“Ky t’kallë me çka ka”, i thotë B. Isufi një njeriu me të cilin po shihej për herë të parë, tek bën me dorë nga një rimorkio e mbushur me qymyr. “Ky t’knaqë”.
Mesoburri nga Strofci i Obiliqit kishte bërë 33 kilometra rrugë në një ditë shtatori dhe ndodhej në Drenas, ku po përpiqej ta bindte një myshteri për t’ia shitur thëngjillin e ngarkuar në një rimorkio kamionete. E ka nxjerrë në fshatin fqinj të lindjes, Zhilivodë. Edhe nxjerrjen, e edhe shitjen i bën ilegalisht, por pa u penguar nga autoritetet, ani se ka një vit që Qeveria ka ndërmarrë fushatën për ta reduktuar ngrohjen me qymyr, shkaku i ndotjes së lartë dhe pasojave që ka në shëndet tymi që buron nga djegia e tij.
I ka të ngarkuara gjashtë metra kub, të cilat i shet për 170 euro. Çmim i lartë e sasia e vogël i duken myshteriut I. Qorri, i cili ka ngrohje qendrore në shtëpi dhe qymyrin e përdor për lëndë djegëse në kaldajë, shkruan sot Koha Ditore.
“Nuk muj dal prej dimni pa dy këso kamionash, e po bahet shtrejtë”, i arsyetohet shitësit, burri i shtyrë në moshë që vendos të mos bëjë pazar. “Për 220 euro i marr 12 kubikë qymyr të KEK-ut”.
Deri në vitin e shkuar, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) u jepte secilit prej rreth 5 mijë punëtorëve të saj nga një kamion qymyr, që nxirret në mihjen nga ku furnizohen termocentralet, sasi të cilën shumë nga ta e shisnin. Por praktikën e ka ndalur vitin e shkuar, pas një vendimi të Qeverisë. Kjo ka bërë që të rihapen mihje ilegale në Zhilivodë, fshat ky i Vushtrrisë në kufi me Obiliqin, ku prej dhjetëra vjetësh shumë banorë e sigurojnë jetesën nga qymyri që e nxjerrin nga nëntoka e pronave të tyre dhe pastaj e shesin. Mbi 200 mijë tonë thëngjill shfrytëzohen secilin vit për qëllime të tjera, përpos prodhimit të energjisë elektrike.
Nuk nxirret vetëm qymyri ilegalisht në Vushtrri. Komuna ndodhet poshtë Çyçavicës, malit 8-kilometërsh të gjatë e 5 të gjerë që para dhe gjatë vjeshtës i nënshtrohet agresionit të dorës së njeriut.
Meqë në nivel vendi mbulueshmëria me sistemin e ngrohjes qendrore është fare e papërfillshme, ndërkaq ngrohja me rrymë ose me lëndë të tjera djegëse ka kosto të lartë, qytetarët zgjidhje të parë për ngrohje kanë qymyrin, por edhe drutë. E bëjnë këtë, indiferentë për dëmet në mjedis që shkaktohen, qoftë nga djegia, qoftë nga degradimi i natyrës.
Më shumë se dy milionë metra kub dru digjen secilin vit nga kosovarët.
Pyjet, një pasuri që po tkurret
Kosova ka 45 për qind të territorit të saj të mbuluar me kurora pyjore. Gati dy të tretat e kësaj sipërfaqeje janë në pronësi publike.
Mbështetur në të dhënat zyrtare, pyjet kanë rreth 40.5 milionë metra kub vëllim drunor. Sipas përllogaritjeve të bëra në Raportin e Gjelbër, dokument ky i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, rritja vjetore e masës drunore është rreth 1.5 milionë metra kub. Tek është bërë vlerësimi i potencialit prodhues, është theksuar se prerjet vjetore afatgjata mund të shkojnë deri në 1.5 milionë metra kub si prerje bruto, e që në neto i bie rreth 1.2 milionë metra kub. Megjithëkëtë, raporti shtron nevojën që edhe kjo masë e planifikuar drunore për t’u prerë “duhet të reduktohet për shkak të humbjeve nga prerjet pa kontroll, humbjeve natyrore, konsideratave mjedisore dhe rritjes së sipërfaqeve të parqeve kombëtare”.
Mbështetur në trendin e tashëm të prerjeve për ngrohje prej mbi 2.2 milionë kubikëve dhe volumit të rritjes prej 1.5 milionë kubikëve, Kosova humb çdo vit 1.4 për qind të masës drunore.
Prerjet e paplanifikuara dhe ilegale shihen gjithandej Kosovës. Po kështu, edhe ngarkesat me dru në tregje.
Është e premtja e fundit e gushtit dhe në mëngjes inspektorët e pyjeve kanë dakorduar veprimet me policinë. Pasi kanë mbledhur informata për degradimin e pyjeve, kanë vendosur të ndërmarrin një aksion të përbashkët në Vushtrri. Në të janë përfshirë gjashtë inspektorë të ndarë në tri ekipe, dhe asistohen nga policë.
Atë ditë janë konfiskuar 24 ngarkesa me masë drunore, të cilat ishin prerë në kundërshtim me ligjin dhe pa marrë leje paraprakisht.
Një aksion tjetër është ndërmarrë në gjysmën e dytë të qershorit, në një komunë tjetër. Inspektorët e pylltarisë kanë shkuar në Rugovë të Gjakovës, për të parë nëse ngarkesat me lëndë djegëse bëheshin konform ligjit. Në rimorkion e një kamioni ngjyrë qielli dukeshin të ngarkuara dendur drurët e prerë në metër. Por kjo ishte vetëm në pjesën e dukshme të rimorkios, ndërsa në pjesën që mbulohej me kanata shitësi kishte bërë një hile. Drurët ishin vendosur tërthorazi, në të tilla pozicione sa për të lënë bosh pjesën më të madhe të hapësirës. Inspektorët e konfiskojnë.
Besim Zogu është drejtor i Drejtorisë Qendror të Inspektoratit për Pylltari, që funksionon në kuadër të Agjencisë së Pyjeve. Ai ka qenë në krye të disa aksioneve, që për qëllim kanë pasur gjahun kundër atyre që shesin a transportojnë dru të prera ilegalisht. Krahas Vushtrrisë e Rugovës, ai tregon se një aksion së fundmi është realizuar edhe në Podujevë, dhe nga të tria janë sekuestruar rreth 40 ngarkesa me masë drunore, qoftë në kamionë ose traktorë.
“Janë ushtruar fletëparaqitje ndaj personave fizikë e juridikë, janë nxjerrë vendime për regjistrime të jashtëzakonshme të terreneve ekonomiko-pyjore, janë nxjerrë vendime për marrje të masave disiplinore e ligjore ndaj zyrtarëve, si dhe procedura të hetimeve për shkelje të ndryshme në sektorin e pyjeve së bashku me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Korrupsion”, thotë Zogu. “Niveli i prerjeve ilegale është ende i madh, ende larg synimeve dhe objektivave tona”.
Mbështetur në një raport të prezantuar nga Zogu, gjatë gjysmës së parë të këtij viti janë bërë 527 kontrolle dhe inspektime gjithandej Kosovës, pas të cilave janë përgatitur 410 procesverbale e 33 vendime, sikur edhe 31 fletëparaqitje në gjykata dhe 6 kërkesa për hetime. Megjithëkëtë, gjatë kësaj periudhë janë konfiskuar vetëm 83.52 metra kub masë drunore.
Kësisoj, masat e ndërmarra nuk kanë treguar rezultatet e synuara. Gazeta ka mundur të regjistrojë në shumë komuna stoqe drurësh për shitje, të bëra gati në metra. Mijëra kubikë janë parë edhe në qytetet më të mëdha, sikur në Pejë, Gjilan, Ferizaj, Podujevë, Mitrovicë e Prizren.
Egzon Elshani është drejtor për Bujqësi dhe Zhvillim Rural në Komunën e Prizrenit. Në kuadër të dikasterit që udhëheq funksionon edhe sektori i pylltarisë. Ai insiston se situatën e ka nën kontroll.
“Gjendja momentale është stabile dhe pa dëme”, thotë Elshani. “Për mbrojtjen e pyjeve në Komunën e Prizrenit kemi angazhuar edhe 8 punëtorë shtesë me kontratë mbi vepër”.
Në disa komuna, përfshirë Pejën, Vushtrrinë, Deçanin e Junikun, nuk kanë dashur të flasin në lidhje me keqmenaxhimin e pyjeve.
Ndërkaq Besim Zogu ka thënë të jetë vlerësuar edhe nga shumë institucione se komunat janë treguar të papërgatitura në aspektin kuadror e logjistik, sa i përket përgjegjësisë së deleguar për mbrojtjen e pyjeve, procedurave të tenderimit, dhënies së lejeve për prerje në pyje private dhe fletëpërcjelljeve, por edhe në aspektin e hartimit të politikave adekuate, për të cilat ka thënë të mos jenë unike dhe as me prioritet.
Në këtë situatë, shkalla e prerjeve është shumë përtej planifikimit prej 1.2 milionë metra kub në vit.
Një studim i Bankës Botërore thotë se ekonomitë familjare konsumojnë përafërsisht 48 për qind të të gjithë energjisë në Kosovë, dhe se 45 për qind e kësaj energjie të konsumuar vjen nga djegia e drunjve. E sipas një studimi tjetër, i realizuar nga Food And Agriculture Organization of the United Nations (FAO), ekonomitë familjare konsumojnë 2.054.420 metra kub dru në vit. FAO gjithashtu ka vlerësuar se konsumimi i druve nga sektori i turizmit, që nënkupton djegien e tyre nga restorantet, hotelet, furrat e bukës dhe fast-foodet, është 183.321 metra kub dru në vit.
Në këto përllogaritje nuk është përfshirë edhe masa drunore që përdoret për industri. Një pjesë jo e vogël e kësaj mase edhe eksportohet.
Kjo ka bërë që vitin e shkuar Ministria e Transportit ta ndalë eksportimin.
“Duke pasur parasysh të dhënat dhe informacionet në lidhje me eksportin e masës drusore nga Kosova në drejtim të vendeve të tjera, ... raportet e shfrytëzimit të ngastrave të planifikuara për prerje, si dhe kërkesën e vazhdueshme të sektorit të përpunimit të drurit (industrisë së drurit për mungesën e drurit teknik si lëndë e parë), i është propozuar ministrit Shala që të nxjerrë vendim për pezullimin e përkohshëm të eksportit të masës drunore të papërpunuar (si trupa, dru, zjarri)”, thuhet në një përgjigje të shkruar të Ministrisë.
Në këtë institucion kanë thënë se vendimi është duke u zbatuar.
Por, eksporti në drejtim të Serbisë bëhet i papenguar. Kjo edhe për faktin se në komunat veriore punët në fushën e mbrojtjes dhe menaxhimit të pyjeve kryhen nga ndërmarrja pyjore “Ibar” në Leposaviq, e cila funksionon nën ombrellën e ndërmarrjes pyjore “Srbijashume” me qendër në Beograd. Nën këtë ndërmarrje funksionon edhe Drejtoria për Pyje në Zubin-Potok.
“Masa drusore nga veriu i Kosovës kryesisht transportohet me kanale ilegale deri tek tregjet në Serbi”, thuhet në studimin “Mbrojtja e mjedisit dhe zhvillimi ekonomik i Kosovës”, i realizuar dy vjet më parë nga katër autorë serbë.
Edhe në Inspektoratin e Pyjeve kanë thënë se malet më të atakuara janë në territorin e komunave të veriut të banuara kryesisht me serbë, autoritetet e të cilave mbajnë lidhje të forta me Beogradin zyrtar dhe refuzojnë t’i nënshtrohen rendit kushtetues të Kosovës.
Besim Zogu ka thënë se drunjtë më të mirë janë cak i prerjeve ilegale, ndërsa krahas veriut, ka përmendur edhe disa komuna të tjera ku pyjet dëmtohen më në masë.
“Janë lokacionet apo pyjet më kualitative, aty ku edhe interesi i përfitimeve nga kjo veprimtari ilegale është më e madhe”, thotë ai. “Ndërsa pjesa e komunave veriore të Kosovës për momentin është më e atakuar nga veprimet ilegale, duke mos përjashtuar edhe pjesën e komunave Kaçanik, Suharekë, madje në pjesën e Parkut Kombëtar, Malet e Sharrit, por edhe komunat: Podujevë, Ferizaj, Novobërdë, Fushë-Kosovë, etj.”.
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka evidencuar ngecje të mëdha në realizimin e planit për shfrytëzimin e pyjeve.
“Prerjet e parregullta vazhdojnë të jenë kërcënuese në lidhje me ruajtjen, mirëmbajtjen dhe përmirësimin e grumbujve pyjor”, thuhet në një vlerësim që e ka dhënë Ministria. “Gjithashtu, moszbatimi i rekomandimeve të rrjedhura nga dokumentet zyrtare hedh poshtë të gjitha synimet e MBPZHR-së për zvogëlimin e aktiviteteve të parregullta në pyje publike nga 40 për qind në 20 për qind, dhe në pyjet private nga 29 për qind në 15 për qind”.
Qymyri që ndot shumë
Kosova ka rezervën e dytë më të madhe të qymyrit në Evropë dhe të pestën në botë. Bazuar në të dhënat zyrtare, kjo rezervë është rreth 12.5 miliardë tonë. Por ky resurs është i llojit linjit, një lëndë djegëse që konsiderohet si më e ndotur fosile. Është lloji më i dobët i qymyrit, meqë jep më pak nxehtësi pas djegies, është i lagët, prodhon shumë hi dhe autoritetet kanë thënë se pa filtër nuk bën të digjet.
Megjithëkëtë, është aseti më i rëndësishëm energjetik i Kosovës dhe furnizon 97 për qind të prodhimit total të energjisë elektrike nëpërmjet dy termocentraleve dhe përdoret gjerësisht edhe për ngrohje, qoftë nga ekonomi familjare, qoftë nga biznese, e për kohë të gjatë edhe nga institucionet publike.
Janë tri basenet kryesore të linjitit në Kosovë: Ai që njihet si Baseni i Kosovës, pastaj Baseni i Dukagjinit, si dhe Baseni i Drenicës.
Nxjerrja është koncentruar në atë të Kosovës, i cili ofron qasjen më të lehtë në linjit. Hapja e puseve, galerive dhe objekteve të tjera të zgafelles ka filluar në fshatin Hade të Obiliqit në vitin 1922. Atë vit ishte nxjerrë diçka më pak se 2 mijë tonë, por me kalimin e kohës nxjerrja është shumëfishuar. Ndër vite ka nisur nxjerrja edhe në fshatra të tjera të Obiliqit, si në Dardhishtë, Sibovc, Mirash, por edhe në Babush të Muhaxherëve në Komunën e Lipjanit. Prej gati një shekulli, nga këto miniera janë eksploatuar gjithsej 350 milionë tonë qymyr.
Forma si para 100 vjetësh, vazhdon të nxirret ilegalisht në Zhilivodë të Vushtrrisë, fshat fqinj me Sibovcin e Obiliqit. Pronarë tokash e sigurojnë mbijetesën, duke e shitur atë për ngrohje.
B. Isufi thotë të kenë mbetur jo shumë zanatlinj të vjetër, që vazhdojnë të gërmojnë nëntokën, për ta nxjerrë qymyrin. Tregon se nuk janë më shumë se 7-8 operatorë të këtillë. Sipas tij, arsyeja është se të rinjtë nuk po i rreken më punëve të rënda dhe as rreziqeve në galeritë e qymyrit.
Ai tregon pse e bën këtë punë.
“Kur s’ki kah ja man, duhet me hy qytu. Duhet me metë gjallë diqysh”, thotë ai. “Asht ran me e nxjerrë”.
E tregon edhe procesin e mihjes.
“Niherë u dashtë me e qelë me bager, se qymyri është fell”, tregon B. Isufi, mesoburri nga Sibovci. “Këqyre: Me sharrë e prejmë. E prejmë katrorë, dy metra me dy ose tri me dy. Diku 50 centimetra shtresa e trashë. Tani e kemi pajisjen që e shkoqim dhe e çojmë përpjetë. E kemi ni vint diku 20 ton. Me të e shkoqim prej toke. Edhe i hypim sakicë: pam pam pam pam. Sakica e ban pjesë-pjesë, se çahet si llubenicë. Por i kemi edhe pykat. Janë t’gjana. E kemi kerrin që e ngarkojmë edhe ka ni metër ka ni metër e qesim nalt. O kerri poshtë, o sajlla që e lidhim kerrin, edhe nalt e ngrehim me traktor. O pjerrtas. Sikur n’KEK”.
Në Vushtrri kanë refuzuar të flasin përkitazi me këtë aktivitet që e lejojnë të zhvillohet pa penguar, sikurse edhe në Skënderaj, në fshatin Polac të së cilës komunë është eksploatuar viteve të fundit.
E në Obiliq kanë këmbëngulur se banorët më nuk nxjerrin qymyr në pronat e tyre, sikur viteve më përpara.
Fitore Hashani është drejtoreshë e Drejtorisë për Mbrojtjen e Mjedisit në këtë komunë.
“Vitet e mëhershme kishte një dukuri të tillë, mirëpo përmes inspektorëve komunalë u janë dhënë vërejtje dhe u është bërë ndërprerja e kësaj pune, dhe është njoftuar Inspektorati i Komisionit për Miniera dhe Minerale, të cilët edhe janë përgjegjës për një veprim të tillë”, thotë drejtoresha Hashani. “Fshati ku është nxjerrë thëngjilli ka qenë fshati Siboc i Obiliqit, mirëpo me nxjerrjen e vendimit për Zonë të Interesit Nacional, është ndërprerë kjo veprimtari”.
Në Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale kanë treguar se për nxjerrje të thëngjillit në Sibovc, tek autoritetet e drejtësisë vitin e shkuar kanë dërguar ndaras dy persona, emra të njohur për redaksinë. Krahas kësaj, kanë folur edhe për aktivitet ilegal të tre operatorëve të tjerë.
Sipas statistikave zyrtare, të publikuara nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë, përdorimi i thëngjillit për çështje të tjera përpos prodhimit të energjisë elektrike është rreth 224 mijë tonë në vit. Përdoruesit kryesorë zyrtarë janë shkollat, kompania publike “Kosova Thëngjilli” dhe punëtorët e KEK-ut.
GAP është një institut që adreson sfidat ekonomike, politike dhe sociale në vend. Në një studim të bërë së fundmi, ky institut ka theksuar se shifrat janë më të mëdha.
“Këto të dhëna mund të nënvlerësojnë situatën e vërtetë të përdorimit të thëngjillit, pasi që ka edhe shumë shitje ilegale të thëngjillit dhe import nga vendet e tjera”, thuhet në raport.
Pjesa më e madhe e thëngjillit shpërndahej nga KEK-u, i cili rreth 100 mijë tonë e ndante çdo vit për rreth 5 mijë punëtorët e vet.
Por në tetor të 2018-s, Ministria e Zhvillimit Ekonomik e ka ndaluar çfarëdo mase për dhënien e thëngjillit në formë dhurate për punëtorët e KEK-ut, ndërmarrje kjo që për aksionar e ka Qeverinë.
“Ky vendim është në përputhje me angazhimet e task-forcës ndërministrore për përmirësimin e cilësisë së ajrit, me qëllim të mbrojtjes së ajrit, si dhe me qëllim të stimulimit për zbatimin e masave për zhvillim të pastër”, thuhet në vendim.
Në KEK nuk kanë treguar nëse këtë vit do të jepet qymyr për punëtorët, por kanë theksuar se konform vendimit të aksionarit, dhënien e kanë ndalur vitin e shkuar.
Megjithëkëtë, ka pasur disa shpallje publike për shitje.
Skënder Bucolli, zëdhënës në KEK, ka thënë se kjo ndërmarrje ka një kontratë kornizë për shitjen e një sasie të limituar të qymyrit për “Kosova-thëngjillin” e cila është nënshkruar pas zhvillimit të aktivitetit të prokurimit sipas Ligjit të prokurimit publik.
“Për më tepër, ‘Kosova-thëngjilli’ sh.a ka për obligim kontraktual që gjatë shitjes së mëtejme të përkujdeset që thëngjilli të destinohet vetëm për përdoruesit që bëjnë djegieje përmes kaldajave që bëjnë reduktimin e emetimeve të dëmshme”, thotë Bucolli. “KEK-u nuk shet thëngjill në treg brenda Kosovës që përdoret për djegieje të pakontrolluar”.
KEK-u në fund të vitit të shkuar ka shitur thëngjill në vlerë rreth 11 milionë euro. Mbështetur në kontratën me “Kosova-thëngjillin”, duhet që secilin vit të prodhojë për kontraktuesin 200 mijë tonë të kësaj lënde djegëse.
Ngrohja “e pastër” që mungon
Në Drenas, qyteti ku B. Isufi kishte sjellë qymyr për të shitur, nuk ekziston ngrohtore qendrore. Ndërtesat komunale kanë në shumicën e rasteve kaldajat e tyre për ngrohje, të cilat e përdorin kryesisht drurin dhe thëngjillin si lëndë për djegie, ndërsa më pak naftën. Disa nga ndërtesat rezidenciale, ndërkaq, përdorin edhe energjinë elektrike.
Në këtë komunë funksionon shkritorja e “Feronikelit”, e cila një pjesë të madhe të energjisë e liron nga kullat e ftohjes të kompleksit industrial. Kjo është parë si mundësi për të ardhmen, në lidhje me instalimin e impianteve për koogjenerim dhe Qeveria edhe në planet afatshkurtra e ka vënë si objektiv ngritjen e sistemit të ngrohjes qendrore, nëpërmjet kompleksit.
Edhe në buxhetin e 2018-s parashihej “Hartimi i projektit zbatues për nxehjen qendrore për qytetin e Drenasit nga ‘Ferronikeli’”.
Bekim Dobra, udhëheqës i Zyrës për komunikim publik në këtë komunë, thotë se ende nuk dihet saktë se kur projekti mund të jetësohet.
“Nga diskutimet që janë zhvilluar lidhur me realizimin e projektit të Ngrohtores Qendrore përmes ndërmarrjes së ‘Ferronikelit’, Komuna e Drenasit është në fazën e studimit të fizibilitetit, dhe pas përfundimit dhe hartimit të këtij dokumenti do të dihet kostoja e financimit, periudha e jetësimit të projektit, shtrirja e tij në lokalitete dhe kapacitetet që do t’i ketë ngrohtorja”, thotë Dobra. “Dokumenti i studimit të fizibilitetit do të jetë i gatshëm më së largu deri në fillim të vitit të ardhshëm”.
Edhe ndërtimi i ngrohtores qendrore në qytetin e Lipjanit ishte paraparë në buxhetin e 2018-s. Aty ishin përshkruar edhe planifikimet e mbështetjes financiare për vitet në vijim. Diku gjysmë milioni euro ishte paraparë të ndahej në 2019-n dhe po kaq në 2020-n. Autoritetet nuk kanë dhënë informata se deri ku ka shkuar projekti.
Shtrirja e sistemit të ngrohjes qendrore është fare e papërfillshme në nivel vendi. Sistem i këtillë ndodhet vetëm në dy komuna: në Prishtinë, ku shtrirja është më e gjerë, dhe në Gjakovë, ku është fare e pakët.
“Termokosi” është furnizuesi i vetëm i energjisë termike në kryeqytet. Kërkesa për ngrohje qendrore është e lartë, meqë kompania ofron ngrohje kualitative 24 orë gjatë gjithë sezonit, me një çmim më të lirë sesa alternativat e tjera të ngrohjes. Aktualisht furnizon rreth 13.500 konsumatorë.
Prej themelimit e deri disa vjet më parë, “Termokosi” është mbështetur në djegien e mazutit, një lëndë tepër ndotëse. Por një infuzion financiar ndërkombëtar ka ofruar një zgjidhje që ishte projektuar dekada më herët. Projekti i koogjenerimit është realizuar nëpërmjet sjelljes së ujit të ngrohtë nga termocentrali “Kosova B”.
Rrjeti primar i shpërndarjes me gjatësi të tubacionit prej 78 kilometrash dhe kapacitet të ujit prej rreth 3500 metrash kub, është instaluar kryesisht në vitet ’70, në pjesën e urbanizuar të Prishtinës. Përkundër investimeve posaçërisht në vitet e fundit, rreth 60 për qind e rrjetit është me gypa të rijnë të paraizoluar, kurse pjesa tjetër me të amortizuar.
Në Gjakovë, ngrohja qendrore ofron shërbime të limituara. Për shkak të kostos së lartë të mazutit si lëndë djegëse, me të cilin operojnë kaldajat, kjo ngrohtore ofron një furnizim të reduktuar. Autoritetet kanë theksuar se është planifikuar ndërtimi i impiantit të ri të ngrohtores dhe një njësie të koogjenerimit të energjisë elektrike dhe asaj termike, që financohet nga fondet e Komisionit Evropian në vlerë prej rreth 12 milionë eurosh, si pjesë e programit IPA II.
Në anën tjetër, ndërtimi i termocentralit “Kosova e Re” është promovuar nga Qeveria edhe si projekt që garanton dyfishim të kapaciteteve për ngrohje, meqë avullin e tij do të mund ta fusë në shfrytëzim ngrohtorja “Termokos” njësoj sikurse që tani përdor atë nga termocentralet ekzistuese.
Drejtues të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik kanë theksuar se me këtë projekt, ngrohje të mjaftueshme qendrore do ketë jo vetëm për banorët e Prishtinës, por edhe për ata të Fushë- Kosovës dhe Obiliqit, afër të cilave janë termocentralet.
Megjithatë, deri tani në sistemin e ri të ngrohjes janë të kyçur vetëm 20 për qind të banorëve të Prishtinës. Projekti shumëmilionësh për zgjerimin e rrjetit, i cili me kapacitetet ekzistuese të avullit mund të ofrojë ngrohje edhe për po kaq banorë të kryeqytetit, ka vite që është zyrtarizuar, por ende nuk ka filluar të zbatohet në praktikë.
Amnisti degradimit e cenim shëndetit
Përderisa nuk ka veprime për ta rritur shtrirjen e ngrohjes qendrore, mungojnë edhe politikat ndëshkuese ndaj atyre që jashtëligjshëm presin dru apo nxjerrin qymyr, e më pas i shesin.
Vetëm me datë 22 dhjetor 2016, në adresë të Drejtorisë Qendror të Inspektoratit për Pylltari, kishin mbërritur 24 lëndë të parashkruara nga dega në Podujevë e Gjykatës Themelore të Prishtinës. Pas kësaj, zyrtarët e kësaj drejtorie ishin ankuar në Këshillin Gjyqësor.
“Gjatë inspektimeve në komuna kemi vërejtur se dukuria e parashkrimit të lëndëve të iniciuara nga rojtarët e pyjeve është një dukuri në rritje”, thuhet në shkresën adresuar Këshillit Gjyqësor. “Për ta argumentuar shqetësimin e institucionit tonë, po ju sjell edhe një shembull: Nga pasqyra vjetore e aktvendimeve të gjykatave të ardhura në Inspektorat gjatë vitit 2015, kemi pasur 59 aktvendime me dënime dhe 66 aktvendime kanë qenë të pezulluara si pasojë e parashkrimit. Kurse gjatë vitit 2016, 45 aktvendime kanë qenë me dënime, kurse 82 të pezulluara si pasojë e parashkrimit të lëndëve”.
Besim Zogu, drejtor i Drejtorisë Qendrore të Inspektoratit, flet për disa faktorë që kanë prodhuar shkallën e lartë të degradimit të pyjeve.
“Një shkaktar tjetër i kësaj gjendje është edhe niveli i lartë i varfërisë, gjendja e keqe ekonomiko- sociale, mungesa e alternativave tjera për ngrohje, e deri tek politikat e gjyqësorit, të cilat sektorin e pyjeve e konsiderojnë me pak prioritet dhe shqiptimi i masave është më shumë simbolik, ndërsa niveli i parashkrimit të lëndëve si pasojë e vjetërsimit është shumë i madh”, thotë Zogu.
Në veriun e vendit nga ku eksportohet masë drunore për në Serbi, ka një lloj tjetër amnistie. Në këtë pjesë të Kosovës ka dualitet sistemesh, meqë strukturat paralele të Serbisë e ushtrojnë pushtetin faktik.
“Nëse prerja joligjore e druve në komunat në veri të Kosovës vërtetohet nga inspektorët e NP ‘Srbijashume’ (ndërmarrje paralele e Serbisë në Kosovë v.j.), policia nuk del në terren dhe nuk shqipton kundërvajtje, sepse nuk e njeh autoritetin e këtij institucioni brenda kuadrit të sistemit Kosovar”, thuhet në studimin “Mbrojtja e mjedisit dhe zhvillimi ekonomik i Kosovës”. “Sa u përket inspektorëve të pyjeve të cilët funksionojnë nën sistemin kosovar, në pjesën jugore të Mitrovicës ekziston një njësi për inspektim, e cila ka të drejtën formale ligjore për të ushtruar kompetencat edhe në veri, por ata shumë rrallë dalin në terren”.
Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) është organizatë kërkimore dhe qendër e avokimit që ofron zgjidhje strategjike për politika publike, bazuar në hulumtime të pavarura. Në një studim të publikuar në qershorin e sivjetmë, ky institut ka shtruar nevojën që komunat të vendosin kontroll më të rreptë të ngrohjes së familjeve, duke vënë në punë më shumë inspektorë, duke ndaluar djegien e linjitit në stufa, duke gjobitur për djegien e qymyrit dhe mbeturinave, si dhe duke investuar në energji të ripërtërishme dhe sisteme të ngrohjes qendrore.
Në studim është përllogaritur edhe kostoja nga ndotja e ajrit, në të cilin kontribuojnë edhe djegia e druve dhe thëngjillit.
“Në total, vdekjet e parakohshme dhe sëmundjet kronike të shkaktuara nga ndotja e qymyrit të Ballkanit Perëndimor iu kushtojnë të dy sistemeve, si shëndetësor, ashtu edhe ekonomik, diku mes 6.1 dhe 11.5 miliardë euro”, thuhet në studim. “Në Kosovë, kostoja e efekteve shëndetësore të shkaktuara nga ndotja e ajrit në zonat urbane ka ndikim që mendohet se varion nga 37 në 158 milionë euro në vit, e barabartë me 0.89 deri në 3.76 për qind të GDP-së së vendit”.
Mbështetur në analizën e të dhënave të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK), në Prishtinë ajri është “i pashëndetshëm” në 50 për qind të kohës, “shumë i pashëndetshëm” në 20 për qind të kohës dhe “i rrezikshëm” në 5 për qind të kohës. Që nga vjeshta e vonshme e deri në pranverën e hershme, Prishtina shpesh merr statusin e kryeqytetit më të ndotur në botë.
E Banka Botërore në një studim të saj, si burim të dytë të shkallës së ndotjes ka listuar drurin dhe linjitin që përdoren për ngrohje të shtëpive. E ka renditur atë, menjëherë pas termocentraleve. Aty ka argumentuar se “gjatë dimrit, nivelet e PM10 dhe PM2.5 (grimca të dëmshme që krijohen nga procesi i djegies v.j.) janë shumë më të larta sesa në periudhat të tjera të vitit”.
Në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike kanë thënë se edhe qymyri që shfrytëzohet për ngrohje nga ekonomitë familjare, e edhe drutë që digjen, lirojnë në mjedis ndotës të ndryshëm që mund të shkaktojnë një varg pasojash shëndetësore. Nëpërmjet një përgjigjeje të shkruar, në këtë institucion kanë thënë se pasojat e tilla përfshijnë: sëmundjet e sistemit respirator, në mesin e të cilave edhe bronhitin kronik, astmën bronhiale, emfizemën, pneumoninë, asbestozat; sëmundjet e sistemit kardiovaskular, përfshirë sëmundjet e zemrës dhe anemitë; sëmundjet malinje; çrregullimet nervore; dobësimin e të parit; sëmundjet alergjike; ngecjet në rritje dhe zhvillim të fëmijëve; rritjen e numrit të fëmijëve të lindur para kohe dhe me peshë të vogël.
B. Isufi nga Sibovci, i cili kishte bërë 33 kilometra rrugë në një drejtim, për ta sjellë në Drenas një rimorkio me 6 metra kub qymyr për të shitur, tregohet indiferent, kur pyetet nëse di ndonjë dëm në shëndet nga kjo lëndë që e nxjerr dhe e shet jashtëligjshëm, e të cilën shumë kosovarë e përdorin për ngrohje gjatë dimrit.
“Jo s’ka dame”, thotë ky mesoburrë. “Unë nuk kom ni që ka dame prej t’nxehtit. Prej t’ftohtit po”.
(Projekt i financuar nga Bashkimi Evropian, i menaxhuar nga Zyra e BE-së në Kosovë dhe i zbatuar nga BIRN-i dhe AGK-ja)