Arbëri

Ngrihen dyshime për pasurinë e policëve

Sivjet rreth 20 për qind e zyrtarëve policorë nuk i kanë deklaruar me kohë pasuritë në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit. Kjo mospërmbushje e obligimit ligjor është vlerësuar se mund të ndikojë në transparencë dhe në luftën kundër korrupsionit. Në Institutin e Kosovës për Drejtësi thonë se megjithëqë në raste të tilla parashihen dënime deri në 5 vjet burgim, gjykatat kryesisht shqiptojnë dënime minimale

Nga të gjitha institucionet, Policia e Kosovës prin për nga numri i zyrtarëve që nuk e kanë deklaruar pasurinë për vitin 2024. Sipas Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, janë rreth 20 për qind e policëve që nuk e përmbushën këtë obligim ligjor.

Në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD) thanë se çdo tejkalim i afateve në këtë proces të rëndësishëm për transparencën e luftën ndaj korrupsionit krijon hapësirë për dyshime.

“Edhe një mundësi e dytë që pas gjobës të paraqitet deklarimi i pasurisë e që nuk janë arsyetime në rast se nuk ke mundur ta paraqitësh në afatin ligjor, pastaj në afatin shtesë, i bie që ka dyshim të arsyeshëm që mund të ketë fshehje të pasurisë apo qëllime të tjera, të cilat pastaj normalisht janë bazë për hetim nga Prokuroria, prokuroritë në vend, në mënyrë që në fund të shihet a ka pasur dashje apo qëllim nga subjekti deklarues që ta fshehë pasurinë apo të mos deklarojë një pjesë të saj”, ka thënë Lavdim Makshana, hulumtues i lartë në IKD. 

Për masat që do të pasojnë për zyrtarët që nuk i deklarojnë pasuritë tregoi ditë më parë drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj. 

“Ideja jonë është që nga java e ardhshme të kemi një listë përfundimtare dhe të fillojmë me shqiptimin e gjobave, me vendimet për shqiptimin e gjobave, ku secili nga këta që nuk e ka kryer këtë obligim brenda afatit, do të pranojë një gjobë prej 30 për qind të pagës së tyre”, ka thënë Buleshkaj.

Afati i fundit për deklarimin e pasurisë ka qenë 31 marsi. Për deklarimin e pasurisë me vonesë, Ligji për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë e dhuratave parasheh fillimisht gjobë deri në 500 euro. Në rast se obligimi nuk përmbushet as pas afatit të dytë prej 15 ditësh, atëherë rastet procedohen me kallëzime penale në Prokurori, ndërsa gjykata mund të shqiptojë dënime me burgim deri në 5 vjet.

Por, në IKD shprehën vërejtjen për dënime minimale që shqiptohen në raste të tilla.

“Në momentin që një rast shkon në Prokurori dhe pastaj edhe në gjykatë dhe dënohet si kundërvajtje e jo si vepër penale ndaj korrupsionit, kjo pastaj është shqetësuese, për shkak se ne kemi parë, ne tashmë kemi të dënuar ministra, zëvendësministra, deputetë për deklarim të rremë apo për mosdeklarim të pasurisë e dënimet e tyre kanë qenë me 500, 600, 200 euro gjobë”, ka thënë Makshana. “Për një vepër penale të korrupsionit, janë shqetësuese këto dënime kaq minimale në krahasim me atë që do të duhej të shqiptoheshin në këso rastesh”

KOHA pyeti në Polici se cilët janë zyrtarët që nuk i deklaruan pasuritë dhe për çfarë arsyeje, porse nuk pranoi përgjigje. 

Krahas Policisë, numër të lartë të zyrtarëve që nuk bënë deklarim pasurie kanë edhe Dogana dhe Administrata Tatimore.