Kosova këtë të hënë ka nisur fazën e dytë të lehtësimit të masave, duke u hapur rrugë shumë bizneseve për të rinisur punën pas gati dy muaj të mbylljes së tyre si shkak i pandemisë.
Kryeqyteti këtë të hënë i ngjante një dite të zakonshme pune.
Shumë qytetarë kanë shfrytëzuar ditën që të lëvizin pa maska dhe distancim fizik bazuar në rekomandimet e IKSHPK-së, raporton KOHA.
Por, pjesëtarë të Policisë së Kosovës janë përkujdesur që ta shpërndajë grumbullimin e qytetarëve në sheshin kryesor, duke mos i lejuar ata të qëndrojnë në ulëset e sheshit.
Derisa rihapja e kafeneve me shërbimin e vetëm që t’i marrin shërbimet me vete, ka bërë që të shtohet numri i qytetarëve të grumbulluar rreth tyre.
Por, sipas Shoqatës së Gastronomisë, jo të gjitha kafenetë u hapën, pasi që ky shërbim nuk shihet si fitimprurës në Kosovë.
E Inspektorati Komunal ndonëse me numër të kufizuar të inspektorëve do të vazhdojë inspektimet lidhur me respektimin e masave nga ana e bizneseve.
Drejtori i Inspektoratit në Prishtinë, Adonis Tahiri, thotë se deri më tani bizneset ende nuk kanë marrë udhëzimet e qarta mbi mënyrën se si do të veprojnë në këtë fazë.
Me rreth 60 inspektorë në mbarë vendin, bizneset gjatë ditëve në vazhdim do të inspektohen edhe nga Inspektorati Sanitar.
Kryeinspektori, Ibrahim Tërshnjaku, thotë se të gjitha ato biznese që nuk do t’i respektojnë masat e parapara do të gjobiten.
Në fazën e dytë të lehtësimit të masave, përveç rihapjes së floktarëve, salloneve të ondulimit, stomatologëve, fizioterapeutëve, tregtarëve me pakicë dhe tregut të gjelbër, punën e kanë nisur edhe transporti hekurudhor, transporti urban dhe ndërurban.
Në këtë fazë, e cila do të zgjasë deri më 1 qershor, qytetarët do të mund të lëvizin katër orë, dy orë paradite dhe dy orë pasdite, sipas shifrës së parafundit në numrin personal të letërnjoftimit.