Arbëri

Ngritja dhe rënia e partive politike në Podujevë

Zgjedhjet lokale të 17 tetorit kanë vënë në pah ndryshimin e votës së qytetarëve të Podujevës ndër vite. Ajo që nuk kishte ndryshuar që prej zgjedhjeve të para lokale pas luftës deri në vitin e kaluar ishte fitorja e LDK-së në komunë. Ndërsa, më 29 nëntor të vitit 2020 për herë të parë kjo parti u mund nga LVV-ja, duke e humbur LDK pushtetin komunal 20-vjeçar.

Në raundin e parë të zgjedhjeve që u mbajtën këtë muaj shihet garë e ngushtë ndërmjet kandidatit të LDK-së, Ekrem Hyseni (16.926 vota) dhe atij të LVV-së, Shpejtim Bulliqi (16.907 vota), të cilët kanë vetëm 18 vota dallim dhe do të përballen edhe njëherë në balotazh më 14 nëntor.

Rezultatet e zgjedhjeve të 17 tetorit tregojnë për rënie e ngritje të partive politike në këtë komunë. Zgjedhjet e para lokale pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës janë mbajtur në vitin 2009. Atëkohë, në rundin e parë Agim Veliu nga LDK kishte marrë 16 mijë e 865 vota ose 49.93 për qind, i pasuar nga Muhamet Latifi i PDK-së me 10 mijë e 339 vota ose 30.61 për qind, ku ky i fundit ishte mundur në balotazh nga Veliu. Pas tyre ishin rënditur, Ismet Abdullahu nga AAK me 3 mijë e 942 vota (11.67%), Ejup Visoka nga Iniciativa Qytetare 1 mijë e 465 (4.34%), Imer Hajdini PD me 863 (2.55%), Rifat Syla nga Partia Socialdemokrate 191 vota (0.57%) dhe Tefik Durmishi nga Partia Socialiste e Kosovës 115 (0.34%).

Në zgjedhjet pasuese të vitit 2013 Agim Veliu kishte fituar në rundin e parë të zgjedhjeve lokale me 19 mijë e 871 ose 50.19 për qind, duke marrë kështu rreth 5 mijë vota më shumë se në 2009. Pas tij, sërish ishte PDK-ja me kandidatin Naim Fetahu, i cili kishte marrë 15 mijë e 321 (38.68%), ose 5 mijë vota më shumë se Latifi në 2009. I treti ishte rënditur Xhemshit Vokrri nga LVV me 1 mijë e 759 (4.44%), parti kjo që po merrte pjesë për herë të parë në zgjedhje lokale. I katërti ishte Ismet Abdullahu nga AAK-LDD me 1 mijë e 692 vota (4.27%), ose mbi 2 mijë vota më pak se në 2009, pas tij Ismet Ibishi nga AKR me 610 (1.54%) dhe i fundit Nexhat Llumnica nga LB me 361 vota (0.91%).

Ndryshim në vota, por jo në fitues kishte pasur edhe në zgjedhjet lokale të vitit 2017. Edhe në këto zgjedhje i pari kishte dalë Agim Veliu (LDK) me 18 mijë e 872 (48.1%), rreth 1 mijë vota më pak se në zgjedhjet paraprake. Në vendin e dytë tash ishte LVV-ja me Ajet Poterën me 11 mijë e 671 (29.8%) parti kjo që ishte rritur për rreth 10 mijë vota nga 2013, por që kishte humbur në balotazh nga Veliu. I treti ishte rënditur Hajredin Hysni nga PDK me 7 mijë e 120 (18.2%) ose diku 8 mijë vota më pak se në 2013, pas tij Fatmir Humolli nga AAK me 971 vota (2.5%), gati përgjysmë më pak se në 2013. I pesti ishte kandidati i Fjalës, Xhevdet Maloku me 322 vota (0.8%) dhe i fundit kandidati i Nismës, Xhemajl Hasani me 242 vota (0.6%).

LDK e humbi pushtetin 20-vjeçar për herë të parë në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të 29 nëntorit të vitit të kaluar, ku kandidati Shpejtim Bulliqi nga LVV arriti të fitojë në rundin e parë me 18 mijë e 286 vota ose 51.9 për qind, e që kishte rreth 7 mijë vota më shumë se Potera në 2017. Pas tij ishte rënditur kandidati i LDK-së, Nexhmi Rudari me 12 mijë e 627 vota (35.8 %) ose rreth 6 mijë vota më pak se Veliu në 2017 dhe i treti, Naim Fetahu nga PDK me 4 mijë e 341 vota (12.3%) ose rreth 3 mijë vota më pak se Hyseni në 2017.

Ndërkohë, rezultatet kanë ndryshuar sërish më 17 tetor, ku kandidati i LDK-së, Ekrem Hysni, është rënditur i pari me 16 mijë e 925 (44.20%) që ka vetëm 18 vota më shumë se kandidati i LVV-së, Shpejtim Bulliqi që ka marrë 16 mijë e 907 vota (44.16%). Këta edhe do të përballen në balotazh më 14 nëntor. Pas tyre rënditet kandidatja e PDK-së, Floretë Zejnullahu me 2 mijë e 471 vota (6.45%), pastaj Besnik Tahiri nga AAK me 1 mijë e 531 vota (4%), Gazmend Islami nga OBKD me 251 (0.66%) dhe i fundit Xhemajl Hasani i Nismës me 205 vota (0.54%).