Arbëri

Ngrihet aktakuzë ndaj ministrit Damka për “sulm” dhe “kanosje”

Fikrim Damka

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj ministrit të Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, dhe një personi tjetër nën dyshimin për veprat penale “sulm” dhe “kanosje”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Damka më 9 shkurt në Prizren kishte përdorur forcë fizike ndaj A.M. dhe M.J. pas një mosmarrëveshjeje të mëhershme, lidhur me publikimin e disa informatave dhe lajmeve në rrjetet sociale, për partinë KDTP dhe për të pandehurin Damka. Rasti kishte ndodhur derisa të dëmtuarit po qëndronin në parkun e lagjes me disa anëtarë të tjerë të partisë së tyre, YTHP. Sipas aktakuzës, Damka ka shtyrë viktimën dhe e ka kanosur e sulmuar.

Po ashtu, Damka akuzohet se i ka kanosur me fjalë të dëmtuarit A.M. dhe M.J. se do t’i privojë nga jeta.

E i pandehuri tjetër F.D. (1992), akuzohet se e ka kanosur me fjalë të dëmtuarin M.J.,  “se do t’i shkaktojë ndonjë të keqe, me qëllim të frikësimit dhe shkaktimit të ankthit, në atë mënyrë që, pasi e sulmon të dëmtuarin, i drejtohet me fjalë kanosëse, me ç’rast tek i dëmtuari shkakton frikë, ankth dhe pasiguri për jetën e tij. Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Kanosja” sipas KPRK-së”.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit.

Damka qe arrestuar ditën e zgjedhjeve nën dyshimin për sulm dhe kanosje të një kandidateje për deputete, derisa ndaj tij ishte caktuar masa e arrestit shtëpiak prej 30 ditësh. Por, arresti shtëpiak i qe ndërprerë më 7 mars, derisa masa i është zëvendësuar me ndalimin për t`iu afruar vendit apo personit të caktuar deri më 7 prill.

Damka e quan të pabazë aktakuzën: Do të vërtetohet pafajësia

1 j. më parë / 25 mar 2025 22:04
Fikrim Damka

Ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, e ka quajtur të pabazë aktakuzën e ngritur sot nga Prokuroria Themelore në Prizren, ndaj tij dhe një personi tjetër, të afërm të tij, për sulm dhe kanosje.

Ai ka thënë se pafajësia e tij do të vërtetohet në gjykatë.

“Aktakuza është e pabazë dhe besoj se në gjykatë do të sqarohet gjatë seancave, dhe do të vërtetohet pafajësia”, tha Damka për RTKlive.

Gjatë ditës, Prokuroria në Prizren njoftoi për ngritjen e aktakuzës ndaj ministrit Damka dhe një tjetër personi me inicialet F.D i vitit të lindjes 1992, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se secili veç e veç kanë kryer veprat penale “Sulmi” dhe “Kanosja”, më 9 shkurt, ditë kjo që në Kosovë mbaheshin zgjedhjet e përgjithshme parlamentare.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur për veprat penale për të cilat akuzohen, të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit.

Ata ishin arrestuar mbrëmjen e së dielës së 9 shkurtit, ndërsa më 11 shkurt ndaj Damkës dhe familjarit të tij ishte caktuar masa e arrestit shtëpiak, pasi Gjykata Themelore në Prizren kishte refuzuar kërkesën e prokurorisë për caktimin e paraburgimit për dy të pandehurit.

Damkës i ishte ndërprerë masa e arrestit shtëpiak më 7 mars.