Bled, diskutohet e ardhmja e BE-së dhe Ballkanit

Nën masa të sigurisë së shtuar për shkak të COVID-19 ka nisur Forumi Strategjik në Bled të Sllovenisë, ku pjesëmarrës janë krerë të lartë shtetesh evropiane bashkë me liderë nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në takimin e organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Sllovenisë, e cila edhe është kryesuese e radhës e BE-së, Kosovën e përfaqëson kryeministri Albin Kurti, i cili sot pasdite do të marrë pjesë në panelin e liderëve që do të trajtojnë temën e së ardhmes së zgjerimit evropian.

Image

Në atë panel, po ashtu marrin pjesë edhe presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, kryeministri i Kroacisë Andrej Plenkoviq, ai i Malit të Zi Zdravko Krivokapiq, i Polonisë Mateusz Morawiecki, i Bullgarisë Ruman Radev, i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, kryesuesi i Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës Shefik Xhaferoviq, komisioneri i BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim Oliver Varhelyi dhe Përfaqësuesi i lartë i Bosnje-Hercegovinës Christian Schmidt.

Temë dominonte e Forumit Strategjik në Bled është e ardhmja e BE-së dhe zgjerimi i saj në Ballkanin Perëndimor, derisa panelet e ndara pritet të trajtojnë edhe efektin ekonomik të pandemisë COVID-19 si dhe rrethanat tjera aktuale politike dhe të sigurisë.