Kosova është një nga vendet e rajonit që vlerësohet se ka rrezik nga dezinformimi dhe nga sulmet kibernetike. Në një diskutim të organizuar nga Instituti Kombëtar Demokratik për sigurinë kibernetike, kryeministri Albin Kurti u shpreh se dezinformimi shkakton dëme të gjera, e ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, se me të po tentohet të prishen marrëdhëniet ndëretnike
Kërcënimet kibernetike e dezinformimi u konsideruan si sfida serioze për demokracinë në Kosovë. Në një diskutim të organizuar nga Instituti Kombëtar Demokratik (NDI), u tha se shpërndarja e qëllimshme e informacioneve të rrejshme e sulmet kibernetike janë të rrezikshme për shoqërinë, e madje edhe mund të rrezikojnë edhe sigurinë kombëtare. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u shpreh se sistemi qeveritar ishte disa herë cak i sulmeve kibernetike. Ai tha se në luftën kundër kërcënimeve që sjell teknologjia, është i nevojshëm bashkëpunimi ndërkombëtar. Por, pos sulmeve kibernetike, ai tha se i rrezikshëm për vendin po bëhet edhe dezinformimi.
“Në sferën e kërcënimeve kibernetike, dezinformimi është shfaqur si një rrezik i rëndësishëm i sigurisë kibernetike, i aftë për të shkaktuar dëm të gjerë te qytetarët, organizatat dhe shoqëria”, ka thënë kryeministri Kurti.
Ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, po ashtu deklaroi se dezinformimi në Kosovë është në rritje dhe se po përdoret mes të tjerash edhe për prishjen e marrëdhënieve ndëretnike në vend.
“Dezinformimi këtu në Kosovë është i vazhdueshëm dhe është një problem që gjithnjë po rritet, ekzistojnë akterë keqbërës, janë realë, të cilët dëshirojnë të preken aleatët tanë, t’i prishin marrëdhëniet ndëretnike, të shkaktojnë fragmentim dhe përçarje”, ka thënë Hovenier.
Në diskutimin e së enjtes pjesëmarrësit thanë se sulmet kibernetike janë sfidë globale.
Shefja e Sektorit Politik në zyrën e Bashkimit Evropian në Prishtinë, AnnaCarin Platon, deklaroi se këto kërcënime digjitale mund të sjellin edhe konflikte mes shteteve, për çka tha se është i domosdoshëm bashkëpunimi.
“Këto kërcënime kibernetike janë shtuar dhe po rrezikojnë që të qojnë edhe në fragmentim, eskalim dhe konflikt të mëtejshëm mes shteteve”, ka deklaruar ajo.
Në lidhje me informimin, kryeministri Kurti u pyet edhe për zgjedhjen e Rilind Gërvallës drejtor për kanalet shqipe në RTK, për të cilin është raportuar se ishte aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje.
Kurti mohoi përfshirjen e tij në proces të përzgjedhjes, por foli edhe për problemet që e kanë karakterizuar RTK-në, sipas tij, në të shkuarën.
“Besoni që asnjë anëtar e aktivist nuk e preferoj të marrë ndonjë detyrë. Unë jam kryeministri i parë në Kosovë i cili nuk ka asnjë me mbiemër të tij të punësuar në asnjë nga ministritë. Dhe as dy vëllezërit e mi dhe as dy prindërit e mi as në mandatin e parë dhe as tash nuk kanë shkelur pragun e ndërtesës së Qeverisë dhe nuk do ta bëjnë këtë. Nëse ka dikush që është kundër nepotizmit, besoni që jam unë dhe kjo Qeveri”, ka thënë Kurti.
Në diskutim, Kurti përmendi edhe nevojën për trajnimin e policëve dhe prokurorëve për t’i trajtuar në mënyrë serioze sulmet online, sidomos ndaj personave të cenueshëm.